Pas arrestimit të bujshëm gjatë hapjes së agjërimit, ditën e parë të Ramazanit në sheshin Taksim të Stambollit, teologu R. Ihsan Eliacik është lënë dje i lirë. Teologu u arrestua gjatë aktivitetit të përvitshëm “Sofra Globale”, i cili organizohet në sheshin Taksim nga të rinjtë e grupit Myslimanët Antikapitalistë.
Ky aktivitet është i hapur për çdo njeri, mysliman ose jo, që ka dëshirë të jetë pjesë e sofrës së përbashkët të hapjes së agjërimit dhe, bashkë me anëtarët e grupit, mund të marrë pjesë në diskutimet e ndryshme që bëhen gjatë organizimit.
Organizimi ka mbi 10 vite që tërheq vëmendjen e shumë njerëzve, kryesisht të huaj, pasi ushqimi është modest, secili sjell diçka dhe e lë mbi sofër, kurse atmosfera e darkës është e ndryshme nga darkat klasike të agjërimit, pasi marrin pjesë këngëtarë e grupe të njohur, intelektualë, akademikë të fushave të ndryshme e artistë nga shumë vende të botës – raporton Dita.
Ihsan Eliacik është i njohur për interpretimin modern të Kuranit dhe tepër i dashur për të rinjtë në Turqi. Eliacik ishte një prej figurave simbol të protestave kundër Erdoganit gjatë muajit maj 2013 në parkun Gezi në Taksim.
Ai mori pjesë aktive në këto protesta, bashkë me të rinjtë e grupit Myslimanët Antikapitalistë, të cilët njihen për qëndrimin e tyre opozitar ndaj praktikave të pushtetit aktual turk, si dhe për deklaratat e fuqishme, gjatë të cilave theksojnë se këto praktika janë në kundërshtim me mësimet e fesë dhe Kuranit.
e.ll. / dita
