Gara për universitetin, mesatarja që kërkohet për të gjitha degët

Leda Hysa

Në garë për studimet universitare përgjatë vitit të ri akademik 2019-2020 kanë të drejtë të hyjnë vetëm maturantët dhe kandidatët e viteve të mëparshme që kanë mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 6.5 e në vijim. Në degët e mësuesisë, mesatarja e hyrjes në konkurim nis nga nota 7.5, ndërsa për degët e mjekësisë mund të garojnë vetëm maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 8. Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar. Ndryshe nga një vit më parë, Qeveria ka vendosur që për garën e pranimeve të këtij viti të rrisë mesataren e pranimeve, çka pritet të shoqërohet edhe me rritjen e cilësisë në universitete.

Vendimi për mesataren

Sipas vendimit të marrë së fundmi nga Këshilli i Ministrave, i cili është zbardhur ditën e djeshme në Fletoren Zyrtare, saktësohet se: “Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, nota mesatare për pranimin në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin e ri akademik do të jetë nota 6.5”. Përjashtim në këtë rast do të përbëjnë degët e profilit të mjekësisë ku mund të garojnë maturantët me mesatare mbi notën 8, si dhe degët e mësuesisë ku kanë të drejtë të konkurojnë vetëm kandidatët që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi 7.5. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar listën e programeve të mësuesisë, për të cilat mund të konkurrohet përgjatë këtij viti, si në institucionet publike të arsimit të lartë, ashtu edhe në ato private. Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e dy treguesve, që janë: mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.

Mesatarja e kërkuar për degët e mjekësisë

Mesatarja e kërkuar është një ndër kushtet bazë që çdo kandidat duhet të përmbushë për të hyrë në garë për studimet e larta në një nga degët e fakulteteve që janë pjesë e Universitetit të Mjekësisë. Mesatarja që kërkohet për konkurim ndryshon sipas programeve. Konkretisht, Senati Akademik i këtij Universiteti ka vendosur se kandidatët që aplikojnë për degët e mjekësisë duhet të kenë mesatare minimale si në vijim: Për degët Mjekësi e përgjithshme, Farmaci, Stomatologji, do të garojnë vetëm maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 8.5 e lart. Për degën Shëndet Publik mund të garojnë kandidatët me mesatare mbi notën 8. Ndërsa për degët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike mund të garojnë kandidatët me mesatare të gjimnazit mbi 7.5. Gjithashtu për degët Teknikë dentare, si dhe Higjienist dentar mund të garojnë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 7 e lart. Nota mesatare minimale edhe në këtë rast përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollës së mesme, si dhe nga mesatarja e thjeshtë e notave të provimeve të maturës shtetërore.

Mesatarja që duhet për transferimin e studimeve

Vendimi saktëson edhe mesataren që do të merret në konsideratë për kandidatët të cilët do të vendosin që të transferojnë studimet në vitet e ndërmjetme. Për këtë kategori studentësh bëhet e ditur se: “Në rastet e transferimit të studimeve nga brenda apo jashtë vendit, në vitet e ndërmjetme të programeve të studimit, brenda të njëjtit cikël, studentët duhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave të vitit akademik që studenti është pranuar në institucionin e arsimit të lartë, duke filluar nga viti akademik 20162017dhe në vijim”. Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, si dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë të kryhen në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, sipas përcaktimeve të bëra publike më sipër. Në rastet kur nuk aplikohen provimet e Maturës Shtetërore, komisioni përkatës përcakton mënyrën e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës dërgon të dhënat tek institucioni arsimor vendor përkatës, përgjegjës për arsimin parauniversitar. Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe dërgimin e këtyre të dhënave në Qendrën e Shërbimeve Arsimore.

Datat e provimeve të 2019-s

Provimet e maturës së këtij viti nisin në datën 7 qershor me testimin e parë të detyruar që do të zhvillohet në lëndën e gjuhës së huaj. Testi i gjuhës së huaj hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Teza e provimit do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm përkatës. Provimet e detyruara do të vijojnë më tej me lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë përkatësisht në datën 12 qershor, për të përfunduar në datën 17 qershor me testin e lëndës së matematikës. Ndërsa prova e fundit që duhet të kalojnë maturantët është provimi me zgjedhje i cili do të zhvillohet në datën 24 qershor.

Provimet e detyruara dhe me zgjedhje

  • Maturantët e këtij viti, si dhe ata të viteve të shkuara mund të hyjnë në provime, vetëm nëse kanë plotësuar në afatet e përcaktuara formularin A1 dhe A1Z. Lëndët e provimeve për shkollat e arsimit të mesëm të lartë janë: 3 provime të detyruara, përkatësisht në lëndët gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje nga lista e 11 lëndëve të miratuara për shkollat e mesme të përgjithshme dhe ato artistike, teksa është detajuar edhe lista e lëndëve të provimit me zgjedhje për shkollat e mesme profesionale.
  • Edhe për provimet e 2019-s, mbetet në fuqi rregulli për pragun kalues. Në këto kushte, për të qenë kalues, si në provimet e detyruara, ashtu edhe në atë me zgjedhje, maturanti apo kandidati i viteve të shkuara, duhet të marrë detyrimisht 20 për qind të pikëve totale me të cilat vlerësohet testi.
  • Përzgjedhja e testeve përfundimtare të provimeve të maturës sërish do të bëhet përmes teknologjisë digjitale. Sipas kushteve të përcaktuara, provimet e detyruara dhe provimi me zgjedhje do të fillojnë në orën 10:00. Për plotësimin e testeve maturantët do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta.
  • Testet e provimeve të detyruara dhe atij me zgjedhje do të administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit. Një tjetër ndryshim që do të pasojë maturën e 2019 është edhe skema e vlerësimit me pikë të secilit provim. Dikasteri i Arsimit ka përcaktuar se testi i secilit provim, qoftë ky i detyruar, apo me zgjedhje do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë.
  • Sipas rregullores së miratuar më herët nga MASR, maturanti apo kandidati i viteve të shkuara përjashtohet nga provimi kur konstatohet se: “Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit”.
  • Po sipas rregullores, maturantit nuk i njihet rezultati nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga KOPOTED, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.

Mesatarja e kërkuar për të gjitha degët e mësuesisë

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *