Drejtoria e Antikontrabandës ka zhvilluar sot një aksion në magazinat doganore të “Kurum” në Elbasan, ku konstatoi mungesën e 4 mijë tonëve hekur e nënprodukte, të cilat kanë dalë nga magazina në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Burime të antikontrabandës bënë të ditur se me këtë veprim, subjekti ‘Kurum’ ka shmangur detyrimet e TVSH-së, në vlerën 450 mijë euro.
Pas verifikimeve të nevojshme, antikontrabanda ka bllokuar magazinën doganore të “Kurum”. Mësohet se subjekti “Kurum” duhet të paguajë detyrimin doganor dhe sanksione në vlerën 1.400.000 euro.
Ky aksion cilësohet një tjetër arritje për Drejtorinë e Antikontrabandës, pas masave të marra në Portin e Durrësit dhe në magazinat doganore të karburantit në Lezhë.
