Viti 1936, qeveria greke mbyll shkollat dhe ndalon përdorimin e gjuhës shqipe

redaktor

(Vijon nga numri i kaluar)

Viti 1936 shënon një masë tjetër shtrënguese e asimiluese të qeverisë greke për popullsinë çame në trojet autoktone shqiptare. Një urdhëresë e qeverisë së Metaksait ndalon përdorimin e gjuhës shqipe në Çamëri dhe mbylljen e shkollave shqipe. Kjo u prit me revoltë nga qarqet intelektuale, paria e Çamërisë dhe banorët e thjeshtë. Pasuar arrestime të shumta në gjithë Çamërinë. Në vazhdim, historiani Hajredin Isufi sjellë dëshmi e dokumente të situatës në Çamërinë e viteve 1935-1937…

FAMËKEQI METAKSAI
Metaksai, i njohur për idetë e tij fashiste, në mars të vitit 1936, ishte bërë Kryeministër i Greqisë. Më 4 gusht me bekimin e fronit abrogoi liritë demokratike të popullit dhe vendosi diktaturën e tij, duke shpërndarë një dallgë të fuqishme dhune dhe terri, veçanërisht në Çamëri, me arrestime, burgime dhe internime. Diktaturën e Metaksait venizellistët dhe qeveria shqiptare e të tjera e panë me dyshim e frikë të fortë. Liberalët dhe mbështetësit e mbretit e shihnin njëri tjetrin jo si kundërshtarë politikë por si armiq të egër për jetë a vdekje. Kushdo që do të guxonte të hapte gojën nga liberalët kundër diktaturës së Metaksait e hante “gjarpri i zi”. Ata denoncoheshin menjëherë në polici dhe ndaj tyre fillonin ndjekjet dhe arrestimet. Ndërkohë propaganda me anë të shtypit, afisheve nëpër mure, radios, etj, i thurnin lavde regjimit fashist të Metaksait. Nisi organizimi i të rinjve sipas modelit të rinisë naziste në organizatën nacionaliste të të rinjve, prej së cilës dolën dhe bashkëluftëtarët e pastajmë në radhët e pushtuesve gjermanë dhe batalionet e sigurimit.

DHUNA E METAKSAIT KUNDËR ÇAMËVE
Format shtrënguese të diktaturës së Metaksait ndaj minoritetit shqiptar në Çamëri ishin më të ashpra dhe thellësisht tragjike, të cilat do të pasoheshin me shfarosjen e burrave dhe të rinjve çamë, me burgime, internime e spastrime etnike të atij minoriteti. Administrata greke e Prevezës për ta vënë nën kontroll të fortë Margëlliçin, qytet me tradita të forta të patriotizmit shqiptar dhe i  dalluar për një plejadë të shquar patriotësh, që i kishin nxjerrë telashe qeverive në periudha të ndryshme të historisë dhe s’kishin njohur asnjëherë nënshtrim, më 1936 përforcoi postëkomandën greke në qytet. Në krye të asaj komande u emërua Bogani, një grek nga Kreta, që nuk njihte as doket e zakonet e vendit, as psikologjinë e banorëve, as marrëdhëniet e bashkëjetesës mes dy komuniteteve me fe të ndryshme, por e të njëjtës kombësi, madje edhe me lidhje gjaku mes tyre. Rrjedha e ngjarjeve bëri që banorët e Margëlliçit ta ndjenin të pasigurt veten, nderin dhe atë pak pronë që u kishte mbetur. Nisën ndjekjet dhe arrestimet e figurave të shquara të Margëlliçit dhe në juridiksionin e tij. Në radhën e të përndjekurve ishin kryesisht ata që kishin ngritur zërin vite më parë kundër masave që kishte marrë qeveria greke ndaj shqiptarëve.  Administrata greke dhe komanda e xhandarmërisë ishte e mirinformuar se prapa çdo parashtrese që drejtohej nga Margëlliçi për mohimin e të drejtave të tyre drejtuar Lidhjes së Kombeve, Tiranës, Athinës dhe përfaqësuesve të diplomacisë shqiptare në Athinë, Janinë e Kurfuz, ishte edhe Jasin Sadiku. Tashmë komanda e xhandarmërisë nëpërmjet hafijeve të saj, kishte mbledhur informacione të bollshme për lidhjet e Jasin Sadikut me parinë e fshatrave të Margëlliçit e më tej, për autoritetin dhe respektin që gëzonte ai jo vetëm tek komuniteti i tij, brenda kazasë së Margëlliçit por edhe më tej, me Dule Xhemalin, parinë e Gumenicës, me Ali Dinin dhe Mazar Dinon e parisë së Paramithisë, me Mehmet Sejkon e Filatit etj. Ishte e pamundur që komandanti i xhandarmërisë, i sapo emëruar të mos ishte në dijeni për deklaratat publike të Jasin Haxhi Sadikut e të bashkëpunëtorëve të tij, dhënë zyrtarëve të lartë të Lidhjes së Kombeve si dhe peticionin drejtuar Kryeministrit të Greqisë me një mal ankesash kundër qeverisë greke për situatën e shqiptarëve kryesisht në zonën e Margëlliçit. Në vitin 1935, Jasini ka pasur një përplasje të fortë me zyrtarët e Prevezës. Përfaqësuesi i parisë së Margëlliçit kërkonte nga administrata lokale hapjen e shkollës shqipe në Margëlliç si dhe dëmshpërblimet nga qeveria greke për pronat e shpronësuara, sipas premtimeve që ajo kishte bërë. Me siguri edhe këtë ndërhyrje komanda e xhandarmërisë së Margëlliçit ia kishte shtuar dosjes së Jasinit. Nga administratorët lokalë diheshin përpjekjet e Jasin Sadikut për të konsoliduar e afruar pikëpamjet arsimore për shkollën shqipe. Kontaktet e tij të shpeshta me pleqësinë e fshatrave e parinë e rretheve patriotike të kryeqendrave të Çamërisë, i shtonin edhe më tepër dyshimet e xhandarmërisë ndaj Jasinit si dhe përpjekjet për ta pasur vazhdimisht nën survejim. Bashkëkohësit e Jasinit tregojnë se e kishte më se të qartë qëndrimin e xhandarmërisë ndaj tij dhe për një kohë të gjatë kishte arritur t’u shpëtonte provokimeve, falë miqve të tij të krishterë që ishin me pushtet e të fuqishëm.

GREKËT SHTOJNË KONTROLLIN MBI ÇAMËRINË
Për ta pasur Çamërinë nën një kontroll të fortë, Metaksai urdhëroi krijimin e Prefekturës së Çamërisë. Kjo prefekturë do të përmblidhte katër krahina: Filatin, Paramithinë, Gumenicën dhe Margëlliçin. Prefektura e sapokrijuar do të ishte nën varësinë direkt të Guvernatorit të Përgjithshëm të Epirit, që e kishte qendrën në Janinë. Ai kishte nën varësinë e tij jo vetëm katër krahinat e Çamërisë, por edhe Prevezën, Artën e Janinën. Prefekti i Thesprotisë (Çamërisë) u përzgjodh nga vetë Metaksai. Ai ishte nënkoloneli Çikakis, ushtarak i dalë në pension. Ai kishte marrë pjesë përkrah Metaksait kundër Venizellos. Me sa duket tani ai po shpërblehej me një post të ri. Me krijimin e prefekturës së Çamërisë, pritej dhe shtimi i efektivave ushtarakë për përforcimin e rajonit. Një veprim tjetër që ndërmori diktatori ishte heqja e Filatit si kryeqendër administrative e Çamërisë dhe caktimin si kryeqendër të qytetit të Gumenicës.

Shkaku i përzgjedhjes së Gumenicës nga diktatori ishte se ai shihte rrezik nëse kryeqendra ishte buzë kufirit greko-shqiptar. Qeveria e Metaksait nisi të përforcojë edhe strukturat lokale në Çamëri me njerëzit e besuar të tij, ndërkohë kishte nisur edhe një fushatë e re reprezaljesh kundër elementit patriot shqiptar. Në vjeshtën e vitit 1936 autoritetet greke arrestuan Alush Mehmet Buzën, kryeplakun e fshatit Luarat. Ai gjatë viteve 1922-1936, së bashku me shumë bashkëpunëtorë të tij, ishte bërë i njohur si një kundërshtar i fortë kundër veprimeve të qeverisë greke për spastrimin e elementit shqiptar. Akuza që ishte sajuar për kryeplakun e Luaratit ishte: “Alush Mehmet Buza është një propagandist shqiptar dhe sjell pengime për familjet myslimane që duan të shkojnë të Turqi”. (Burimi: AQSH, Fondi 251, 1936, dos. 108, f. 218).

VALË ARRESTIMESH NË ÇAMËRI
Vala e arrestimeve kishte nisur edhe në fshatra të tjera si dhe në qytetin e Margëlliçit. Nga paria e Margëlliçit në atëkohë u arrestuan: Basho Shehu, Nuh Mustafai nga Guria, Gjyzel Ferit etj. Pasi u mbajtën disa ditë në burgun e Prevezës, ata u internuan në Kretë.(Burim, i sipër cituar). Një arrestim tjetër që bëri shumë bujë dhe preku shumë zemra të trazuara margëlliçiote ishte ai që u bë në fisin e Jatrenjve, arrestimi i Zij Kasemit me të vëllanë. Zijai ishte një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Jasin Sadikut. Shkaku i vërtetë i arrestimit të dy vëllezërve ishte se Zijai disa ditë më parë ishte ankuar se i kishin shpronësuar një arë me të cilën mbante familjen me ushqim. Kur dolën në gjyq dy vëllezërit u akuzuan me dëshmi të sajuara nga major Ligor Evangjelidhi.(Burimi: Gazeta “Tomorri”, 7 shtator 1940). Akuza që rëndonte mbi vëllezërit ishte se ata bënin propagandë shqiptare kundër shtetit grek. Në kohën që zhvilloheshin seancat gjyqësore dhe vëllezërit ishin të izoluar në burgun e Prevezës, Jasin Sadiku takoi miqtë e tij të vjetër, Kavinin dhe Çokun, dhe u kërkoi të bënin çmos për t’i lehtësuar nga akuza e rëndë që iu ishte stisur vëllezërve Kasemi pasi ata ishin të pafajshëm. Kavini dhe Çoku me njohjet që kishin dhe autoritetin e tyre si deputetë të zonës arritën që vëllezërit Kasemi të merrnin një dënim të lehtë dhe pas tre muajsh u liruan.(Burimi, i cipërcituar). Nuk ishte hera e parë që Kavini dhe Çoku ndërmjetësonin tek autoritetet vendore për të shpëtuar nga arrestimet e dënimet figura të shquara të Margëlliçit që herë pas here viheshin në shënjestër  nga zyrtarët e Prevezës. Thuhet se në një rast Jasin Sadiku ishte informuar nga miqtë e tij se Ymer Aga Çapari ishte vënë në listë për t’u arrestuar nga organet vendore të Prevezës, të cilët synonin eliminimin dhe izolimin e Ymer Çaparit, për shkakun se ai ishte deklaruar kundërshtar i urdhëresave të administratës vendore kundër shqiptarëve(Burimi: AQSH, F. 251, 1924, dos. 81, f. 163).

Margëlliçi dita ditës përballej me incidente të dhimbshme. Postëkomandanti i xhandarmërisë së Margëlliçit ishte bërë figura që mbillte frikë e pasiguri. Ai një ditë arrestoi pa kurrfarë arsye e shkak Myrteza Memushin, farmacistin e qytetit, nën akuzën krejt të pabazë e të sajuar se gjoja ai kishte thënë se do të vinte Italia e do ta çlironte Çamërinë. Farmacisti u mbajt disa ditë i arrestuar në qelitë e burgut të Prevezës dhe pasi u lirua, farmacia e tij ishte zaptuar nga një bashkëqytetar i tij i krishterë. (Burimi: Gazeta “Tomorri”, 7 shtator 1940).

URDJHËRI: NDALOHET GJUHA SHQIPE
Një urdhëresë e lëshuar nga qeveria greke njoftonte administratën lokale në Çamëri: “Të gjithë shtetasit grekë të mos flisnin gjuhë tjetër përveç asaj greke dhe të folurit e çdo gjuhe tjetër në vendet publike, në kafene, në administratë ndalohej kategorikisht”.(Burimi: AQSH, F. 251, 1936, dos. 164, f. 309-316). Urdhëresa e sipërpërmendur u pasua nga një qarkore e prefektit të Gumenicës që urdhëronte autoritetet vendore greke në Margëlliç e në qendrat e tjera të Çamërisë që mësimin fetar myslimanët të mos e bënin më në gjuhën shqipe por në greqisht. Këto urdhëresa, që kishin për qëllim të shuanin çdo gjurmë të etnisë shqiptare, jo vetëm që prekën thellë zemrat e shqiptarëve, por edhe tek Jasin Sadiku dukej se po shuante çdo shpresë e dëshirë për hapjen e shkollës shqipe në Margëlliç. Në përpjekjet për hapjen e shkollës shqipe kishte arritur deri atje sa t’i deklaronte administratës lokale dhe zyrtarëve të lartë të prefekturës në Gumenicë se qyteti i Margëlliçit i merrte përsipër të gjitha shpenzimet për hapjen e shkollës e deri në gjetjen e mësuesve të gjuhës shqipe e të pagesës së rrogave mujore të arsimtarëve. Por përgjigja që merrte Jasain Sadiku ishte e prerë: “Hiqni dorë nga hapja e shkollave shqipe”. (Burimi: AQSH, F. 251, 1937, dos. 84, f. 5-6)

ÇAMËT NË MBROJTJE TË GJUHËS
Jasin Sadikut i sosi durimi e vendosi të protestonte ashpër në postëkomandën e Margëlliçit, kur mori vesh se postëkomandanti Bagoni kishte bërë një kontroll bastisës në shtëpinë e Lutfi Rojbës, gjoja se mbanin armë pa leje, por në fakt u bë se mendonin të gjenin libra shqip. Jasini kishte lidhje të dyfishta me Lufti Rojbën. Jo vetëm që e kishte krushk, por edhe bashkëpunëtor prej vitesh. Të gjithë të afërmit dhe miqtë e tij e këshilluan Jasinin të mos shkonte në xhandarmëri se postëkomandanti, i njohur për kurthe, do t’i krijonte ndonjë telash të madh. Jasini kur vendoste për diçka i shkonte deri në fund. Ai shkoi dhe hyri tek postëkomandanti që e priti i qetë dhe në dukje me mirësjellje, por kjo nuk e qetësoi margëlliçiotin që ta çonte deri në fund misionin e tij: Ç’ e mirë ju solli Aga? Zoti komandant, erdha t’iu them  se qysh kur keni shkelur në qytetin tonë me këtë detyrë, s’keni lënë ligësi pa bërë ndaj një populli të qetë, paqësor dhe që u bindet ligjeve të shtetit, kur ato nuk prekin dinjitetin, nderin, jetën dhe pasurinë e tyre. Ju nuk dëshironi t’ua njihni këto vlera, përkundrazi sajoni të pabëra për të arrestuar njerëz të pafajshëm, për të bastisur shtëpi, të mbillni frikë dhe tmerr për të krijuar pasiguri tek shqiptarët e për t’i detyruar ata të largohen për të shpëtuar nga ju. A e dini, z. komandant, se ç’farë iu ka mbetur akoma pa bërë? Të nxirrni nga varret eshtrat e të vdekurve! Dhe pa e prerë fjalën e tij vazhdoi më tej: “Duhet t’u bëj me dije një gjë, si i huaj në këto anë, ta mësoni se margëlliçiotët nuk i kanë mposhtur as ligjet e dhunshme të sulltanëve, as presionet e Ali Pashës. Të kujtoj se kur ishte nisur Deljanaqi drejt Margëlliçit më 1913, për të prerë koka njerëzish të parisë së Margëlliçit, ashtu si veproni ju sot, të parët e parisë së qytetit tim i dërguan një mesazh, ‘mos e merr rrugën për në Margëlliç se nuk do të kthehesh i gjallë dhe ai nuk erdhi në këtë qytet që ju jeni sot’”. Jasini e përfundoi fjalën e tij duke i thënë:”Komandant, mos e fyej këtë popull se, kur shpërthen ai, është si vullkan e s’ka fuqi ta ndalë! Kaq mjaftoi dhe Jasin Sadiku u ngrit nga karrigia ku ishte ulur dhe doli jashtë, pa i dhënë as përshëndetjen e lamtumirës. Ishte e qartë se pas atij takimi nuk pritej ndonjë ndryshim i postë-komandantit, përkundrazi të afërmit dhe miqtë e Jasinit kur mësuan nga goja e tij ato që i kishte thënë rreshterit kretas pa iu dridhur qerpiku, parandienin se Jasini do të përballej me telashe të mëdha.

ARRESTOHET JASIN SADIKU
Jasini me disa bashkëqytetarë të tij ishte ulur në një kafene të qytetit të Margëlliçit. Ajo frekuentohej shumë nga të dy komunitetet. Një ditë, në vjeshtën e vitit 1936, kur ai ishte atje për kafe, hyn komandanti i xhandarmërisë. Pati dhe ndonjë klient që iu serviles xhandarit, duke u ngritur në këmbë dhe duke e përshëndetur me një përkulje trupi. Ai nuk ua vuri veshin fare atyre, por u kthye nga tavolina ku qëndronte Jasin Sadiku me shokë dhe me një mospërfillje iu drejtua Jasinit: “Të bie autoriteti i agait të luash nga vendi?”

