Lavdi Dëshmorëve

Ori
Stitched Panorama

Nga Viktor Malaj

 

Megjithëse bashkëpunimi i individëve, fiseve apo grupeve të veçanta shoqërore me pushtuesit e vendit është një fenomen po aq i vjetër sa lufta kundër zaptuesve të vendit, termi “kolaboracionizëm” ka filluar të përdoret gjërësisht pas Luftës së Dytë Botërore dhe nënkupton veprimtarinë e individëve, qeverive apo organizatave të ndryshme në shërbim të pushtuesit dhe në dëm të vendit të tyre.

Shtysën për këtë shkrim ma dha një intervistë nga historiania Ana Lalaj në të cilën zonja në fjalë, përveçse nuk shprehej qartë kishte edhe disa pohime të pavërteta që kompromentonin titullin shkencor që mbante.

Nëse pohimet e gjithfarë horrave politikë apo njerëzve të rrugës rreth problemeve historike nuk na çudisin më, një historiani/eje nuk i lejohet që, për probleme të rëndësishme historike dhe politike, probleme që kanë të bëjnë më shumë me mësimet e së ardhmes sesa pësimet e së shkuarës, të shprehet me aq cektësi dhe papërgjegjshmëri sa flasin çdo ditë pijanecët e pandreqshëm nëpër kafenetë e katundeve.

Megjithëse zonja Lalaj, me të drejtë pohonte se “Ne duhet të kemi të zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë për konkluzionet që tërheqim” dhe se “Për fat të keq ne kemi trashëguar një historiografi selektive”, ajo vetë bie në grackën e frymës së kohës sonë dhe bëhet, me ose pa dashje, pjesë e shtrembërimeve që i bëhen historisë sonë për gati 30 vjet nga gjithfarë sharlatanësh politikë, shtrembërime dhe keqinterpretime me të cilat ushqehet turma mjerisht e madhe e “analfabetëve funksionalë”.

Edhe pse e pranon “rrëshqitjen” në kolaboracionizëm të Ballit Kombëtar (rrëshqitjet zakonisht ndodhin pa dashje dhe sjellin theqafje) historiania kundërshton veten e saj pasi bën çmos që, për hir të “frymës së kohës”, të justifikojë Mithat Frashërin si drejtues i BK.

Së pari, e djathta dhe “nacionalizmi” shqiptar i mesit të shekullit të 20-të nuk përfaqsoheshin vetëm nga BK, por edhe nga shumë individë apo grupe individësh.

Së dyti, ne as kemi lexuar dhe as historiania në fjalë nuk na ka ofruar ndonjë dokument që të tregojë se Frashëri ishte kundër bashkëpunimit me pushtuesit dhe se donte që organizata e tij politike të kishte si detyrë të kohës luftën kundër pushtuesit. Prandaj nuk mund të thuhet, sikurse tha, se “Ai (M.Frashëri) nuk mundi të pengojë rrëshqitjen e kësaj organizate në kolaboracionizëm”, por është logjike të thuhet se Frashëri dhe të tjerë si ai e panë bashkëpunimin me pushtuesin si ndihmë ndaj vetes së tyre për të ardhur në pushtet.

Pyetja e parë që i lind çdo njeriu është: cili duhet të jetë qëllimi kryesor i një organizate politike të krijuar në kushtet kur vendi ndodhet i pushtuar nga ushtritë e huaja? Për çdo mendje normale nuk duhet të ketë mëdyshje se objektivi dhe detyra kryesore do të duhej të ishte lufta kundër pushtuesit. Përkundër këtij qëndrimi atdhetar, trakti i parë i organizatës BK, fill pas krijimit si organizatë në nëntor 1942 thoshte: “Sot nuk na mbetet veçse nji gja me ba, me u armatosë dhe me pritë me kthjelltësi mbarimin e luftës, me pritë që të shihet qartë e mandej me veprue kundër çdokujt që kishte me dashtë me shkelë besimin tonë”.

A e ka të qartë zonja Lalaj se sa qesharake tingëllon për çdo mendje të shëndoshë dhe sa e dhimbshme duhet të jetë për çdo shqiptar atdhetar përmbajtja e një trakti të tillë? Të armatosesh për të pritur mbarimin e luftës dhe jo për të luftuar?! Kundër kujt do të përdoreshin ato armatime pas “mbarimit të luftës”?! Çfarë donte të thoshte togfjalëshi “… besimin tonë” dhe kush kishte të ngjarë ta shkelte atë?

Nëse ne e kemi “të zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë për konkluzionet që tërheqim”, siç na tha zonja Lalaj, përmbajtja e atij trakti që duhej të shprehte devizën e organizatës politike të sapokrijuar, i thotë të gjitha: të armatosesh, të mos luftosh pushtuesin, por të presësh mbarimin e luftës dhe pastaj të përdorësh këtë armatim kundër kujtdo që “kishte me dashtë me shkelë besimin tonë”.

Pra, armët do përdoreshin kundër atyre që do iu rrezikonin atyre pushtetin ideologjik dhe politik të së ardhmes që, sigurisht, do të ishin sivëllezërit e tyre shqiptarë. Vetë krijimi i BK tre vjet e gjysëm mbas pushtimit italian, megjithëse krerët e tyre kishin qenë në Shqipëri dhe ishin njerëz me ndikim shoqëror dhe me mundësi më të mëdha financiare, flet shumë. Krijimi i kësaj organizate një vit pas krijimit të organizatës tjetër politike të quajtur PKSH dhe pasi kishin kaluar dy muaj nga krijimi i FNÇL në Konferencën e Pezës, pikërisht kur fuqitë aleate kishin filluar njohjen e rezistencës antifashiste është shumë domethënës. Por zonjës historiane nuk i thotë gjë.

Më pas zonja Lalaj fillon dhe bën interpretimin e kolaboracionizmit duke e ndarë atë në “pragmatist, ideologjik etj.” dhe shqipton se: “Tek kolaboracionizmi i këtyre figurave ndihet edhe ndikimi pragmatik, edhe ai ideologjik… Nuk dinte fshatari shqiptar ç’ishte fashizmi, ç’ishte nazizmi… Ai kënaqej me parullat ‘do të hamë me lugë floriri, do të jemi të gjithë të barabartë’… Pragmatizmi shoqëroi të dy palët. Deri në ’43 të dyja palët ishin në udhëkryqe… diku merr fuqi pragmatizmi, diku ideologjia, pastaj kur vijmë pas luftës e kemi ideologjike dhe pragmatike por del në plan të parë ideologjia dhe pragmatizmi, sigurisht do të ruhej pushteti. Çdo gjë bëhej për pushtetin”.

Pragmatizmi si rrymë filozofike ka lindur në fund të shekullit të 19-të. Të sillesh dhe veprosh në mënyrë pragmatike në jetën e përditshme do të thotë të zgjedhësh dhe përdorësh rrugët dhe mjetet që të sjellin më shumë leverdi. Në këtë kuptim dhe jo si mohim i së vërtetës, pragmatizmi nuk është i qortueshëm. Por çështja është: të jesh pragmatist në dobi të kujt? Të vetes e grupit që përfaqson, apo në dobi të Shqipërisë?

Unë nuk e di se ku e ka marrë zonja historiane shprehjen “do të hamë me lugë floriri”, shprehje e përdorur nga kundërshtarët e Frontit NÇ për të “shpjeguar” bashkimin e shumicës së shqiptarëve rreth tij dhe jo me “nacionalistët”. Ajo që thotë historiania se fshatari shqiptar nuk dinte se çfarë ishin fashizmi dhe nazizmi është e vërtetë, por po kaq e vërtetë është se edhe fshatari më i prapambetur e dinte se, si fashistët italianë edhe nazistët gjermanë ishin pushtues të vendit të tyre dhe ky ka qenë motivi i daljes në luftë dhe jo se josheshin për të ngrënë me “lugët e floririt”.

Duhej të ishe idealist dhe atdhetar që të ikje nga vendet perëndimore ku ndodheshin si studentë dhe bënin një jetë shumë më të mirë se në Shqipëri, dhe të ktheheshe në atdhe e të dilje në mal për të luftuar pushtuesin ku mundësitë më të mëdha ishin të mos ktheheshe gjallë. Është ky idealizëm që bën ndryshimin e madh midis atdhetarëve të veprave dhe “atdhetarëve” të fjalëve, midis atyre që u kthyen nga Perëndimi për të luftuar pushtuesin dhe pas Çlirimit ia dorëzuan pushtetit gjithë pasuritë që kishin. Këta atdhetarë viti 1990 i gjeti me një apartament banimi që s’ishte i tyre, por i shtetit. Krejt ndryshe nga “nacionalistët” që hynë në bisedime me Italinë fashiste, përkrahën pushtimin e vendit, morën poste të larta gjatë periudhës së pushtimit italo-gjerman, arrestuan, internuan, vranë e prenë vëllezërit e tyre në emër e për llogari të pushtuesit dhe në 1944 u larguan si kriminelë lufte. Tani mendojnë se historia duhet t’i paraqesë ashtu siç po na shiten, si atdhetarë të paqes.

Bashkëpunimi me pushtuesit nazifashistë nuk ka qenë i nxitur nga të njëjtët motive për të gjithë të përlyerit në akte kriminale kundër atdheut dhe bashkëatdhetarëve. Pjesa më e madhe e të angazhuarve në akte të tilla kanë qenë njerëz të paditur dhe të gënjyer nga “elita” intelektuale, por dredharake dhe e zvetënuar moralisht që u bë vegël e pushtuesve. Një pjesë e kësaj “elite” ishte shpirtërisht dhe ideologjikisht me prirje fashiste dhe naziste.

Mjafton të citojmë disa thënie të kohës të botuara në shtypin e atëhershëm për të konkluduar se disa pjesëtarë të elitës shqiptare, jo vetëm bashkëpunuan me pushtuesin për “pragmatizëm”, pra për dobinë vetjake, por edhe sepse ishin shpirtërisht të tillë. Krijimi i Partisë Fashiste dhe i Rinisë Fashiste, si dhe konkluzioni i tyre se “Idea për krijimin e Partisë Fashiste Shqiptare është përvetësuar prej çdo shqiptari i cili shpëtimin e tij si shtetas, si shtet, si komb e sheh vetëm në një Shqipëri Fashiste” apo thënia e Mustafa Krujës se “Rendi i Ri! Dëshiri ma i flaktë i njerëzimit që vuen, mishnim i një plani hyjnuer, i përgatitun dhe i lajmuem nga njeriu i provanshëm Benito Musolini, krijues i qytetnimit të ri, interpret i nevojave shpirtnore dhe landore të të gjithë popujve”, tregojnë se autorët e tyre ishin me bindje fashiste dhe se ishin të gatshëm të instalonin në Shqipëri një diktaturë fashiste pasi e konsideronin si “Rendi i Ri” botëror dhe madje hyjnor.

Të tjerë si këta e quanin Hitlerin dhe Musolinin “misat” (pra, më të mirët) e botës dhe flisnin me përçmim për “demokracitë perëndimore dhe idetë e revolucionit francez”. Sot, këta interpretues shpirtëror dhe ideologjikë të nazifashizmit, duartrokitës të “shkelmit” që morën demokracitë perëndimore, na shiten si demokratë dhe evropianoperëndimorë. Një pjesë e madhe e “elitës” intelektuale bashkëpunuan me pushtuesit për shkaqe pragmatiste, por jo në të mirë të Shqipërisë, por për leverdi të tyre.

Pretekstet e atëhershme për t’u bërë bashkëpunëtorë të pushtuesve të huaj nuk i përligjin dot as pinjollët e tyre dhe as “historianët” e sotëm. Bota me fillimin e luftës së Dytë Botërore ishte ndarë në dy grupime: Në Fuqitë pushtuese të Boshtit dhe në bllokun antifashist në të cilin bënin pjesë vende dhe forca me ideologji të ndryshme deri të kundërta pasi, në plan të parë nuk ishte ideologjia mbi bazën e të cilës do të organizohej rendi politik, por çlirimi nga fuqitë pushtuese. Pushtuesi është pushtues pavarësisht nga sistemi i brendshëm politik i vendit që pushton vendet e tjera. S’ka rëndësi nëse vëndi pushtues është republikë demokratike a mbretëri, diktaturë e djathtë apo e majtë. Mjafton që një vend tjetër të sulmojë dhe pushtojë ushtarakisht vendin tënd.

Në Evropë luftuan kundë nazifashizmit jo vetëm komunistët dhe socialdemokratët e majtë, por edhe shumë forca politike të djathta. Prandaj konkluzioni i zonjës Lalaj se deri në ’43 të dy palët në Shqipëri ishin në udhëkryqe, dhe dëshira e saj për të mos vërejtur ndryshimet midis tyre është krejtësisht i gabuar. Aleanca e Madhe antifashiste, me SHBA, BRSS dhe Angli në krye njohu vetëm luftën e Frontit dhe jo atë të “nacionalistëve” dhe këtë s’e bëri për motive ideologjike, por për shkak të sjelljeve dhe qëndrimeve konkrete të grupimeve politike në Shqipëri. Shtabi Aleat në Mesdhe pranoi vetëm përfaqsuesin e Frontit dhe jo të tjerë.

Po ky Shtab deklaronte lidhur me Shqipërinë se “të gjithë ata që bashkëpunojnë me armikun do të trajtohen si armiq gjatë dhe pas luftës”. Dhe si armiq u trajtuan në të gjitha vendet evropiane. Rrjedhimisht, shqiptarët bashkëpunëtorë të pushtuesve nuk ishin vetëm armiq të popullit të tyre apo të Frontit, por ishin armiq të krejt Aleancës Antifashiste Botërore. Tek ne, si askund tjetër, ndëshkimi i këtyre individëve vajtohet prej 30 vjetësh dhe nëmen mallkohen ata që i ndëshkuan.

Alibia e ” Shqipërisë Etnike ” nuk mund të quhet pragmatizëm. Kjo alibi bije menjëherë sapo fillon të fryjë flladi i së vërtetës. Krerët ” nacionalistë ” e dinin shumë mirë se përfundimi i luftës kishte vetëm dy mundësi: ose do të fitonte Aleanca Antifashiste, siç edhe ndodhi, dhe në këtë rast nuk do të pranohej asnjë ndryshim kufijsh i realizuar gjatë luftës dhe nëpërmjet saj pasi kështu kishin vendosur tri fuqitë kryesore qysh në gusht 1941 me Traktatin e Atlantikut.

Mundësia e dytë ishte të fitonin Fuqitë e Boshtit dhe atëhere do të kishim bashkim të territoreve shqiptare por nën pushtimin e ushtrive të huaja dhe, rrjedhimisht, nuk do të kishte as pavarësi dhe as sovranitet kombëtar. Kolaboracionistët shqiptarë nuk u treguan as vizionarë ( pasi u bashkuan me grupimin politik me fare pak mundësi triumfi të gjatë ), as atdhetarë ( pasi u vunë në shërbim të dhunuesve të atdheut ) dhe as demokratë ( sepse u bënë bashkëpunëtorë shpirtëror, politikë dhe ushtarakë të dy diktaturave të huaja ).

Zonja Lalaj bën edhe një gabim tjetër (ndoshta ngaqë nuk u shpreh qartë), kur flet për  kolaboracionizëm “pas lufte” dhe e etiketon atë si ideologjik. Në të gjithë botën kolaboracionizëm quhet bashkëpunimi me ato shtete apo ushtri që të kanë pushtuar vendin forcërisht dhe jo marrëdhëniet politike, diplomatike dhe ekonomike me vende të tjera të cilat ndërtohen patjetër edhe mbi baza ideologjike dhe pragmatiste. Marrëdhëniet politike, ekonomike dhe ushtarake midis shteteve dhe grup-shteteve nuk mund të krahasohen me pushtimin, se ashtu Shqipëria do quhej e pushtuar për një kohë nga Traktati i Varshavës dhe në këtë kohë nga NATO.

Një nga konkluzionet e pabazë të zonjës Lalaj është edhe thënia e saj se “Nuk ishte Balli ai që nxiti luftën civile, as e filloi atë, por fakti që Mithati nuk arriti të gjejë një zgjidhje tjetër, një alternativë tjetër, kjo e bën të diskutueshme figurën e tij”. Së pari, dhe më kryesorja është fakti se në Shqipëri nuk ka pasur luftë civile sepse askund dhe asnjëherë nuk janë konsideruar “luftë civile” konfliktet dhe përplasjet, qoftë edhe të armatosura, midis atyre që luftojnë pushtuesin dhe bashkëpunëtorëve të tyre vendas. Po të ishte ndryshe, do të kishim pasur luftë civile në të gjitha vendet evropiane pa përjashtim, sepse diku më pak e diku më shumë, përplasje të tilla ka pasur.

Nga ana tjetër të pohosh se nuk kishte faj Balli Kombëtar për konfliktet e brendshme civile kur dihet se Balli u krijua pas Frontit; krerët kryesor të tij nuk pranuan ftesën për të marrë pjesë në Konferencën e Pezës ku morën pjesë personalitete “pa dallim bindjeje, feje e ideje…”; bëri marrëveshje të turpshme me pushtuesin siç ishte ajo Dalmaco-Këlcyra e 15 marsit 1943 ku zotohej të mos sulmonte ushtrinë italiane dhe ta ndihmonte atë në prapavijat dhe sigurimin e rrugëkalimeve; futi përfaqsues të saj në qeveritë kolaboracioniste të cilat spiunuan, arrestuan, vranë ose iu dorëzuan pushtuesve qindra luftëtarë antifashistë; forca të tij u bashkuan dhe vepruan si ndihmëse të forcave pushtuese gjermane dhe, madje kontribuan edhe në djegien e shtëpive të shumë mbështetësve të Luftës Nacionalçlirimtare që s’ishin fare komunistë (edhe po të ishin sërish faji do quhej krim) etj. Kur dimë të gjitha këto, të provuara nga qindra dokumente gjermane, angleze dhe amerikane dhe të tjerrësh fjalë për të justifikuar kolaboracionizmin e Mithatit dhe organizatës që drejtonte, do të thotë të bëhesh pjesë e “historiografisë selektive”, por tani në një tjetër krah.

Pavarësisht nga motivet që i shtynë në bashkëpunim me pushtuesit, të gjithë ata që kryen akte të tilla me pasoja për luftëtarët e lirisë dhe për “biografinë” e ardhëshme të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, mbeten kolaboracionistë dhe ndëshkimi i tyre (pavarësisht rasteve sporadike që kanë ndodhur në gjithë botën) mbetet i drejtë dhe nuk mund të amnistohen nga pasardhësit e tyre të sotëm biologjikë, ideologjikë dhe moralë.

Këta njerëz të dëmshëm na portretizohen sot si atdhetarë të klasit të parë, demokratë 24 karatësh dhe intelektualë të pashoq. Se kush ishin ata dhe çfarë përfaqsonin në të vërtetë na e thotë qartë dhe në mënyrë nominale (me emra) zyrtari i lartë amerikan Harri Fulz në një raport që i dërgonte Uashingtonit në shtator 1944:

“… duke qenë tepër feudalë në pikëpamjet e tyre i përziejnë ato me metodat fashiste dhe nazizmin gjerman… Këto gërshetohen mirë prandaj nuk është e rastit që anëtarët e një grupi të tillë përkrahën planet fashiste, duke krijuar një truall të përbashkët me nazistët gjermanë, ata nuk i besojnë popullit të tyre me pretekstin se është injorant dhe primitiv, ndërsa në të njëjtën kohë adaptojnë masa të cilat e mbajnë në kushte injorance, varfërie dhe primitiviteti… Ata preferojnë që njerëzit të jenë të nënshtruar… ata nuk kanë hezituar dhe nuk hezitojnë të përdorin mjetet më vicioze dhe më të ashpra për ta mbajtur popullin në kushtet e nënshtrimit dhe frikës. Anëtarët e këtij grupi me pozita shtetërore, nuk kanë hezituar t’i venë emrin komuniste, çdo shfaqjeje të pakënaqësisë, apo çdo shprehjeje të dëshirës për kushte më të mira. Elementë të këtij grupi janë:

a.Bejlerët, pronarët e mëdhenj të tokave në Shqipërinë e mesme dhe të jugut: Vërlacët, Vlorat, Libohovat, Vrionët etj.

b.Bajraktarët, dhe kapedanët myslimanë të Matit, Dibrës, Lumës: Dinet, Elezët.

c.Katolikët fashistë të Mirditës, Shkodrës, Dukagjinit: Markagjonajt, Krujat, Bushatët, Çobat, Harapët.

d.Elementët ballistë, shumica e të cilëve, ka dalë nga grupet e mësipërme dhe shtresa e bejlerëve të mesëm e të vegjël, kasta e oficerëve profesionistë të ushtrisë dhe xhandarmërisë, zyrtarët profesionistë dhe tregtarët e pasur, doktorët dhe gjykatësit e privilegjuar. Me ndonjë përjashtim të vogël shumica janë me prirje nazifashiste dhe përfaqësojnë interesat thelbësore më antidemokratike të vendit”. (Dokumenti origjinal në arkivin e DASH: A. M 1211/16/875.01/9-2244).

Nuk mund të mendohet se një historiane nuk e njeh këtë dokument. Prandaj edhe çuditesh kur ajo përdor si argument pretekstin e kolaboracionistëve që e përçmonin popullin si “injorant e primitiv”. Këtë pretekst zonja e kthen në argument kur na thotë se shqiptarët i luftuan ushtritë pushtuese se do “hanin me lugë floriri”.

Përfaqsuesit e sotëm të ideologjisë dhe moralit kolaboracionist bëjnë çmos që këta individë që “përfaqsojnë interesat thelbësore më antidemokratike të vendit“, sipas Fulzit, të na i paraqesin si demokratë të mëdhenj, të vajtojnë dështimin dhe ndëshkimin e një pjese të tyre, duke profetizuar “parajsën” e madhe që na priste si popull sikur këta të kishin drejtuar vendin gjatë 75 vjetëve të fundit. Prandaj edhe konsiderojnë faj e krim ndëshkimin e tyre dhe përgatisin lista me “kriminelë lufte” ku vendosin emrat e gjithë drejtuesve të luftës kundër pushtuesve.

Ndonjë prej tyre i bën thirrje Presidentit të vendit që të mos gabojë t’i akordojë Organizatës së Veteranëve të Luftës së Dytë Botërore dekoratën “Nderi i Kombit”. Për të dhe të tjerë si ai, nderi i kombit duhen konsideruar bashkëpunëtorët e pushtuesve, spiunët e vendeve të tjera, elementët terroristë që vinin nga jashtë me detyra për të vrarë njerëz të pafajshëm, cubat që e kalonin ditën nëpër shpella dhe natën vrisnin mësuesit që kërkonin hapjen e shkollave si dhe vajzat mirditore që shkonin në aksione bashkë me moshataret e tyre nga gjithë krahinat e vendi, për t’u emancipuar dhe ndërtuar që ato dhe brezat e ardhshëm të udhëtonin me makina e trena dhe jo vetëm në këmbë apo mbi gomar siç kishin udhëtuar kur sundonin “demokratët” e ndëshkuar nga komunistët.

Në të vërtetë, po të isha në vendin e drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, duke pasur parasysh se me dekoratën “Nderi i Kombit” krekosen gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit gjithfarë horrash, spiunësh e hajdutë ordinerë, do e kisha refuzuar marrjen e saj.

Nëse përçmojmë, mohojmë apo kriminalizojmë luftën dhe luftëtarët dhe justifikojmë e glorifikojmë tradhëtarët do të na duhet që të hedhim në koshin e plehërave të gjitha përpjekjet dhe luftërat që kanë bë shqiptarët ndër shekuj, duke përfshirë edhe Epopenë Skënderbejane, përmbijetesë, liri dhe pavarësi kombëtare. Nëse bëjmë këtë atëhere do të edukojmë breza të tillë që Shqipërinë do ta lënë pa zot, pa dinjitet dhe pa të ardhme.

Pavarësisht erërave të sotme që kutërbojnë imoralitet ekstrem, nderi dhe lavdia iu takon atyre që sakrifikuan dhe sakrifikojnë veten për vendin dhe popullin e tyre dhe jo atyre që janë puthur apo puthen me pushtuesit e atdheut dhe as avokatëve dhe borizanëve të tyre pa dinjitet.

Lavdi dëshmorëve të Shqipërisë!

 

****

Botuar në Dita në 05 maj 2019. Ndalohet riprodhimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

 

 

 

 

Share This Article