Abrashi: Zgjodha Shqipërinë për karrierën time

redaktor

Trajneri i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, ka grumbulluar plot 71 futbollistë që kur mori detyrën e tij në korrik të vitit 2008. Nga ata, 63 i aktivizoi, kurse 33 ishin të ftuar për herë të parë. Për Amir Abrashin, lojtar që dikur ishte pjesë e U-18 dhe U-21 të Zvicrës, nuk erdhi ndonjë ftesë nga trajneri gjerman. Kur erdhën kontaktet nga Shqipëria për herë të parë, atij nisi t’i vinte ideja që të përfaqësonte Shqipërinë. Pak muaj më parë, 23-vjeçari pranoi ftesën nga Shqipëria. Ai ndoqi këtë rrugë me mendje e jo me zemër. Të dielën ai udhëtoi në Tiranë së bashku me kolegun e tij të skuadrës Shkëlzen Gashin dhe Emir Lenjanin e St. Gallenit, për të përfaqësuar Shqipërinë për ndeshjen eliminatore që zhvilloheet sot në Tiranë kundër Zvicrës. “Do të jetë pak komike që duhet të luaj kundër kolegëve të mi, të cilët çdo ditë i shoh në stërvitje dhe me të cilët së bashku ndjekim pikët në kampionat. I gëzohem përballjes. Ftesa nga Shqipëria nuk ishte aq e papritur, pasi më kanë ndjekur një kohë të gjatë. Trajneri De Biasi dhe ndihmësi i tij kanë udhëtuar në Zvicër, ku më kanë shpjeguar çdo gjë dhe më kanë lënë një përshtypje të mirë”, deklaroi Abrashi në një intervistë për uebfaqen “20min.ch”. “Unë jam më tepër zviceran sesa kosovar dhe do të luaja më me dëshirë për Zvicrën, por është dashur të mendoj për veten dhe për karrierën time. Unë jam 23-vjeçar dhe nuk kam dashur që 26 vjeç apo më shumë, të bëhem pjesë e përfaqësueses. Unë duhet të eci hap pas hapi dhe pas përfundimit të epokës në U-21 të Zvicrës më mungonte diçka”, ka treguar Abrashi. Abrashi mohon se ka pasur ndikim familja e tij që të vendoste për Shqipërinë. Ai ka falenderuar shtetin e Zvicrës për të gjitha që i ka bërë për të. Ai mezi e pret ndeshjen e sotme. Mesfushori kosovar beson ende në një kualifikim eventual të Shqipërisë me vendin e dytë, duke insistuar se kuqezinjtë kanë një skuadër fenomenale dhe se duhet ta japin maksimumin ndaj Helvetikëve. “Do të ishte fenomenale po të kualifikoheshin në Botëror, si Shqipëria, ashtu edhe Zvicra”, përfundon ai.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *