Javës së ardhshme nis gara për licencimin e profesionistëve të rinj të shëndetit. Pasi ka vlerësuar dosjet e depozituara nga urdhrat profesionalë, Qendra e Shërbimeve të Arsimit, ka zbardhur kalendarin me datat e testimeve për sezonin e parë të provimeve të shtetit të këtij viti, për të 9 specialitetet e shëndetit. Kalimi i provimit të shtetit është kushti bazë për të siguruar edhe lejen e ushtrimit të profesionit, çka më pas i hap udhë edhe konkurimit për vendet e lira të punës të raportuara në strukturat mjekësore publike dhe ato private në të gjithë vendin.
Datat e testimit sipas specialiteteve
Sipas vendimit të marrë nga ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit, të parët që do të kalojnë në provimin e shtetit janë kandidatët e profilit mami. Si shkak i numrit të madh të kandidatëve, provimet në këtë profil do të zhvillohen për tre ditë me radhë, përkatësisht në datat 8, 9 dhe 10 maj. Provimi i informatizuar do të zhvillohet në ambientet e kësaj qendre me tre turne pse secilën datë të planifikuar. Provimet do të rinisin në datën 13 maj me specialistët e rinj të fizioterapisë, për të vijuar në ditët ne vijim me mjekësinë, teknikët e imazherisë, logopedistët, stomatologët , farmacistët , teknikët e laboratorit, për t’u përmbyllur me kandidatët e profilit infermieri. Provimet për kandidatët e profilit të infermierisë do të zgjasin 11 ditë me radhë (duke nisur nga data 27 maj e deri në 10 qershor) duke qenë se janë me mijëra kandidatët që do të kalojnë në testim për licencën profesionale. Pjesa dërrmuese e këtyre kandidatëve rikthehen në garë për të disatën herë, pasi në sezonet e zhvilluara gjatë viteve të shkuara nuk kanë arritur që të marrin pikët kaluese. Në tabelën bashkangjitur shkrimit gjeni të detajuar kalendarin e plotë me datat dhe oraret e testimit për secilin specialitet. Ndërkohë që gjatë ditëve në vijim do të shpallet edhe lista e kandidatëve që plotësojnë kushtet për të hyrë në provimin e shtetit për licencën profesionale, ku për secilin prej tyre do të specifikohet data dhe orari se kur duhet të paraqiten për të zhvilluar testimin e profilit të tyre.
Rregullat e provimit
Secili kandidat që do jetë pjesë e listës së zbardhur nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit duhet të paraqitet për të zhvilluar provimin vetëm në datën dhe orarin e përcaktuar vetëm të. Ndërkohë që për të mos rrezikuar përjashtimin, në ditën e provimit duhet të keni detyrimisht me vete këto dokumente: Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal) dhe dy kopje të tyre, faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit të dredhur në një nga bankat e nivelit të dytë, ose në Postë, të specifikuar sipas herës së pjesëmarrjes. Bëni kujdes pasi fatura duhet të ketë detyrimisht vulën e bankës përkatëse. Për paraqitjen në qendrat e provimit kandidati duhet të ketë parasysh rregullat në vijim ku: ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter skualifikimi, ndalohet duhani, dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit, si dhe komunikimi gjatë zhvillimit të provimit.
Tarifat
Ekspertët e kësaj qendre bëjnë me dije se tarifa e depozituar për llogari të Qendrës së Shërbimeve Arsimore, është e pakthyeshme dhe e vlefshme vetëm për sezonin aktual të provimit të shtetit. Sipas rregullores, nëse një kandidat nuk paraqitet në provim, ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer. Kandidatët që testohen për herë të parë gjatë këtij sezoni do të shlyejnë një tarifë prej 10 mijë lekësh. Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë. Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidati. “Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit, si dhe kualifikimet profesionale në atë profesion, të cilat duhet të vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara nga institucionet përgjegjëse brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për profesionet e rregulluara”, bëjnë me dije ekspertët e QSHA.
Fondi i pyetjeve të provimit
Testimi do të jetë i informatizuar dhe çdo kandidat duhet të paraqitet në ambientet e kësaj qendre, në ditën e përcaktuar për specialitetin e tij, për të plotësuar testin me alternativa online. Për t’u ardhur në ndihmë kandidatëve, QSHA ka detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të QSHA-së. Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës. Me marrjen e licencës, këta profesionistë të shëndetit do mund të aplikojnë për të fituar një kontratë pune, si në strukturat publike, ashtu dhe në ato private.
Tarifat sipas herës së pjesëmarrjes në provim:
- Tarifa për kandidatët që e japin për herë të parë provimin e shtetit është 10,000 lekë.
- Tarifa për kandidatët që e japin për herë të dytë provimin e shtetit është 12,500 lekë.
- Tarifa për kandidatët që e japin për herë të tretë provimin e shtetit është 15,000 lekë.
- Tarifa për kandidatët që e japin për herë të katërt provimin e shtetit është 17,500 lekë.
- Tarifa për kandidatët që e japin për herë të pestë provimin e shtetit është 20,000 lekë.
- Tarifa për ata që e japin për herë të gjashtë, e më shumë, provimin e shtetit është 25,000 lekë.
- Tarifa për kandidatët që e japin provimin e digjitalizuar të specializimeve, apo provime të tjera do jetë 5000 lekë
