Letër Moikomit

Leda Hysa

I dashur  Moikom,

Kur lexoja librin tënd “Deti Kanibal” përnjëherë dhe pas tij “ Plagosja e Kujtesës” të shkrova,- që vargjet e tyre po i shijoja shumë,- nga pak çdo ditë, me gllënjka-vargje, njëlloj,- siç shijohet një verë e çmuar.

Ashtu siç i lexoj përherë vargjet e tua, dehem lehtë me to,- ndonëse bëj kujdes të mos lexoj njëherit më tepër,- se 20 – 30 syresh ( marrëzi bën njeriu shumë i dehur) – dhe ngjitem në të tjera lartësi të Ekzitencës,- në të tjera dimensione sipërane,- që Kozmosi yt Poetik krijon.

Por nuk po të shkruaj për to.

 

Nuk po të shkruaj për romanin e Julia Krisevës “Meurtre à Byzance » ,-që më sygjerove pikerisht  ti dhe vetem ti- ta lexoj,- pasi të ishte kujtuar,- kur lexove novelën time « Pa zemër në kraharor » dhe më shkrove:

 

U zhyta në leximin marramendës ,i zotëruar nga idea  e  udhëtimit a e  fluturimit në një shumësi labirintesh.

Mira  e dashur, nuk është tregim,por shpalosje,- më shumë një bërthamë romani ,-një Fantazmagori Spanjolle dhe e Botës Prekolumbiane,- një prerje rrathësh e realiteteve dhe mitologjive.

Teksti yt letrar është gjithashtu një Ekzotikë dhe Shqetësim Universal!

Dhe ditë më pas ,- kur po kuroheshe per Leucemine  në Greqi,- më dërgove tekstin:

MJEKË,MJEKË … PA ZEMËR NË KRAHËROR!

 

Teksti yt!

Të jesh “një trëandafil pa kopësht”.

Të pish mijra  dolli pilque-pijen e bardhë te actekëve!

Në vend të vrisnin Frida Kahlo-n vranë Trockin! Ah,kafka e madhe  prej sheqeri e Fuentes!!

Ah,guri mistik i  jadës!

Ah, QUETZALCOATL-I, Gjarpëri me  Pendë !

Të jesh rishtarja e Erosit te actekëve-duke mos qenë!

Teatër kukullash druri që bëhen fëmijë prej mishi dhe gjaku të Colodit të jashtëzakonshëm-sepse  Burotinoja është vëllai i vërtetë i Lizës në Botën e Cudirave.

 

 Gjatë qëndrimit në Greqi një ditë shkova në Eleusina,tek tempujt e riteve të Demetrës,të Persefonit, të Kores dhe të Teleforit, të Mistereve Eulisiane.

Aty ishte një shpellë,e mbiquajtur si e Plutonit,ku dikur kishte gjarpërinj të shenjtë si hyjni të nëntokës, ktonike-vëllezër virtualë te Gjarpërit me Pendë të actekëve.

 

Aty përjetova disa çaste plot dhimbje,mbase tëre amëshimin-sepse kjo shpellë konsiderohej si Porta e Hadit.”


        Nuk po të shkruaj  për Borges-in, mjeshtrin tonë, plakun dinak, që te “Shifra” thotë se ai po i lexon fjalët e mia, po i shpik ato.

Apo  te rikujtoj dhe komentet tona për vërtetësinë e këtyre fjalëve, ngase jetojmë në një të vetme botë;- as për “ Pierre Menard-in” e tij dhe përgjigjen time letrare ndaj hamendësimit të Borges-it për një Pierre Menard të Dytë,- kur thura tregimin “ Pierre Menard-i i Dytë”- me mendje te ti Moikom .

 

Sepse je ndër të paktët,ose i vetmi, që mund ta shijoje tregimin tim, pasi, mbi të gjitha, njihje “ në majë të gishtave” atë,- që pat shkruar Borges-i, dhe se ai tregim- të pëlqente përmbi gjithë të tjerët- e shkruar prej tij.

Sepse do ta shijoje si askush- sidomos palimsestin e Cervantes-it që imagjinova, ti që e ke palimsestin Specialitetin tënd.

 

Dhe më shkrove:

 

E dashur MM.

 

 Mos më thuaj se gërma e dyfishtë MM nuk lidhet me Menard-in e Borges-it.

 Për të zhvarrosur dhe ringjallur ato Troja!

 Sapo e lexova tregimin tënd në “Milosao”.

 Habitërisht më tingëlloi si Pierre Menard-i i Tretë.

Po Pierre Menard-i i Katërt?

Po i njëmijti?

 

Po Pierre Menard-i Zero?”

 

Nuk po të shkruaj për kartolinën ,-që Xhevo Spahiu të solli  ty nga Parisi- dhe që mbante në frëngjisht dy vargjet e tua,- foton e së cilës ma dërgove: ishte një mol i bardhë  ne qytetin Sette ,- te lindjes se Paul Valeryse,- përmbi të Kaltrën e detit,- me një Far në horizont.

Dhe vargjet e tua,- gdhendur me kripë të bardhë[- përmbi hapësirën e kaltër.

 

Të shkrova: “vargjet e tua mbajnë në krahë pluhur dritëhëne.”

 

As për librin tënd “ Eshtra Zodiaku”,- nuk po të shkruaj, ku ndodhet një poezi që ma ke kushtuar mua,- vargjet e të cilit kanë absolutisht atributin- të të nxjerrin nga çdo lloj gjendje e keqe ,-ku mund të ndodhesh- dhe të bëjnë të ndihesh mirë,- në një botë me ngjyra, -përtej këtij realitetit të pashije të çdo dite…

 

Nuk po të shkruaj për Ernesto Sabaton,- shkrimtarin e madh të botës,- shkrimtarin tonë më të madh të të gjitha kohërave,- shkrimtarin që,- ashtu si ne ka stërgjysh- Skënderbeun.

 

Më kujtohen shpesh bisedat e vyera simultaniste  me të- Sabaton ,- kur erdhi atë fundprill të viti i 1996 në Tiranë- për të marrë çmimin letrar- që i kishim përgatitur ne të gjithë,- me Fondacionin Velija në krye.

I kemi përmendur shpesh ne të dy  fjalët e tij, amanetin e së ëmës  arbëreshe, dëshirën përvëlonjëse të Princit të Letrave Argjenitinase,- për të mos ikur nga kjo botë pa parë malet e Shqipërisë…

 

Dhe përkrenarja e Skënderbeut në shkrimëtoren e Sabatos ne Santos Lugares, dhe Lulja  Supernatyraliste ,-që pikturoi përmbi një pecetë letre- dhe na i la si kujtim një muzg,- në Dhomën e Verërave të Restorantit  Piazza-s…

 

Nuk po të shkruaj as për Lukianin nga Samosata,- Rehtorin e shekullit të II, -i cili shfaqet në tregimin tim “Pasqyrat” për pasqyrën,- që mundi të këqyrte në Hënë.

 

Më shkrove se  Lukiani konsiderohej si “Volteri i Antikitetit”,- se e kishe përmendur shpesh në krijimet e tua dhe, pasi komentuam gjatë librin e tij,- që porsa kisha lexuar “ Histori të vërteta”, më dërgove tregimin tënd të gjatë dhe të mrekullueshëm mbi Aleksandrin e Rremë,- të frymëzuar  prej një subjekti të Lukianit nga Samosata.

 

Ishte koha kur kisha lexuar dy tregimet e tua,- po aq të pazakonta e magjike : “ Enigma e Napolit” dhe “ Andrea Manesi”.

 

Nuk dua të ndalem as te labirintet,- të gjitha labirintet,- që kemi zënë ngoje gjatë komenteve tona pa fund.

Veçanërisht labirinti i Drakulës në tregimin tim te “Flutura mes gjinjve”,- për të cilin më shkrove:

 

E dashur Mira,

Brenda Mirës është labirinti i dyfishtë, i paraardhësve dhe pasardhësve të tu- mijëra nga e Kaluara dhe miljona nga e Ardhmja.

Tregimi yt për labirintin më kujtoi metaforën e futjes në një Perpeetum Mobile te një Thriller-i.

 

Kam kaluar shumë netë në Budapest .

Dhe kam shkruar:

 “ …I mësova tërë Drakulat të jenë vegjetariane…”

 

Së fundi, nuk po të shkruaj as për Teutën e Ilirisë,- bisedat tona ndër vite për të,- dhe as për Misterin, vagullinë, mjergullën e dendur që mbulon vdekjen e saj,- ku hodha spirancën e lëndës,- që ngjizi kozmosin  e nderlikuar, nebular, inkandeshent  e  “ Mallkimi i Priftëreshave të Ilirisë”; -pikërisht në një vargun tënd intim,- enigmatik,- që hamendsonte vetvrasjen e saj,- kthimin e Saj  në re…

 

Shpirti hyjnor Teutës, -i çliruar nga Njerëzorja,- Prijësi Shpirt  i Ilirisë- dhe i  Kohërave të Pafundme.

Po të shkruaj në të vërtet për PSALMET.

 

Jo ato të Davidit, Psalmet e Tua,- liturgjinë tënde poetike,këngët e Biblës së Shpirtit tënd.

Janë të magjishme.

Janë të jashtëzakonshme.

I lexoj dhe i rilexoj duke mbajtur frymën,- duke i dëgjuar herë në hebraishten parake të ëndrrës,- herë me muzikën e një instrumenti të lashtë me korda,- që Kohërat Moderne ia kanë fshirë emrin.

Më mbrojnë, më lartësojnë, më rrëfejnë udhën  sipërane…

PSALMI YT  153.:

 

“ O, Fjalë e vërtitshme mes hapësirave,

 që je Trandafil i Erërave!

 

Pse mermeri i skalit heronjtë e vrarë mes baltës?

 

Ah, përfytyrimet janë kafshët,

 që poeti i pjell në kopështin zoologjik të metaforave!

 

Gjaku ikën si zvarranik i lashtë,

i kuq në shkretëtirën blu!

 

Dhe dëbora na mbështjell

si qëndisje baroke dantellash

bërë nga gishtat e magjishëm të ajrit!

 

O, gramatika memece e pasqyrave!

 

Pse fytyrën e Arkilokut e kam maskë

dhe kam gjithashtu mbi supe

 një pelerinë anemonash dhe kristalesh?

 

O, drita të pagjumësisë hyjnore!

Këta semaforë janë piktura dadaiste,

ose janë epikriza e sëmundjeve të mia

 për mjekët e kozmosit!

 

Dhe qivuri prej Hëne e ka mbyllur brenda qytetin.

 

Me lopata gjethesh

e hedh dheun e dritës mbi varrin e imazhit tim!

 

Mes sendeve të pavdekshme

 pse isha (jam) kaq i vdekshëm?

 

I dashur Moikom,

ky është një Sistem i Ri planetar i Shkrimësisë, me figura letrare të pangjashme me asnjë figurë letrare të njohur më parë.

I quajnë si krahasime, metafora, metonimi..

. Por në të vërtetë janë diçka tjetër, Diçka e Tjetërllojtë, e fuqishme si gjaku, e prushtë si ndjenja.

Sistemi yt!

Janë figura gjeniale,- pse janë të pamundura,- nuk ekzistojnë as në realitetin e Jashtëëndrrës,- as në Imagjinatën njerëzore,- por kur i dëgjon në gjuhën e shenjtë aramaike,- apo shqipe,- Imagjinata vetë,- prej Magjepsjes,- pjell një Imagjinatë të përshtashme- për t’i asimiluar dhe shijuar.

Dhe atëherë ndjesitë njerëzore,- i kapërcejnë kufijtë që njohim,- dhe krijojnë ekstaza ndjesish,- të ngjashme me ato të perëndive…

 

 

Share This Article
3 Comments
  • Kush is shkruan Mokiomit s’merret vesh!!!!
    Eshte mjaft e bezdisshme kur nuk shkruhet qarte autori i shkrimeve si ne kete rast

  • M.Z. hoqi brinjen dhe krijoi M.M.
    Ky AKT BIBLIK do te shenonte lindjen e produktit OMGJ ne letrat shqipe,ashtu si trangujt e Lushnjes dhe shalqiri Divjakes.
    Kane kaluar 40 vjet qe atehere,por tani prodhimi me hormone ka marre dhene.
    Ashtu si Organizata per mbrojtjen e konsumatorit,duhet krijuar edhe nje organizate per mbrojtjen e LEXUESIT.

  • I nderuar Kozi,
    I nderuar Demo,
    ju jeni kritika e letrave që mungon në atë vend dhe për këtë ju falenderoj. Ka shumë njerëz që mendojnë si unë, për këtë jam e bindur, por unë ashtu si ju,
    mora mundimin ta shpreh. Vendin e nderuar në letërsi, si në çdo fushë tjetër, nuk ta jep njohja klanore. Brënda klanit
    mund të jesh i famshëm sepse ashtu funksionon Shqipëria. Edhe njëherë pfaleminderit.

    Margarita Syziu
    Toronto

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *