Një shëtitje përmes mrekullive të Tiranës

Leda Hysa

Nga Sejdo Harka

Sapo dëgjon vargjet brilante  të këngës qytetare tiranase “Ku ka si Tirana…”, parasysh, si në një ekran gjigant, të shpalosen konturet e një qyteti, sa të lashtë, aq dhe të ri, me një bukuri mahnitëse. Ky qytet është Tirana, kryeqendra e ekonomisë dhe zhvillimit, e kulturës dhe arsimit, promotorja e zhvillimit të gjithanshëm të Shqipërisë. Mjafton vetëm pyetja retorike pohuese: “Ku ka si Tirana”, për të kuptuar se në vendin tonë, nuk ka qytet tjetër të dytë si ai. Tirana është e papërsëritshme, jo vetëm për pozicionin gjeografik, por edhe për infrastrukturën e saj dhe gjelbërimin, për arkitekturën dhe bukurinë e saj të papërsëritshme. Tirana, ose siç quhet  ndryshe, zemra e Shqipërisë, e shtrirë në Ultësirën Perëndimore të vendit tonë, gati e baraslarguar nga të katër pikat e horizontit të hartës së saj, kufizohet me Durrësin dhe Elbasanin, me malin e Dajtit dhe gjerdanin e kodrave të bukura të Kamzës dhe Yzberishtit, të Vaqarrit dhe Saukut, të cilat i rrinë asaj mbi krye si kurorë e artë, nga kreshtat e të cilave të fanepsen majat e kalave të lashta mesjetare, si ajo e Petrelës dhe e Prezës, e Dorëzit, Përsqopit dhe e Tujanit. Po ta vështrosh Tiranën nga lartësitë e Dajtit, herë i ngjan një cope qielli shumëngjyrësh, i zbritur si me dorë nga vetë Zoti, dhe herë, sidomos mëngjeseve, si një pus i frikshëm, mbuluar me re të zeza smogu, si frut i hidhur i njeriut të papërgjegjshëm dhe “vetëvrasës”. Tirana, ky qytet i bukurive përrallore, njëkohësisht është dhe vendi i diferencave dhe kontrasteve të mëdha ekonomike dhe shoqërore, politike dhe social-kulturore, fatkeqësisht me një trend thellimi, gjithnjë e më të madh, gjë që ndikon ndjeshëm për thellimin e mëtejshëm të polarizimit  shoqëror dhe politik të vendit. Ajo është qyteti i lirisë dhe i ëndrrave, i luftës dhe barrikadave, qyteti i rrëmujës dhe i rrëmetit, i stresit dhe i qejfit; qyteti ku njerëzit e punës, siç thuhet dhe në vargjet e një parodie qytetare “shtypen nga mashtruesit e mercenarët/prokurorët dhe gjyqtarët” dhe “Qeveritë që s’bien nga froni”. Tirana është, sa e qetë dhe e dlirë, aq dhe “e çmendur dhe e mpirë”. E megjithatë, tiranasit nuk e ndërrojnë atë me asnjë qytet tjetër. Ndaj i këndojnë asaj me vargun brilant e kuptimplotë: “Si do që të jesh, ti je e jona”.

Në gjurmët e Tiranës së hershme

Për Tiranën janë thurur jo vetëm qindra këngë e poezi, por janë shkruar e botuar edhe shumë libra e studime nga studiues e publicistë të spikatur si Kristo Frashëri, Osman Myderizi…dhe gazetarja Rezarta Delisula, e cila kohët e fundit ka botuar albumin “Tirana mahni”. Sipas Kristo Frashërit dëshmitë e ekzistencës  së shoqërisë njerëzore në këtë trevë i takojnë Paliolitit të vonë. Themeluesi i Tiranës së hershme është Sulejman Pashë Bargjini, me origjinë nga Mulleti, që në vitin 1614. Por emri Tiranë, për herë të parë është përmendur në dokumentet e Venedikut, që në vitin 1408. Versionet e prejardhjes etimologjike të emrit të këtij qyteti janë disa, por ne po përmendim vetëm dy prej tyre. Sipas gojëdhënave emri “Tiranë” , mund të ketë ardhur nga emri  i pijeshitësit Tyrhan, i cili në vitet 1460-‘70, menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut, shiste pijet e tij të preferuara për banorët e këtyre anëve. Versioni  i dytë është se emri i kryeqytetit tonë të sotëm mund të ketë ardhur nga emri i kështjellës mesjetare Tyrhanos, emër që me kohë ka evoluar në “Tiranë”. Si qendër e madhe tregtare e Shqipërisë,Tirana, e atyre viteve do të bëhej mollë sherri midis sundimtarëve më të zëshëm të kohës, siç ishin Ibrahim Pashë Bushati dhe toptanasit e Krujës, të cilët, sidomos këta të fundit i sollën Tiranës një zhvillim të kënaqshëm për kohën. Ky zhvillim do të marte një hov të ri, veçanërisht në fillimin e viteve 1900. Që në vitin 1905, Pazari i Vjetër i Tiranës kishte 480 dyqane të rikonstruktuar. Në këtë qytet, më 26 nëntor të vitit 1912 u ngrit Flamuri i Pavarësisë, dy ditë para se të ngrihej në Vlorë. Më 21 Janar 1920, Kongresi i Lushnjes e shpalli Tiranën kryeqytet të përkohshëm të Shqipërisë, ndërsa më 11 Shtator të vitit 1820, Asambleja Kushtetuese e shpalli atë kryeqytet të përhershëm, ku do të vendosej për gjithnjë edhe selia e qeverisë së Sulejman Delvinës. Si rezultat i marrëdhënieve të mira, që kjo qeveri krijoi me Italianët, infrastruktura e Tiranës, pësoi transformime të mëdha, me frymëmarrje të thellë evropjane. Vitet 1925-40, ishin vitet e ndërtimit të kompleksit të ministrive dhe i kryeministrisë, ndërtimi i godinave të Presidencës dhe Akademisë së Shkencave,me një arkitekturë moderne. Që në ato vite Tirana kishte 3 gjimnaze dhe rreth 130 mijë banorë.

Me bukurinë dhe pastërtinë e rrallë të Tiranës, të huajt janë mahnitur, që kur ajo hidhte hapat e para të qytetërimit. -Kur u nisa për në Tiranë-tregon një turist i huaj, në vitin 1850- mendoja se do të shihja një çerdhe të errët, të mbuluar me papastërti, por në fakt, vazhdon ai, gjeta një qytet të pastër, të shtrirë në një fushë plot kopshte e pemë, ku askush nuk vuante për bukë. Është vërtet një çudi e rrallë, që Shqipëria e viteve ‘30, paskësh patur fatin të bëhej protagonist i Librit Gines për numrin e madh të aerodromeve, jo vetëm në Tiranë, por dhe në shumë qytete të tjera të vendit. Edhe pse kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së mundësive të tjera për transportin e udhëtarëve, është një brekulli e rrallë të mendosh se shqiptarët kanë mundur të fluturojnë kaq shpejt me aeroplan, jo vetëm brenda vendit, por dhe jashtë tij. Rrugën e ndriçimit elektrik,Tirana e ka nisur që në vitin 1927, me një central  të vogël, për të bërë një rrugë të gjatë drejt ditëve tona me centrale e hidrocentrale moderne. Hapa të vrullshme janë bërë në drejtim të zhvillimit të mendjes së shkruar dhe të folur. Nga radioja e parë, që e nisi udhën e gjatë me transmetimin e fjalimit të parë të Mbretit, sot kemi një mori radiosh dhe televizionesh shtetërore dhe private me teknikën më moderne të transmetimit të programeve të shumëllojshme e cilësore, por që jo rrallë vuajnë nga pragmatizmi e politizimi i tepruar.

Mrekullitë e Tiranës

Rruga e Tiranës, nga lashtësia deri në ditët e sotme ka qenë sa e gjatë, aq dhe e vështirë. Në këtë udhëtim të pandalshëm ajo i ngjan një “varke” që duke u vozitur në një det të trazuar nga stuhitë, jo vetëm nuk mbytet e thërrmohet, por rritet e forcohet,duke u tjetërsuar në një “anije” moderne plot fuqi e vrull, për të çarë drejt deteve dhe oqeaneve të botës, pa iu trembur syri. Tirana, nga një fushë e mbushur plot me ferra e gjemba, mbi shtatin e së cilës nisi udhëtimin e gjatë e të vështirë një qendër pazar  i hapur javor, ku fshatarët e këtyre anëve shisnin dhe tregtonin prodhimet e tyre, sot është tjetërsuar në një qytet modern evropian. Popullsia e Tiranës gjatë viteve ka pësuar luhatje të dukshme. Një rritje të madhe pësoi kjo popullsi, sidomos pas vitit 1990. Si rezultat i lëvizjes së lirë të qytetarëve, ajo sot ka arritur rreth 1 milion banorë. Përzgjedhja e këtij qyteti si kryeqendra e Shqipërisë do të ndikonte jo vetëm për rritjen e ndjeshme të popullsisë, por dhe për zhvillimin e gjithanshëm të tij. Tiranën do të mundnin ta bënin të konkurrueshëm me disa qytete e kryeqytete të Evropës mrekullitë e shumta, të krijuara për një kohë  të gjatë, nga mendja e dora e shumë brezave. Po cilat janë këto mjedise të këndshme dhe resurse me vlera të mëdha turistike e argëtuese, jo vetëm për tiranasit e gjithë shqiptarët, por edhe për turistët e vizitorët e shumtë që vinë nga të katra anët e botës. Ato që ne na pëlqen t’i quajmë mrekulli të Tiranës janë të shumta por në pamundësi për t’i përmendur të gjitha, po ndalemi në disa prej tyre.

Ai që i pret i pari mysafirët e Tiranës është Sheshi Skënderbej, i cili edhe pse për vite e dekada me radhë është bërë objekt i ndryshimeve të mëdha, për ta përshtatur me ngjyrat e sistemeve dhe të partive në pushtet, sot ai, me pamjen e tij të mrekullueshme konkurron me sheshet e qyteteve më të përparuara të Evropës. Këtë ndjesi shprehin për këtë shesh, jo vetëm emigrantët shqiptarë që rikthehen për ta shijuar këtë bukuri të rrallë, por dhe shumë turistë të huaj. Projekti i tij i parë është bërë që në vitet 20 nga arkitekti italian Armando Brasini. Ndërsa emrin “Skënder Bej” ky shesh e mori më 27 Nëntor 1937. Që nga projekti i parë e deri tek ky i fundit, i projektuar nga një arkitekt francez, ndryshimet janë të dukshme. Nëse  gjatë sistemit monist, deri në vitin 1967, në qendër të tij bënte hije monumenti i Stalinit, më pas u vendos njëherë e përgjithmonë monumenti i Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, vepër e skulptorit tonë të madh Odise Paskali. Ky shesh sot është një mrekulli e vërtetë multifunksionale, me frymëmarrje të gjerë. Ai është konceptuar si një pedonale me bimësi e gurë të shumllojshëm që kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria. Një mrekulli tjetër e Tiranës është Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Ai për herë të parë u projektua dhe ndërtua nga italianët, në vitin 1930, projekt që më vonë u pasua nga zinxhiri i artë i ndërtimeve të tjera, si Pallati Presidencial, Hotel “Dajti”, Sheshi “Nënë Tereza” dhe kompleksi universitar. Këtij zinxhiri të artë në vitin 1960 do t’i japin frymëmarrje të re, Parku Rinia, Piramida dhe dy kullat binjake shumëkatëshe. Bulevardi Zogu i Parë dhe zgjatimi i tij drejt Paskuqanit që ka marrë emrin e bukur Bulevardi i Ri, është një tjetër mrekulli që e ndan Tiranën gati në dy pjesë të barabarta, siç ndan thika një mollë të artë. Rrugët e saj të gjera e plot dritë, si ajo e Durrësit dhe e Kavajës, Rruga e Barrikadave dhe Qemal Stafa, Rruga Fortuzi dhe ajo e Dibrës…,të cilat kohët e fundit janë të shoqëruara edhe nga korsitë e biçikletave, dalin nga qendra e Sheshit Skënderbej, si rreze që dalin nga qendra e një rrethi koncentrik. Akoma më të bukur e kanë bërë Tiranën rrugët dhe Komplekset e ndërtimeve që janë bërë në zonën e Komunës së Parisit. Nga një vend ku dikur shtriheshin konturet e një kooperative sot kjo zonë është kthyer në një mrekulli me komplekse të mëdha banimi e lulishte, me qendra të mëdha tregtare, arsimore, kulturore e sportive postmoderrniste. Trendi i projekteve të reja, tregojnë se Komuna e Parisit brenda vitit 2022 do të bëhet ndoshta zona më e bukur dhe më e lakmuar e kryeqytetit tonë. Ai që i dha frymëmarrje të re turizmit të Tiranës  është ndërtimi i teleferikut “Dajt- Ekspres”, i cili është quajtur si një nga teleferikët më të mëdhenj të Ballkanit. Ishte filantropi Muhamet Malaj që këtë mrekulli të ëndërruar që në vitin 1982, ta bënte realitet në vitin 2005. Një tjetër mrekulli e Tiranës është xhamia e Et’hem Beut, ndërtuar nga Mulla Beu, që në fillimet e shek. XVlll. Ajo ka qenë dhe do të mbetet jo vetëm një nga monumentet më të lashta kulturore të Tiranës, por dhe simbol i bashkëjetesës fetare në vendin tonë. Si pjesë e ansamblit të bukur arkitektonik të qendrës së Tiranës janë dhe Pallati i Kulturës(1959-63), tullat a para të së cilit i vendosi Hrushovi, Muzeu Historik Kombëtar(1981) i ndarë në disa pavione si Lashtësia, Mesjeta, Rilindja, Pavarësia, Ikonografia, Lufta Antifashiste, Gjenocidi Komunist, si dhe Teatri i Kukullave, Hotel Tirana, Kompleksi Toptani,Varri i Kapllan Beut dhe Kulla Shumëkatëshe që si duket sundon mbi të gjitha. Zinxhiri i mrekullive të lashta të Tiranës vazhdon me Kalanë e Tiranës,ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XVlll nga Sulejman e Ahmet Pashë Bargjini,e cila në vitin 1973 është shpallur monument kulture i kategorisë së parë. Një tjetër dëshmi e Tiranës së hershme është Ura e Tabakëve, ndërtuar mes shekujve XVll-XVlll, e cila dallohet për harqet e bukura dhe kalldrëmet e gurta. Aty ku dikur shtrihej Pazari i Vjetër, sot ndodhet Pazari i Ri i rikonstruktuar përsëri  në vitin 2017, si një atraksion tjetër i rrallë turistik për Tiranën. Krahas mjediseve e asortimenteve tradicionale janë ndërtuar dhe restorante moderne, në të cilat serviren jo vetëm gjellë e pije të traditës, por dhe fruta, perime, mjaltë, vaj ulliri dhe produkte të tjera karakteristike për Tiranën. Aty pranë rrugës “Naim Frashëri” ndodhet një vilë e hershme që daton në shekullin e dytë pas lindjes së Krishtit. Ajo që të tërheq vëmendjen në këtë vilë janë zbukurimet  e saj mjedisore, me motive e forma gjeometrike tipike të kohës, të cilat janë pagëzuar me emrin e rrallë “Mozaiku i Tiranës”. Buzë bulevardit të madh është ngritur memoriali “Post -Bllok”. Pjesë e këtij ansambli të rrallë ku harmonizohen bukur ndjesia e frikës me atë të argëtimit të ideuar nga Fatos Lubonja e Ardian Isufi, janë bërë “Bunkeri”, simbol i persekutimit të shqiptarëve dhe një copë nga “Muri i Berlinit”, i dhuruar nga bashkia e Berlinit. Vlera të papërsëritshme memoriale do të ruajnë për shqiptarët veçanërisht dy Bunk Artete. Bunk Arti 1, që i dedikohet ushtrisë shqiptare të sistemit diktatorial, ndërtuar në rrëzë të Dajtit në vitin 1978, të  impresionon me arkitekturën e çuditshme dhe objektet interesante, që të futin në botën e mistershme të atij sistemi të egër. Edhe më i çuditshëm është Bunk Arti 2, i cili ndodhet në qendër të Tiranëns pranë bashkisë. Ai i ngjan Pallatit të Ëndrrave që ka fiksuar kohën e dhimbshme të përndjekjes dhe persekutimit fizik e shpirtëror të shqiptarëve të dashuruar me lirinë. Një nga mjediset më të frikshme të këtij Bunk Arti është “Shtëpia e Gjetheve”. Vendi ku bëheshin kontrolle e përgjime, tortura e internime si dhe dënime të egra, deri ne vdekje, të njerëzve të pafajshëm. Mrekullia më e rrallë e Tiranës është Parku i Liqenit Artificial, ose siç quhet ndryshe “mushkëritë e Tiranës”. Kjo bukuri e rrallë e nisi udhëtimin e saj nga fundi i viteve ‘50 me punë vullnetare. Sot ajo është bërë një qendër e madhe shplodhëse, me një sipërfaqe të gjerë në mes të së cilës ndodhet një liqen prej  mbi 550 m katrore. Bukurinë dhe freskinë ia shtojnë jo vetëm Liqeni i Thatë, kurora e gjelbërt që rritet nga viti në vit, Kopshti Botanik e Zoologjik, por edhe mjedise të këndshme argëtuese e sportive si Amfiteatri Natyral, këndi i lojërave për fëmijë, qendra multisportive, pista e biçikletave etj.

Së fundi mund të themi se e gjithë Tirana është dhe do të mbetet një mrekulli e rrallë. Ajo në të ardhshmen do të bëhet edhe më e bukur, por nëse nuk do të “kafshohet” nga ndërtimet pa leje apo nga rrënimi i monumenteve, mrekullive dhe i vlerave të krijuara nga brezat, dhe mbi gjithçka nëse projektet për zhvillimin e saj do t’u shpëtojnë lojërave politike e luftës cinike për postet e para midis “kokorozëve” të ngujuar në llogoret diametralikisht të kundërta të politikës

Share This Article
6 Comments
  • Kur fillova te lexoj kete shkrim m’u duk se ishte bere per Parisin e jo per Tiranen!
    Superlativat e perdorura nga autori ishin aq te peshtira sikur donte te tallej me shprehjet e Rames dhe Veliajt per qendren e Tiranes,qe pa asnje nevoje kane gllaberuar 70 te buxhetit kombetar!
    Ne vitet e sundimit te Rama-Veliaj jane bere investime mashtruese reklamuese jo per t’i sherbyer qytetareve por pushtetit te tyre!
    Filozofia e investimeve te Veliajt ne bashkine e Tiranes ka qene sajimi i nje imazhi fallco e jo sherbimi ndaj qytetareve!
    Banoret e bashkise se Tiranes jane trajtuar te ndare ne menyre raciste ne disa kategori,kur duhet te trajtoheshin te gjithe te barabarte,pavaresisht nga fakti qe banojne afer apo larg zyres se Veliaj,qe banojne afer apo larg rrugeve kryesore qe i sherbejne imazhit te kryebashkiakut!
    Veliajt i ka munguar komplet percaktimi zyrtar i prioriteteve ne planifikimin e investimeve ku mbi te gjitha duhej te ishte vendimtar sasia dhe urgjenca e nevojave te zonave te banimit ne perpjestim te drejte me sasine dhe dendesine e popullsise per m/2!
    Dhe ne kete kompleks llogjik mbi te gjitha prioritet duhet t’i jepte investimit prioritar per cdo qender banimi,pa asnje dallim ne kohe dhe sasine e investimeve te elementeve baze jetik te jetes se perditeshme si shtrimi i te gjithe rrugeve per rreth pallateve,lulishtet,pemet,ndricimi rrugor,pastertia,cerdhet,kopshtet,kendet e lojrave,kendet sportive,lulishtet,bibliotekat,ambientet e argetimit te pensionisteve etj!
    Keto elemente duhet te ishin investuar ne te gjithe territorin e bashkise per te gjithe banoret njelloj dhe ne se do kishte halle e nevoja te tjera ato do te plotesoheshin pas tyre sipas gjendjes se buxhetit!
    Misur nga nje llogjike e tille,qe u vjen mbare interesave te banoreve te Tiranes eshte skandaloze qe Veliaj hodhi miliarda ne qender te Tiranes per reklame,kur ai shesh ishte pa probleme urgjente edhe per 25-30 vjet te tjera!
    Veliaj harron ose nuk do t’ia dije se mbi gjithcka duhet te investoje per femijet,pra te kene cerdhe,kopshte,kende lojrash,lulishte,biblioteka etj atje ku jetojne,ndersa tek liqeni artificial apo ne Farke e bulevasrdin e ri ku nuk banojne as 50 familje investimet jane bere per reklamen e imazhit te tyre!

    • Ekzakt.Qendrat me hapsira te medha,jan projekte te diktaturave.Fytyra e vertete e nje Qyteti jan periferite.

      • Mire e ke Zigur, gjynaf gjith ajo hapesire komuniste, ta marri Basha ne dore situaten, e ti fusi ndonje kjoske dmokratikes e lam nam, gjith ate ven ashtu?

  • Qënke i “madh” Protesta! po ma mbush mëndjen! ditke ti numurosh.Fshiu andej, mos dil më të mësosh dike pa le Veliajn,vogëlush!.

  • Ky nuk eshte shesh,Ky eshte kurizua i Tiranes.Pra munde ta quash dhe kurizua SKENDERBEG. Ambientet per rreth,bashke me monumentin po thuajse kane humbur nga hapsira e madhe.Gjelberimi ?…barishte te mbedhura andej kendej ,Por sheshi eshte bere per biznes ,,,,,,E CFARE SE ARQITEKTI PASKA QENE FRANCEZ:?

  • “Mbi etimologjinë e emrit “Tirano” historianët dhe specialistët, në periudha të ndryshme, janë ndeshur dhe disa zgjedhin për “inter amnes”, që është, midis lumenjve: në të vërtetë, vendi është i vendosur midis lumenjve Lana dhe Lumi i Tiranës.”
    https://it.wikipedia.org/wiki/Tirano

    Përkthimi dhe përshtatja janë bërë nga mua. Ndoshta duhet marrë parasysh edhe ky shpjegim për etimologjinë e Tiranës. Nga të dhënat e hartave të vjetra, Tirana si emërtim vendi, është më i vjetër se viti i ndërtimit të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *