Mavraj, në “Qemal Stafa” ndihet i pathyeshëm

redaktor

Mbrojtësi nuk paralajmëron Zvicrën se në Tiranë do të gjejë një pengesë të pakapërcyeshme dhe beson ende te mrekullia e vendit të dytë.

Mbrojtja e kombëtares ka fituar jo vetëm një rekrut të ri, si Loret Sadiku, por edhe të rikthyerin Mërgim Mavraj, i cili mungoi në dy ndeshjet e fundit, për shkak dëmtimi. Rastësi apo jo, në ato dy ndeshje Shqipëria humbi, por Mavraj ngushëllohet disi nga loja në pjesën e dytë kundër Sllovenisë, një paraqitje që e konsideron edhe si fytyrën e vërtetë të kombëtares. Tani do të jetë gati për ndeshjen më të nxehtë, kundër Zvicrës së shqiptarëve, njëherazi skuadra më e fortë e Grupit E, të cilën Mavraj thotë se kuqezinjtë do ta përballojnë pa asnjë ndjenjë frike.

Ju munguat në dy humbjet e shtatorit. Si ju duk skuadra?
Më erdhi keq që mungova, sepse dëshira ime ishte të kontribuoja për ekipin tim për t’u kualifikuar në botëror. Paraqitja në pjesën e dytë në Slloveni ishte fytyra e vërtetë e ekipit tonë. Kishim disa raste për të shënuar dhe mund të fitonim. Ndërsa në Islandë nuk ishte fytyra jonë e vërtetë, por këto gjëra ndodhin në futboll, jo vetëm te ne si një skuadër e vogël, por edhe ekipet e mëdha mund të paraqiten dobët në një ndeshje.

Matematikisht jemi ende në lojë për vendin e dytë. Besoni ende te kualifikimi?
Nuk mund të flasim tani për kualifikim. Ndeshja me Zvicrën është shumë e rëndësishme, është dhe një obligim i yni për të treguar fytyrën e vërtetë, sidomos para tifozëve tanë. Se çfarë do të ndodhë do ta shohim në fund, pasi është futboll dhe rezultatit nuk i dihet. Së paku ne duhet të futemi në fushë me dëshirën për të fituar. Sa për renditjen, do ta shohim pas ndeshjes me Qipron.

Zvicra është ekipi më i fortë i grupit, cilit prej lojtarëve i druheni në veçanti?
Nuk i trembem fare Zvicrës, as si ekip, as ndonjë lojtari të veçantë. Ne kemi treguar në fushën tonë se gjithnjë japim maksimumin dhe çdo kundërshtar e ka të vështirë të na mundë. Nuk ka rëndësi nëse luajmë kundër Zvicrës apo kundër Brazilit, ndaj ne duhet të fokusohemi në paraqitjen tonë, të jemi të organizuar shumë mirë në mbrojtje. Kjo është mjaft e rëndësishme dhe nëse nuk bëjmë gabime, atëherë çdo kundërshtar do ta ketë mjaft të vështirë kundër nesh.

Atmosfera e ndeshjes është nxehur për shkak të shqiptarëve që luajnë me Zvicrën. Njiheni personalisht me ndonjë prej tyre?
Personalisht kam kontakte me ata që luajnë në Gjermani, me Xhakën e Shaqirin. Është thjesht një ndeshje dhe jo politikë, pavarësisht se çfarë flitet për sa i përket zgjedhjes që ata kanë bërë. Në ndeshje kushdo kërkon të fitojë, të marrë pikët maksimale. Ata të premten janë kundërshtarët tanë, por gjithnjë në një ndeshje futbollit. Ata kanë synimin të fitojnë për skuadrën në të cilën luajnë, ashtu si edhe ne duam të fitojmë, është një situatë që ndodh në futboll. Nuk dua të them që është Zvicra nën presion, ndoshta ata kanë pak frikë se nuk kanë luajtur asnjëherë në “Qemal Stafa” dhe nuk e dinë se si do priten nga tifozët, por janë profesionistë të gjithë, kanë luajtur në ndeshje të mëdha, në stadiume të mëdha dhe nuk mendoj se do të ndjejnë trysni të madhe në Tiranë. Unë për vete do të isha i gëzuar nëse i presim mirë çunat tanë. Pavarësisht se luajnë me Zvicrën, ata janë çunat tanë, ne krenohemi me ta dhe shpresoj se do t’i presim mirë.

“Tifozët Kuqezi” u kanë bërë thirrje publike që të mos luajnë në këtë ndeshje…
Nëse nuk do të luajnë ata për Zvicrën, është në të mirën tonë, pasi kundërshtari do të jetë më i dobët dhe ne do ta kemi më të lehtë. Shpresoj që ata të mos luajnë (qesh).

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *