Dhëndri dhe këshilltari i parë i presidentit të SHBA Trump, Jared Kushner deklaroi se plani i paqes Izrael-Palestinë, e ashtuquajtura “marrëveshja e shekullit” është një plan operacional, që do të jetë njëkohësisht edhe baza e shumë zhvillimeve politike, – bëjnë më dije mediat ndërkombëtare, cituar nga Dita.
Kushner, gjatë fjalimit të tij në një program të organizuar në Institutin e Washingtonit, bëri një vlerësim të detajuar të planit të paqes për rajonin kritik në Lindjen e Mesme, plan të cilin administrata e Trumpit pritet ta bëjë publik gjatë muajit qershor.
Ndër të tjera, Kushner e cilësoi planin e Trump si “një dokument operacional e të detajuar” dhe “shumë të pranueshëm për palestinezët”.
Ai tha se ajo që ishte hartuar, ishte një zgjidhje konkrete, që përbënte njëkohësisht bazën e pikënisjes për zhvillime politike në rajon.
Kushner, jo shumë i besuar nga palestinezët, për shkak të lidhjeve fisnore të largëta me kryeministrin e rizgjedhur izraelit Natanjahu, mbrojti se qëllimi kryesor i planit ishte ndërtimi i një platforme për përmirësimin e jetesës së popujve në rajon, nëpërmes veprimtarive konkrete.
I ngarkuar me misioni e gjetjes së një zgjidhjeje mes Izraelit e Palestinës nga vetë presidenti Trump, Kushner e konsideroi platformën që po zhvillohej realiste, konkrete, e arritshme dhe e përshtatshme për t’i udhëhequr palët drejt një situate më të mirë.
Vlen të përmendet se teksa i referohej Jerusalemit si kryeqytet të Israelit dhe Kodrave të Golanit si tokë hebre, Kushner përdori shprehjen “një realitet që duhet pranuar”.
Duhet theksuar se shprehja që tërhoqi më shumë vëmëndje në prononcimin e këshilltarit të parë ishte se ‘plani i paqes’ nuk duhej të cilësohej “si dy shtete apo një shtet i vetëm”, pasi këto fjalë interpretoheshin në mënyra të ndryshme nga izraelitët dhe palestinezët, dhe si rrjedhojë ishin të hapura për keqinterpretim.
Duke përmendur dimensionin ekonomik të planit, Kushner tha: “Kam shpresë se të dy palët, edhe Izraeli, edhe Palestina, do të jenë optimistë dhe do të hedhin hapa seriozë për zbatimin e tij”.
Edhe nëse do të dështojmë me këtë plan, përfundoi Kushner, shpresojmë që të jetë ndryshe nga dështimet e të tjerëve.
e.ll. / dita
