Falsifikatorët e pafytyrë të Historisë (një rrëfim për Arif Gjylin)

Leda Hysa

Historia tronditëse e vëllait të Heroit të Popullit, Esat Gjylit, ish-deputetit të Asamblesë Kushtetuese në vitin 1946, që sipas Kastriot Dervishit është pushkatuar në vitin 1948, por që jetoi deri në vitin 1989. Jeta reale e Arif Gjylit, arrestimi nga Koçi Xoxja, jeta e mëpastajme e militantit të shquar komunist të Shkodrës, librat që ka botuar pas “pushkatimit” dhe falsifikimi i Dervishit. Dhe një fragment nga kujtimet e vetë Arifit për vrasjen mizore të një mjeku të shquar, Jorgji Karamitrit dhe babait të artistit të shquar Serafin Fanko nga kolaboracionistët e kohës…

 

Nga Bedri Islami

Disa ditë më parë, nga “fototeka” personale e Kastriot Dervishit, u botua fotoja e ish deputetit të Asamblesë Kushtetuese 1946, Arif Gjyli , me shënimin “Arif Gjyli, para pushkatimit”. Fotografia u rimor dhe u përsërit nga disa media, sidomos portale të ndryshme, pa u verifikuar saktësia e shënimit përcjellës. Në foto duket një njeri i torturuar rëndë dhe fytyra e tij është e shpërfytyruar.

E kam njohur nga afër dhe e kam dashur jashtëzakonisht Arif Gjylin, i cili nuk u pushkatua, si është shënuar, por vdiq me 23 shtator 1989. Pra, 41 vite më pas.

Arif Gjyli ka qenë njëri ndër organizatorët kryesorë të Luftës Nacional Çlirimtare të Qarkut të Shkodrës dhe pjesë e rëndësishme e Këshillit NÇL, në të cilin kryetar ishte një figurë e njohur antizogiste, Riza Dani dhe nënkryetar mjeku i shquar, Jorgji Karamitri. I pari nga familjet e mëdha shkodrane, ndërsa i dyti nga Struga.

I njohur gjatë luftës nën pseudonimin “ Bardhi” , njëkohësisht vëllai i Heroit të Popullit, Esat Gjyli, ai do të jetë fillimisht sekretar Organizativ i Qarkorit të partisë në Shkodër e më pas, pas vrasjes së Vasil Shantos, sekretar politik. Delegat i Shkodrës në Kongresin e Përmetit, sekretar politik i Qarkut të Shkodrës, dhjetor 1944, pra figura kryesore e Qarkut, sekretar i Ambasadës së shtetit shqiptar në Beograd, nga ku e kthejnë menjëherë pas përplasjeve të ashpra me drejtuesit e këtij institucioni.

Zgjidhet deputet i Shkodrës në dhjetor 1945-n dhe zgjidhet njëkohësisht edhe sekretar i Kuvendit Popullor.

Është interesant fakti, i papërsëritshëm më pas: Grupi i Deputetëve të Qarkut të Vlorës vendosin t’i propozojnë Asambalesë Kushtetuese që Shqipëria të shpallet Republikë Popullore. Në emër të këtij grupi propozimin e bën Arif Gjyli, megjithëse është deputet i Qarkut të Shkodrës.

Nga grupi koçixoxist, në shtator 1947, arrestohet si pjesë e Grupit të Deputetëve, dhe, dënohet me 20 vite burgim. Lirohet pas dënimit të grupit të Koçi Xoxes, pas torturave të shumta dhe privacioneve të mëdha.

Pas daljes nga burgu, vitet më të shumta, punoi si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, deri sa doli në pension. Autor i disa librave për fëmijë, nga të cilët, në kohën e tij, më i njohuri do të ishte “Trimat e Jutbinës”, i cili u ribotua edhe në Prishtinë në vitin 1973; po ashtu autor i disa studimeve për Migjenin, figura të Luftës NÇL, etj.

Që nga viti 1962 Arif Gjyli ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

E kam takuar shumë herë, aty në pallatin e Shallvareve, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, në bodrumin e thellë, ku kishte studimet e shumta dhe një pasuri të pamatë librash.

I qeshur, jashtëzakonisht i dashur, miqësor dhe i thellë. Kur vinte në Shkodër, për disa ditë tek motrat e tij, njëra nga të cilat ishte nëna e Heroit të Popullit, Naim Gjylbegaj, dilte e shetiste ngadalë rrugëve të qytetit dhe sillte ndër mend vitet e shkuara.

Tufa e Dervishi

Nuk është në listën e “kriminelëve”, mund të ishte, sepse kishte qenë sekretar politik i Qarkorit, si ishte i vëllai sekretar politik i Qarkorit të Rinisë, të cilin e vranë ballistët në derën e shtëpisë dhe e varrosën me bajonetat hapur. Mund të jetë në ndonjë listë tjetër.

Para disa javëve, të afërmit e tij, më dhanë disa nga kujtimet e tij, të daktilografuara, pikërisht për kohën e luftës, nga e cila ishte ndarë përmes burgut dhe, megjithë nostalgjinë e moshës, kishte saktësinë e të moshuarit.

Tani, që tentohet përdhunimi i vlerave dhe ngritja e antivlerave, pra që të rivriten të rënët dhe të ngrihen vrasësit, mora të lexoj edhe një herë shënimet e tij.

Ujqërit e djeshëm dhe ujkonjat e sotme, që duan të përmbysin një të vërtetë historike, ndoshta, ku ta dish, mund të lexojnë se çfarë shkruante një njeri i burgosur dy herë, së pari nga xhandarmëria shqiptare dhe , së dyti, nga ish shokët e tij.

Po sjell sot në DITA një pjesë nga vrasja mizore e një mjeku të shquar, Jorgji Karamitri, pikërisht nga kolaboracionistët e kohës, po e sjell pa asnjë shkurtim, ashtu si e ka shkruar ai:

ARIF GJYLI

Gjatë luftës Nacionalçlirimtare  kishim mjekë antifashistë, djem guximtarë si Bahri Kopliku, Xhevdeti, Emini, Selah Bekteshi që vizitonin ilegalët në qytet, bile edhe partizanët në shkrepat e Postribës, të Rranxave etj.

Por, zemrën e popullit e fitoi mjeku ynë, Jorgji Karamitri. Qe revolucionar i vjetër.

Pat filluar studimet universitare në Sofje të Bullgarisë, mori pjesë aktive në Partinë e Dimitrovit dhe qe dënuar me vdekje. Ia doli të shpëtojë duke kaluar në Rumani… E kaloi jetën vështirë, duke punuar natën si pjatalarës në ndonjë restaurant, por me mësimet shkëlqyeshëm, prandaj njëri nga profesorët e mori në klinikën e tij.

Në vitin 1929, si mbaroi Fakultetin e Mjekësisë, kthen në Tiranë….

Nata e 12 tetorit 1943. Organizohet Konferenca e Dytë nacionalçlirimtare e qarkut Shkodër me pjesëmarrje nga të deleguar të organiatës së Partisë, Rinisë Antifashiste, Rinisë Universitare Atifashiste, antarë të Këshillit Nacionalçlirimtar të qarkut, përfaqësues të forcave partizane, ushtarakë, ingjinierë, mjekë, mësues, malësorë, dy nga ish antarët e Këshillit të lartë të Shtetit.

Një ish gjykatës i kohës së Zogut, në mënyrë të tërthortë, lë të kuptohej se duhet thirrur edhe “Balli Kombëtar”.

I është bërë ftesë, por e kanë përbuzur.

Nga presidumi ngrihet doktori. Zeshkan, si ishte, vetullat e tij të trasha, kishte zemërim përbrenda, por foli qetë – qetë.

– Më falni, më duket se ju keni qenë gjykatës i mbretit Zog,apo jo? I keni shërbyer, edhe gjatë bile. E pra, si ndodh, që sot ju jeni në këtë mbledhje si përfaqësues i popullit të Shkodrës?

– Por unë prej kohësh kam treguar simpatinë dhe mbështetjen time për Luftën Nacionalçlirimtare, me gjithë familje bile!

-Bukur! Ja, atje tutje kemi një ish ballist, e çfarë ballisti, nga krerët. Apo jo, doktor?

-Po, besa!

-E pra, prej kohësh doktori i jep një ndihmë të madhe Luftës nacionalçlirimtare. Çfarë e shtyri atë të largohet prej Ballit?

-Balli tani është një ndyrësirë gjermane, – pohoi mjeku i njohur B.

– Ja, edhe këtu kemi 4-5 ish oficerë që janë në radhët e Luftës. Këtu kemi edhe një ish antar tjetër të Këshillit të Lartë të Shtetit, që kanë dhënë fjalën se do të luftojnë me ne. E ne jemi shumë të gëzuar që e kemi në mes tonë, se është njeri me shumë autoritet. Këtu kemi malësorë, qytetarë. Fronti nuk është parti, ai pranon cilindo që kërkon të luftojë kundër gjermanëve, edhe Ballin. Por ai ka hapur luftën kundër Nacionalçlirimtares…

“Unë, – tha doktori, – duhet të dal tek partizanët. Atje e ka vendin mjeku, por duhet më parë t’i gjejmë një vend të sigurtë gruas e fëmijve.

Doktori nuk pati mundësi të dalë partizan; batalioni ynë u largua në Malësi të Tropojës dhe gjermanët sulmuan me forca të shumta, bashkë me ballistët.

Reaksioni po organizohej edhe në qytet. Gjon Marka Gjoni solli me shpejtësi 250 bashibozukë nga Mirdita, që ia nisën plaçkitjeve dhe arrestimeve. Gestapoja organizoi batalionin “Ndëshkimi”, të gjithë SS, me komandant Hasan Isufin.

E riorganizuan edhe xhandarmërinë e qytetit dhe të qarkut. Pritej të vinte në Shkodër në regjiment i tërë SS i Xhafer Devës për të filluar në qytet spastrimet e lëvizjes nacionalçlirimtare.

Doktori e dinte se në shtëpinë e Marka Gjonit reaksioni kishte caktuar një listë 24 vetësh, të cilët do të vriteshin në vend, natyrisht po të kapeshin dhe doktori ishte në listë.

“Plumbin e parë do ta ha unë”, më tha një ditë doktori dhe shtoi, “Unë jam shqiptar nga Struga. Do të më vrasin e do të thonë se vranë një shkja (shkja – serb, shënim i redaksisë). Bazat tona janë të gjitha të kompremetuara, i njeh Balli”.

E doktori i kishte rënë në të. Bile na ndodhi diçka e paparashikuar. Gjon Marka Gjoni nuk priti të vinte regjimenti i Xhafer Devës. Më 7 dhjetor 1943 bashibozukët e tij, të drejtuar nga krimineli Gjon Dodani morën urdhërin e Gjon Markut për të filluar raprezaljet.

Një pionier më solli një pusullë nga sekretari i Gjon Markut, që ishte lidhur fshehtas me ne. Më tregonte se për çfarë ishte nisur Gjon Dodani: do të vriste Nikolla Fankon dhe Jorgji Karamitrin.

Isha në shtëpinë e besnikut (Naim Gjylbegaj –shënim i redaksisë) në lagjen Zdralej. Ilegal,natyrisht. Për të lajmëruar Karamitrin duhej ose të kaloja nga Piaca për në rrugën “28 nandori” , ku banonte doktori, ose nga policia.

E mora në sy rrezikun. I hipa biçikletës së pionierit. E, qe, dëgjohen krismat e para: qe vrarë, si u muar vesh pak më vonë, antifashisti Nikolla Fanko (babai i artistit të shquar Serafin Fanko – shënim i redaksisë), dhe ishte vrarë në rrugë, në mes të Piacës. Kufomën ia kishin lanë mes rrugës, askush të mos i afrohej.

Vrapova drejt rrugës së Dervish Begut. Kisha edhe 200 metra të  arrija tek shtëpia e doktorit, kur u dëgjuan krisma automatiku.

Gjon Dodani kishte shkuar tek shtëpia e doktorit. “Hajde se të kërkon kapidan Gjoni, se asht i sëmurë”.

Doktori zbriti shkallët dhe hyri tek kabineti i punës.

“Po marr çantën”, i tha.

Në sytë e gruas së tij, të fëmijve të tij të lebetitur, Gjon Dodani i shkrepi automatikun.

Qyteti i bani një varrim madhështor edhe pse reaksioni qe në këmbë. U lajmëruan të gjithë antarët, kandidatët, miqtë simpatizantë, të rinj komunistë, të gjithë, që të ndodheshin tek varrezat ortodokse në orën e varrimit. U përgatitën kurora nga ana e partisë, Këshillit Nacionalçlirimtar të qarkut, Rinisë Antifashiste, Intelektualëve Antifashistë, të rinjve universitarë, nga populli.

Një mjek mbajti fjalimin. Në mes të përshendetjeve të fundit për doktorin, varreza u rrethua nga bashibozukët e Gjon Marka Gjonit, që arrestuan 200 vetë. I shpunë në kullën e Gjonit dhe disa ua dorëzuan  gjermanëve.

Por doli fjala e doktorit: erdhën mercenarët e Xhafer Devës dhe, bashkë me forcat e reaksionit, iu lëshuan popullit me parullën “ t’i biem shkjaut”.

Nga 314 vetë që arrestuan nuk ishte asnjë “shkja”.

Shtator, 1986

****

Botuar sot në Dita. Të gjitha të drejtat, të rezervuara. Ndalohet riprodhimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

 

 

Share This Article