Ai u përgjigj:”S’bëhet fjalë as për autoritet agai, as për përtim, por vjen nga mungesa e respektit që kam për ju, për sjelljet e këqija e veprimet e pamoralshme që keni kryer e vazhdoni të kryeni”. Kaq mjaftoi dhe gjakrat u ndezën. Fjala e fundit e komandantit ishte:

Ta rregulloj unë dhe ta shohësh se sa vlen trimëria jote!”. Ai doli nga lokali, por fill pas tij doli dhe Jasini dhe vetëm 2-3 metra përjashta derës së lokalit ia hodhi dorën në zverk dhe e goditi me sa fuqi kishte që kishte në fytyrë. Postëkomandanti e pa veten përtokë të mbuluar në gjak. Jasini nuk u kthye më në kafene, por qetë-qetë dhe me një gjakftohtësi që e karakterizonte, shkoi në shtëpi. Nuk vonoi shumë dhe shtëpia e Sadikajve u rrethua nga dhjetëra xhandarë që me armë në dorë gati për të hapur zjarr hipën shkallët në drejtim të odave për të kërkuar Jasinin. Xhandarët hynë në odën ku ishte Jasini, i cili nuk bëri asnjë veprim, por me një zë të qetë iu drejtua xhandarëve: ”Qetësohuni! Unë këtu jam; ku doni të më çoni?”. Xhandarët i vunë prangat në duar në prezencë të nënës, gruas, fëmijëve të tij e tërë pjesëtarëve të familjes që ishin të pranishëm. Për një çast ai iu drejtua së ëmës për t’i thënë të qetësonte njerëzit dhe pastaj i rrethuar nga dhjetëra xhandarë mori rrugën për në komandë.

HETIMI DHE DËNIMI
E mbajtën fare pak aty dhe e nisën për në Prevezë, nga frika e ndonjë rebelimi të banorëve të qyteti që ishte alarmuar e tronditur shumë kur mori vesh arrestimin e Jasin Sadikut, “kapedanit”, siç e thërrisnin të gjithë.  Sapo mbërriti në Prevezë filloi menjëherë procesi hetimor. Akuza e parapërgatitur ishte “vënie dorë mbi persona zyrtarë që ishin në krye të detyrës”, “kundërshtar i njohur i shtetit helen”, “përçues i propagandës shqiptare dhe të huaj tek popullsia myslimane e Margëlliçit”, “propagandisti më i dalluar për të penguar myslimanët që duan të shkojnë në Turqi”, “thyen me dashje dhe nuk respekton urdhëresat e qeverisë greke dhe të administratës lokale vendore të Thesprotisë” etj. Hetimi kryhej nga prokurorë të hetuesisë ushtarake, të cilët kishin ardhur enkas nga Janina. Hetimi përfundoi brenda dy ditësh. Sipas akuzave që rëndonin për Jasin Sadikun, dënimi parashikohej të ishte i rëndë, me burg të përjetshëm. Arrestimi i Jasin Sadikut dhe mbajtja e tij në qeli, pa lejuar asnjë kontakt me pjesëtarët familjes, miqtë dhe të afërmit, e shtoi edhe më shumë shqetësimin e këtyre të fundit. Luti, vëllai më i madh i Jasinit, dhe Lutfi Rojba, që e njihnin rrethin më të ngushtë të miqve të krishterë të Jasinit, i lajmëruan ata; Apostol Koçillarin nga Parga, pronari i një dyqani të madh në atë kohë për Pargën, si dhe vëllezërit  e krishterë, Sakanenjtë. Po ashtu u lajmërua edhe deputeti i Prevezës, Avini.

PLANI PËR IKJEN NGA BURGU
Thedhor Kavini, ose siç e thërrisnin shkurt çamët-Avini, ishte shumë i njohur për ndërhyrjet e tij në administratën lokale për mbrojtjen e miqve të tij. Falë këtij popullariteti dhe emrit të mirë që kishte fituar kishte arritur të zgjidhej disa herë deputet në qarkun e Prevezës. Por, pavarësisht postit të tij të lartë, duke iu referuar dëshmive të kohës, Avinin mund ta takoje në çdo kohë; në rrugë, në zyrë, në shtëpi apo në lokalet e zonës. Një bashkëkohës i tij sjell këtë dëshmi interesante: “Kavini kishte shumë miq, por midis tyre veçoheshin dy: Papa Jorgjin në Igumenicë dhe Jasin Sadikun në Margëlliç, të cilët loznin një rol të madh edhe përgjatë fushatave elektorale për në parlamentin grek”. Miqësia e Jasin Sadikut me Theodhor Kavinin e bënte të parin të ndjehej më i sigurt dhe më rezultativ në mbrojtjen e interesave të komunitetit çam. Ishte kjo miqësi që solli ndërhyrjen e Kavinit për të nxjerrë Jasinin nga qelitë e burgut të Prevezës dhe të përgatiste më pas terrenin për arratisjen e tij në Shqipëri. Të gjithë u njoftuan një për një. Ata ishin  jo vetëm miq të Jasinit por edhe miq të Avinit e Çokut. Këta u përpoqën ta qetësonin Luti Sadikun dhe e këshilluan të shkonte në shtëpi e të qetësonte dhe familjarët si dhe të priste lajme nga ata për veprime të mëtejshme.

ARRATISJA NË SHQIPËRI
Një ditë më pas u lajmërua Lutfi Sadiku nga vëllezërit Sakanej, Jani dhe Mihallaqi, që të merrte dy kuaj të mirë dhe të shkonte në një pikë të caktuar afër burgut. “Unë, tregon Lutfi Sadiku, nuk kuptoja pse i donin kuajt vëllezërit Sakanej”.  Sapo Lutfiu shkoi në vendin e caktuar mësoi nga vëllezërit Sakanej se ishte përgatitur arratisja e Jasinit nga burgu dhe se duhej vepruar me shpejtësi. Luftiu tregon se Jasini doli pa asnjë vështirësi, çka tregonte se ishte një plan i përgatitur nga jashtë e nga brenda komandës së burgut.  Jasini dhe vëllezërit Sakanej ua hipën kuajve dhe të tre së bashku u nisën drejt kufirit shqiptar[1], duke përshkuar rrugë që nuk binin në sy dhe që nuk ishin shumë të rrahura nga këmbësorët. Kur arritën në pikën kufitare greke, përsëri ndërhyn Jani Sakanej. Ai bisedoi diçka me postën greke dhe më pas u lanë të lirë të kalonin. Vëllezërit Sakanej, kur Jasini kaloi kufirin, u kthyen në Margëlliç dhe lajmëruan familjen e Jasinit se ai kishte kaluar shëndoshë e mirë në Shqipëri. Që nga ajo kohë lidhjet e Sakanejve me Sadikajt u forcuan edhe më shumë.

NESËR DO TË LEXONI:

-Cila ishte situata ekonomike e politike e popullit të Çamërisë pas pushtimit fashist të Shqipërisë  më 7 prill 1939 deri në prag të luftës Italo-Greke.

-Sulmi i pari i Italisë më 28 tetor të vitit 1940 mbi Filat të Çamërisë, arrestimet masive dhe vrasjet e qeverisë greke të Metaksait mbi popullsinë myslimane të Çamërisë. Takimi i Karbunarës

-Vrasja e Kristo Pistulit e luftëtarëve të tjerë çamë dhe reagimi i popullsisë çame kundër pushtuesve.

 


 

Share This Article
3 Comments
  • Kjo nuk eshte historia e lavdishme dhe e dhimbshme e Camerise martire por e Belulit ( Marelliçit si kaza prodhimi hoxhallaresh ) , po i lexoj perdite nga mergimi keto tregime lokaliste berdhe e zi , me vjen turp qe nuk del nje djale apo vajze çame si historiane te mirfillte profesioniste , kaq shkime dhe asnje fakt te vetem te lidhjes se çameve me pjesen tjeter te kombit ! asnje fiure rilindase çame apo politikane ne jeten e qeverijeve ne shqiperi , qofshin keta te majte apo e djathte , bejlere apo njerez te thjeshte e intelektuale , shembuj ka me dhjetera , nuk po zgatem por nje nga drejtoret e Normales se Elbasant zevendesoi te madhin L.Gurakuqi qe fatkeqssht pati fatin si ai nga i njejti autor -klika e Zogut .

  • idashur mergimtar,fatkeqesishte qe je i merguar shko ne shqiperi ,ose kerko te ti dergojne veprat e historianit 9o vjeçar qe shkruan edhe sote Ibrahim D.Hoxha Nepr udhen e penes Shqiptare çameria dhe JANINA NE VITET 1912-1922,enciklopedi Jugshqiptare ne 2 volume,çaparenjte,Hoxhe Hasan Tasini,e shume te tjera.Ne enciklopedi do lexosh edhe per Jasin Sadikun.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *