Historia tjetërsuese e Karontit

Ornela

Moikom Zeqo

 Karonti i Hadit është një tollkeeper (tagrambledhës), ka ndërtuar pikën doganore që çon tek bota e fantazmave dhe hijeve dhe kërkon për çdo ardhës të vdekur halfpenny (gjysmëpenin), monedhën kaluese, Taksën.

Pse bota e gjallë paguan për botën e vdekur?

Po të vdekurit për të ardhur në botën e gjallë pse nuk paguajnë?

Hadi vetëm thith, mbledh.

Por nuk nxjerr.

Hadi është e kaluara, që është njëkohësisht vetëm e ardhme.

Pa i marrë monedhën Karonti nuk e çon të vdekurin në Had.

Sipas kësaj logjike rituali ai që s’ka monedhë s’kalon dot.

Po duke mos u futur në Had ku vallë qëndron?

Në një botë të tretë?

As në botën e gjallë, as në Had?

Kush e shpjegon këtë thagmë?

Miti hesht.

Miti s’është për ata që s’kanë para.

As historia!

Të varfrit vdesin pa Had.

Hadi paguhet.

Gjeneza e Hadit është kur u shpik monedha.

Para shpikjes së monedhës s’ka pse të ishte Hadi (pra s’ishte.)

Tregtarët e krijuan Hadin, parimin e shkëmbimit.

Hadi është miti i tregtisë universale.

Hadi është arketipi i bankës.

Karonti është i dukshëm, por administrata e tij është e padukshme.

Kjo administratë ka bankat e saj sipas monedhave të ndryshme të popujve të ndryshëm.

Këto banka grumbullojnë në mijëvjeçarë monedhat e pafundme (të panumërueshme dot.)

Por ç’bëhet me këto thesare kolosale?

Si shpenzohen?

Ç’bëhet me to?

Apo janë thesare sterile?

Thesare muzeore?

Këtyre pyetjeve nuk i përgjigjet dot askush.

As vetë Karonti!

Ah, Karonti!

Megjithatë ekziston një kumt (ide) i tmerrshëm.

Një arsyetim!

Hadi është iluzion.

Të vdekurit bëhen qytetarë në një botë që s’ekziston.

Në Askund.

Pra realja kthehet në virtuale.

Karonti është Cyberia!

Hadi është vdekja e nocionit të parasë!

Edhe kartat elektronike të kreditit janë që në botën e gjallë vdekje e monedhave.

Pra monedha shuhet që në botën e realitetit që të jetë shumëfish e zhdukshme në Had.

Si ka mundësi?

Po ja që ka mundësi.

Kështu ka ndodhur.

Kështu do të ndodhë.

Karonti është kryepersonazh mitik.

I kam shkruar disa sinopse për të, shtjellime të skajshme dhe parabola kontroverse.

Sinopsi 1: Karonti është i pavdekshëm se ai është i dënuar të punojë papushim.

I vetmi që punon në Had.

Askush tjetër.

Është si dënimi i Sizifit, që e ngre gurin drejt majës, që guri të rrokulliset pikërisht që Sizifi ta ngrejë përsëri e përsëri në pambarim.

Karonti është i rebeluar dhe i rraskapitur nga puna e përsëritshme dhe e kotë.

Ai mendon të bëjë vetëvrasje, të presë duart – por asnjë i pavdekshëm s’vetëvritet dot.

Do të shkatërrojë barkën e tij, por edhe barka është e pashkatërrueshme, çdo dërrasë e saj gjatë çarjes ribëhej përsëri, uji s’futej dot në barkë edhe sikur ta thyente fundin e barkës.

Qe e pamundur.

Sinopsi 2: Karonti ja çon monedhat sunduesit të Hadit, i cili qe Hyu Had.

I lutet t’i marrë të tëra monedhat, vetëm e vetëm që nga i pavdekshëm ta bënte të vdekshëm, të ishte përgjithmonë thjesht një hije, një fantazmë dhe të pushonte së lundruari me barkën e mallkuar.

Hyu Had e dëgjoi plot indiferencë, pastaj i tha se s’mund t’i jepte monedhat, se monedhat s’i takonin Karontit, por në fund të fundit as atij vetë hyut Had, pra monedhat s’kishin asnjë kuptim, ishin formë, por jo përmbajtje.

Pastaj i tha gati me mllef dhe përbuzje se të jesh i vdekshëm është njësoj si të jesh i pavdekshëm se vdekja në Had s’mbaron kurrë, është po aq e pafundme dhe e hiçtë sa edhe pavdekësia.

Vazhdo punën, i klithi Karontit dhe u zhduk në çast.

Sinopsi 3: Karonti e mendoi një ide shpëtimi: ikjen dhe arratisjen nga Hadi.

Mori shumë monedha dhe u fut në botën e të gjallëve. Ndërkohë barka e tij lëvizte dhe i transportonte sërish të vdekurit, e mbi barkë dukej Kipci i Karontit, sa që askush nuk dyshoi se Karonti e kishte braktisur punën dhe Hadin.

Karonti i pa njerëzit e gjallë, por kjo nuk i solli asnjë kënaqësi apo shpresë.

Ai i dinte se të tërë ata ishin potencialisht të vdekur.

Ai pa metropolet e mëdha të kontinenteve, bankat, arkitekturat marramendëse, urat, aeroportet, anijet mbi det, antenat satelitore, uzinat bërthamore, laboratorët e shpikjeve të armëve të sofistikuara, spitalet e panumërt psikiatrikë, shkretëtirat, reklamat, kullat e mediave elektronike HD, gjykatat, karriget elektrike, kafshët e zhdukura në xhunglat e përgjysmuara, gazin karbonik, viruset e sëmundjeve, presidentët, gjeneralët, profetët e rremë të feve botërore, lypësit dhe të sëmurët me Ebola, obezët dhe vrasësit serialë, kompjutrat dhe pikturat e altarëve.

Njerëzit lëviznin, në një cikël punërash, por pa asnjë gëzim, apo domethënie.

Me monedhat që kish me vete Karonti mund t’i korruptonte pushtetarët më të fuqishëm të të gjallëve, të krijonte një bankë, të financonte një projekt fluturimi në kozmos.

E pastaj?

Çdo të ndodhte më pas?

Ç’kuptim do të kishte e gjithë kjo?

E nëse mungonte kuptimi kujt i hynte në punë rebelimi i atij, dmth i Karontit për botën e të gjallëve?

Çfarë do të ndryshonte?

Asgjë!

Absolutisht asgjë.

Miliarda njerëz mbushnin planetin, lëviznin pandërprerje.

Dhe pse?

Vetëm e vetëm për të vdekur!

Tërë këta njerëz ishin shumëzimi i vetes së tij, ishin miliarda Karontë, të sfilitur nga puna dhe nga të jetuarit e përditshëm, pa qëllim, madje pa rebelim.

Karonti zbuloi se Hadi dhe bota e të gjallëve qe e njëjta gjë, ndryshimi midis tyre qe një iluzion optik, dy alternativa, por në thelb të njëjta.

Karonti kuptoi gënjeshtrën virtuale të identitetit.

Ai nuk ishte unik, sepse që të gjithë njësoheshin qoftë dhe paradoksalisht me të.

Njerëzit ishin vdekatarë, pikërisht që të vdekur të ishin po aq të pavdekshëm si Karonti.

Cikli përsëritej.

Karonti i zhgënjyer u kthye në Had.

E pa në mjegull barkën që po afrohej.

Pa siluetën shekullore të vetes, që qe forma e të gjithë njerëzve të vdekur, apo përkohësisht ende të gjallë. Ah!(Durrës, 1999)

PIANOJA DHE AMSHIMI

Ai u kthye me këmbë, i përhumbur, nga godina me kolona mermeri i Operës drejt shtëpisë së tij në kodrën me pisha të kryeqytetit.

Tani i pëlqente të ecte gjatë, i zhytur në mendime.

Më saktë përpiqej të vinte rregull me mendimet, por qe e pamundur.

Hapi derën e apartamentit të tij dhe u fut brenda.

Jetonte vetëm.

E shoqja i kishte vdekur para një viti nga leucemia në moshën 46 vjeç.

Ai ishte 4 vjet më i madh.

E shoqja qe diplomuar për muzikë dhe qe pianiste e talentuar.

Ai kishte mbaruar studimet universitare dhe qe specializuar për jurist.

Qenë martuar para 20 viteve dhe dashuria e tyre kishte patur vite dhe ditë të bukura, gati të lumtura.

Më pas marrëdhëniet e tyre qenë korrekte, përherë rituale, por mbi to pati një lloj ngrirje, ndonëse pa kontradikta, pa pasione, pa mllefe dhe ligësi.

Ende e respektonin njëri-tjetrin.

Për fat të keq nuk arritën të kenë një fëmijë.

Të dy donin të kishin fëmijë por ja që s’ndodhi kështu.

Të dy u dhanë me shpirt mbas punës.

Ajo shkëlqeu si pianiste kryesore në Opera, ai mori famë si jurist i përkushtuar.

Kur ajo u sëmur ai ndjeu dhimbje të pakufishme.

Vërtet e donte, pavarësisht se qenë njerëz me prirje dhe talente të ndryshme.

I kishte lodhur fati dhe të dy s’dyshonin tek ky fat.

Kur ajo lëngoi dhe vdiq ai e kuptoi se jeta e tij qe shkatërruar.

Çdo gjë dukej se vazhdonte normalisht.

Por jeta e tij qe bosh.

As i shkonte ndërmend që mbasi të kalonte koha të lidhej me ndonjë grua tjetër.

Jeta e tij qe e mbyllur.

Qe i qetë, por ngushëllimi s’ekzistonte më për të.

Ai lëvizi në apartament.

Sa herë që kthehej në këtë mjedis ai shikonte në këndin e dritares pianon e madhe të zezë, që shkëlqente në mënyrë të çuditshme.

Në mur varej pranë fotografisë së gruas një violinë e purpurt (e ndjera pëlqente që herë pas here t’i binte violinës.)

Ai u afrua tek piano dhe e ngriti kapakun.

Është i njëjti gjest si i atij që ngre kapakun e veturë garash për të parë dhe për të ndrequr defektin për ta bërë të mundur lëvizjen për të udhëtuar më tej në hapësirat e panjohura.

Për fat të keq kjo metaforë është dëshpëruese – defekti qe i pariparueshëm më.

Ai vetë nuk mësoi kurrë t’i binte pianos.

S’u përpoq, s’pati kuriozitet as mahnitje nga pianoja.

Kur e shoqja mbylli sytë dukej kaq e bukur brenda arkivolit të zi.

Atij i pikonin lotët.

Me dorën e dridhur e mbylli kapakun e arkivolit.

Pikërisht të njëjtën gjë bëri tani duke e ulur kapakun e pianos.

Pa në mur violinën.

Ju duk se prej saj po dilte diçka si tym ose si fantazmë.

Ky halucinacion u ndërpre.

Ai i mbylli sytë dhe i hapi përsëri.

Ndodhej tek pianoja.

Dhe pianoja heshtte në një amshim të paskajshëm.

Pianoja qe koha.

Koha pa fillim dhe pa fund.

Ai ofshau i lodhur.

Tani gruaja e tij qe koha.

Gjithçka tjetër qe diçka efemeride dhe kalimtare. Ah!(Durrës, 2004)

GJUHËTARI DHE STATUJAT

Një gjuhëtar vërtitet i vetmuar në sallat e një muzeu arkeologjik. Sheh statujat e epokave të ndryshme.

Nuk i mungon ndjesia estetike.

Arti i mermerit dhe bronzit e bën pak indiferent.

Ky është arti i heshtjes së nëmur.

Endet mes statujave si mjeku i morgut mes kufomave, ngadalë dhe madje i plogët.

Në një çast vret mendjen dhe dyzohet në vetvete. Ftillëzohet tek ai enigma: po nëse këto statuja befas do të flisnin, do të qeshnin, do të rrëfenin si do t’u përgjigjej vallë?

Po në ç’gjuhë do të shpreheshin statujat?

Me ç’lokucione apo fjalë dhe gjuhë të humbura?

Me ç’metafora dhe mendime që nuk ekzistonin më?

A mund ta përballonte ai këtë sfidë?

Do të ishte i aftë dhe i sigurt që t’u kthente përgjigjet dhe akoma më skajshëm, më misteriozisht t’u bënte pyetje nga një kohë tjetër?

A mund t’i intervistonte e të përpilonte prej tyre fjalorë të pazakontë?

Sepse muzeu i dukshëm arkeologjik është dhe muzeu i padukshëm (pa zë) gjuhësor.

Gjuhëtari skeptik rrotullohet mes statujave akoma më skeptike.

Disa prej statujave nuk kanë as koka, (si mund të flitet pa koka?)

Më mirë që heshtin, ndoshta kjo është më sublime, më e përkorë dhe më e mençur.

E ç’i duhet botës rikthimi i një diturie të vdekur përgjithmonë?

Të ringjallësh gjuhët e vdekura?

Greqishten e vjetër, ilirishten, trakishten, latinishten?

Ndërkohë që njerëzimi ka kaq shumë gjuhë, me tepri, madje shumë prej tyre të panevojshme, që s’i hyjnë më në punë as atyre që vetëm këto gjuhë i dinë dhe s’dinë të tjerat?

Gjuhëtari ndaloi së ecuri mes statujave.

Pastaj qëndroi një çast si i gurëzuar mes statujave.

Ky çast mund të zgjaste në mijëvjeçarë, që ai të ishte gjithashtu një statujë mes statujave. Ah !(Durrës, 1993)

PARFUMI FLUTURAK

Fytyrat tona të ashpra, naive, autoritare dalëngadalë treten në vite ashtu si aroma e një parfumi të një femre që kaloi dikur – e panë të gjithë, – s’ktheu kokën, iku dhe s’u kthye më !

VETËTIMA UNIVERSALE

U ndërpre drita elektrike.

Po ndiqja në televizor një debat idiot politikanësh mediokër.

Jam idiot edhe unë, i thashë vetes.

Isha në studion time të librave.

E ndeza një shkrepëse për të parë mes territ të befasishëm.

Ah, terr prehistorik!

Çdo gjë në studio m’u duk prej fantazme, e deformuar.

Sikur isha në fundin e detit dhe librat më ngjanë me breshka që rrinë pezull të thellësirave.

Pashë nga dritarja e studios.

Tërë konturet e lagjes qenë zhdukur.

E zeza kishte gllabëruar çdo gjë.

Qyteti ishte, por tani s’ishte më.

As njerëzit në apartamentet e tyre, që ndoshta po grindeshin, po hanin bukë, ose po bënin seks.

As fëmijët që po luanin video-game.

As kompjutrat.

As selitë e partive.

As posterat dhe flamurët e partive.

As reklamat e udhëkryqeve, as semaforët (që janë e njëjta gjë.)

As siluetat e drurëve, as urat e lumit të Lanës.

As qentë endacake, as qentë e parfumuar shtëpiakë (racë totemike e vetmisë).

Asgjë!

Befas shkreptin një vetëtimë në atë që mund të quhej qiell, mes reve që maskonin yjësitë dhe Hënën.

Një vetëtimë e plotfuqishme.

Një shkrepëse e ndezur në duart e një Hyu Paemër, që s’ishte as Jahovai, as Zeusi.

Një vetëtimë!

Elektriciteti i natyrës dhe kozmosit.

Një vetëtimë shpëtimtare.

E zanafillave të pazëvendësueshme.

Një vetëtimë besimi dhe përkushtimi universal.

Një vetëtimë përpara vetë Njeriut, por edhe mbas zhdukjes së Njeriut.

Një vetëtimë e pastër, e imituar ngathtësisht nga dinamot, makineritë, hidrocentralet, termocentralet, apo centralet atomike. Një vetëtimë e padeformuar.

 

Një vetëtimë e asgjësë dhe e gjithçkaje.

Një vetëtimë më shumë se sa qytetërimet dhe librat.

Një vetëtimë e vetme, shumësi e vetëtimave të dikurshme dhe vetëtimave të ardhshme.

Një vetëtimë, më shumë se sa vetvetja e saj.

Një vetëtimë e konkretes dhe abstraksionit.

Një vetëtimë sinkretike.

Miliona volt në një të dhjetën e sekondës.

 

Një vetëtimë!

Ah, një vetëtimë!

Ahere mendova: në djall prizat elektrike!

Në djall të gjitha prizat!

Sikur ta lidh qenien time tani me prizën (që s’është prizë) të kësaj vetëtime!

Ta lidh me televizorin!

 

Të shfaqen në ekran programe të tjetërllojtë të New’s Gods!

Të New’s Realitys!

New’s Spiritus!

 New’s Univers!

GJELI I UNGJIJVE

Gjeli këndoi tri herë dhe Pjetri e mohoi Krishtin tri herë.

Pastaj kuptoi gjithçka dhe qau.

Ky gjel i ungjijve u harrua.

Po ç’qe ky gjel?

Simbol i planit hyjnor?

Metafora paradoksale e subjektit?

Ç’u bë me këtë gjel?

Dikush e vrau?

E shpuploi për ta pjekur dhe për ta ngrënë?

E vendosi në sofrën e dyshimeve dhe të urisë së njerëzimit?

Apo edhe kështu u ringjall dhe u puplua përsëri për të kënduar sërish tri herë, apo tre milion herë?

Ah, gjeli enigmatik!

Gjeli që parathotë.

Gjeli që ve në provë vetëdijen midis hyjnores dhe njerëzores, apo edhe shtazores!

Apo në miniaturë u vendos në orët e murit, për të dalë ritualisht për të kënduar në shekuj, për të na kujtuar mohimin e Krishtit nga Pjetri naiv, procesin tragjik të njohjes dhe të rrëfimit subjektor, për të kuptuar mëdyshjet e mëdha të Historisë?

Të vetë Njeriut?

Dhe të Hyut të Trefishtë?

Pra edhe të vetë gjelit, Pjetrit dhe Krishtit? Ah!

Durrës, 1998

PATKONJ ARI

A mundet t’i gozhdoj ëndërrat e Martin Luter Kingut si patkonj ari në Pegasin e vetë Homerit të harruar?

KU JENI URBANISTË?

Ku jeni urbanistë që skiconi kanalizime për ujërat e zeza në trurin e botës?

NDRIÇIMI PËR LEXIM

Nga nëndheu, nga thellësirat pa zë shkëlqen fosforeshenca e eshtrave të stërgjyshërve

Ah, eshtrat e Florimontit dhe Skënderbeut, e Buzukut dhe Barletit!

Kjo fosforeshencë e pavdekshme na ndriçon mjaftueshëm, misteriozisht për të parë dhe për të lexuar në terr të kujtesës.

PARAJSAT E HUMBURA

Si mundet trumcaku i vetëvrarë i Migjenit të arrijë tek Parajsat e Humbura?

DETET BOSA

Gjeneza (2,17): mos hani nga Pema e Njohjes të së Mirës dhe të Keqes, se po të hani prej saj me siguri do të vdisni.”

Krishti na fton në një peshkim të mrekullueshëm edhe mbi detet bosh!

THIRRJET E ILIRËVE

Si t’i zhvarros nga gjaku im tërë thirrjet e ilirëve të vdekur? Një ujk i vetmuar lëpin gjak yjesh bjeshkatare.

Sa simbole shfaqen dhe lëvizin mes Testamentit të Vjetër – prej tyre mund të shkruhen mijëra Testamente të Rinj të ngjashëm dhe të ndryshëm.Ah, ilirët e vjetër pa Mesi!

SHPRESA SI FALLSIFIKIM

Historia shpesh është Antihistori.

Shpresa, kjo falsifikatore e madhe e së vërtetës!

Kudo lëviz, shfaqet këmbëpalarë Miss Mosmirënjohja!

PRARIMI I PRITJEVE

Në udhëtimin e dikurshëm të Dantes tani lëviz shpura e të verbërve.

Dhe mua një dritë e munguar m’i praron tërë pritjet!

EMRI IM SI SHËNJAT E GISHTËRINJVE

 Le të mbetet emri im, si shenjat e gishtërinjve mbi dorezën e portës së Poezisë, që e hapin të gjithë, por pak, shumë pak janë ata, që hyjnë brenda.

(Vijon ne numurin e ardhshem )

 

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *