Për të qenë pjesë e garës për studimet e larta (në strukturat universitare publike dhe private), në degën e preferuar, maturantët dhe kandidatët e viteve të mëparshme duhet të kryejnë procesin e aplikimit online në portalin “U-albania” sipas afateve që do të përcaktohen nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit. Edhe për 2019-n, gara për universitetin do të zhvillohet me tre raunde pranimi, duke u dhënë mundësi kështu të gjithë maturantëve për të konkurruar për studimet e larta.
Ndonëse nuk ka përcaktuar datat konkrete të aplikimit për secilin raund, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka firmosur tashmë udhëzimin përkatës me rregullat dhe procedurat e shpalljes dhe regjistrimit të fituesve të rinj në universitete për pranimet e 2019-s.
Sipas vendimit të marrë, aplikimi në të tre raundet do të zhvillohet me përzgjedhje të re preferencash, ndërkohë që afatet e regjistrimit të fituesve do të jenë të ndryshme për secilin raund. Hedhja e rezultateve lëndore të të gjitha viteve të arsimit të mesëm të lartë për maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë plotësuar online formularin A1 dhe A1Z do të bëhet nga drejtoritë e institucioneve arsimore në portalin e maturantit www.rezultateam.al.
Përzgjedhja e programeve të ciklit të parë të studimeve të programeve të studimeve me karakter profesional, si dhe programeve të integruara të ciklit të dytë të ofruara nga institucionet e arsimit të lartë qofshin këto publike apo private do të bëhet në portalin e aplikimit universitar “U-Albania” www.ualbania.al .
Kushtet e aplikimit në raundin e parë
Në udhëzim saktësohet se të drejtën për të konkuruar për studimet e larta gjatë raundit të parë të pranimeve për këtë vit kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses studimet e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë këto katër kushte:
“Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurojnë, si dhe nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi, duke përjashtuar këtu nxënësit dhe studentët e shkëlqyer”.
Tarifa për plotësimin e formularit të preferencave
Përpara aplikimit në portalin online të përcaktuar, secili kandidat duhet të kryejë pagesën e tarifës së zgjedhjes së preferencave, e cila nuk ka pësuar ndryshime krahasuar me tarifat e zbatuara gjatë viteve të shkuara. Sipas udhëzimit të MASR, kostoja e konkurimit që duhet të shlyejnë maturantët për plotësimin e formularit të preferencave për 2019-n do vijojë të jetë 2000 lekë.
Do të jetë Qendra e Shërbimeve të Arsimit, institucioni që do të miratojë dhe përcaktojë datat se kur duhet të bëhet derdhja e kësaj pagese në bankat e nivelit të dytë, ose Postës Shqiptare, për të vijuar më pas me plotësimin e formularit të 10 preferencave.
Kandidatët të cilët do të aplikojnë për vijimin e studimeve të 2-vjeçare profesionale nuk kanë asnjë lloj detyrimi për plotësim të kriterit të mesatares së kërkuar nga qeveria. Kjo kategori maturantësh mund të aplikojë lirisht në sistemin e preferencave.
Edhe për këtë vit maturantët do të garojnë me dhjetë preferenca studimi të përzgjedhura nga lista e programeve të shpallura nga secili universitet publik apo privat në vend. Ekspertët e dikasterit të Arsimit bëjnë me dije se portali online në asnjë rast nuk do të pranojë aplikime të kandidatëve të cilët nuk plotësojnë kriterin e notës mesatare të kërkuar nga qeveria.
Strukturat universitare që do të zhvillojnë konkurse pranimi do të shkarkojnë nga portali “U-albania” listën e aplikantëve që konkurojnë për programet përkatëse të studimit sipas kalendarit të miratuar me urdhër të titullarëve të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.
Përllogaritja e pikëve për garuesit e 2019-s
Pas hedhjes së të gjitha të dhënave në sistemin online nga institucionet përgjegjëse sa i takon rezultateve të shkollës së mesme të maturantit, provimeve të maturës, të dhënave identifikuese, si dhe preferencave, të gjitha universitetet, duke përfshirë edhe ato që do të zhvillojnë konkurse pranimi pas kryerjes së përllogaritjes së pikëve për çdo konkurent sipas kritereve të përcaktuara, si dhe renditjes së tyre në bazë të pikëve të grumbulluara do të afishojnë në mjediset publike, si dhe në faqet e tyre zyrtare listat e renditjes së fituesve sipas numrit të kuotave të miratuara për secilin program studimi. Pas fituesit të fundit do të vendoset vija e kuqe, në varësi të kuotave të ofruara për programin përkatës.
Procedurat e regjistrimi të fituesve
Procedura e regjistrimit të fituesve të këtij raundi do të zhvillohet në 7 faza 48-orëshe.
Çka do të thotë se vija e fituesve do të spostohet me përfshirjen e fituesve të rinj për çdo fazë 48-orëshe të mbylljes së regjistrimeve. Kështu çdo aplikant fitues duhet të paraqitet pranë institucionit të arsimit të lartë ku është shpallur fitues për të bërë regjistrimin si student brenda 48-orëve. Në të kundërt e humbet degën e studimeve që ka fituar.
Gjatë ditëve në vijim MASR do të shpallë edhe udhëzuesin teknik se si do të ndiqet ecuria e shpalljes së listave të fituesve për secilën fazë të regjistrimeve.
Për programet e studimit me kuota të paplotësuara, të cilat nuk kanë më aplikantë në pritje, do të rikthehen në garë aplikantët e shpallur fitues gjatë fazave të mëparshme, të cilët nuk rezultojnë të jenë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi. Rikthimi në garë kryhet sipas listës së renditjes së aplikantëve të bërë në raundin e parë.
Procedurat e çregjistrimit për ndryshimin e degës
Aplikanti pasi ka bërë regjistrimin me dokumentacion dhe ka nënshkruar në regjistër, ka të drejtë që të regjistrohet në datat e përcaktuara për të vijuar sërish aplikimin në raundin e dytë. Për këtë ai duhet të paraqesë një kërkesë për çrregjistrim pranë sekretarisë mësimore të fakultetit ku dhe është regjistruar, duke tërhequr dokumentet e dorëzuara. Nëse nuk e kryen këtë proces brenda aftit të vendosur, ky kandidat nuk ka më të drejtë që të ndryshojë degën e studimit për vitin e ri akademik.
Ankimi i listave
Gjithashtu maturantët kanë të drejtë që po në afatet e përcaktuara të ankimojnë listat e shpallura nga universitetet. Pavarësisht paraqitjes së ankesave, nëse janë shpallur fitues në një, ose disa programe studimi, do të vijojnë me procedurat e regjistrimit. Nëse ankesa e tyre është pranuar ata duhet të çregjistrohen nga program i studimit dhe të regjistrohen në programin tjetër ku ankesa e tyre ka rezultuar e drejtë. Kjo procedurë duhet të kryhet sipas datave të përcaktuara. Ndërsa në rastet kur nuk ka më kuota të lira dhe ankesa e tij pranohet, universiteti duhet të kërkojë nga MASR kërkesën për rialokim kuotash. Sipas kushteve të përcaktuara në udhëzim, aplikantët fitues duhet të regjistrohen vetëm në një program studimi me përjashtim të nxënësve dhe studentëve të shkëlqyer.
Gara për raundin e dytë të pranimeve
Në të njëjtën formë do të veprohet edhe për aplikimet e raundit të dytë. Kështu, maturantët dhe kandidatët që nuk arritën të siguronin dot një të drejtë studimi përgjatë raundit të parë do mund të përfshihen sërish në garë duke përzgjedhur dhjetë preferenca të reja. Në raundin e dytë mund të aplikojnë të gjithë kandidatët që nuk fituan dot në raundin e parë, ata që kanë kryer procesin e aplikimit online të raundit të parë dhe nuk janë shpallur fitues, ata që kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk kanë arritur të regjistrohen, si dhe kandidatët që janë çregjistruar në përfundim të raundit të parë me qëllim ndryshimin e degës së studimit duke hyrë sërish në garë me dhjetë preferenca të reja. Procedura e aplikimit do të jetë e njëjtë si ajo e raundit të parë. Vetëm maturantët që aplikojnë për herë të parë në këtë raund të dytë do të shlyejnë tarifën prej 2, 000 lekësh për plotësimin e formularit të preferencave. Ndërsa kandidatët që kanë aplikuar në raundin e parë nuk do të shlyejnë më tarifë aplikimi. Ndryshe nga raundi i parë, fituesit e raundit të dytë do të regjistrohen në 5 faza 48-orëshe. Procedura e regjistrimit do të jetë po e njëjta. Edhe në këtë raund kandidati që nuk është i kënaqur me degën ku është shpallur fitues mund të bëjë çregjistrimin për të hyrë sërish në garë përgjatë aplikimeve të raundit të tretë.
Gara për raundin e tretë
Nëse do të ketë sërish kuota të paplotësuara do të zhvillohet edhe një raund i tretë pranimesh. Edhe në këtë rast maturantëve dhe kandidatëve të viteve të shkuara do t’u duhet të përzgjedhin sërish dhjetë preferenca të reja studimi, sipas programeve që kanë kuota të paplotësuara. Tarifën në këtë raund e paguajnë vetëm kandidatët që aplikojnë për herë të parë. Shpallja e fituesve do të bëhet në të njëjtën formë. Ndërsa regjistrimi i fituesve të raundit të tretë do të zhvillohet në tre faza 48-orëshe, sipas procedurave të detajuara edhe për dy raundet e mëparshme.
Mesatarja që duhet për të konkurruar
- Në garë për studimet universitare përgjatë vitit të ri akademik 2019-2020 kanë të drejtë të hyjnë vetëm maturantët dhe kandidatët e viteve të mëparshme që kanë mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 6.5 e në vijim.
- Në degët e mësuesisë, mesatarja e hyrjes në konkurim nis nga nota 7.5.
- Ndërsa për degët e mjekësisë mund të garojnë vetëm maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 8.
- Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar.
- Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e dy treguesve, që janë: mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.
Për regjistrim si fitues kërkohet ky dokumentacion :
- Dokument identifikimi (pasaportë ose kartë identiteti). Në dosje mbahet vetëm fotokopja.
- Fotokopja e noterizuar e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave.
- Deklaratën që duhet ta printoni dhe plotësoni te sekretaritë e degës së studimit ku do të regjistroheni.
- Pas deklaratës së shkruar bëhet regjistrimi menjëherë në portalin U-Albania dhe firmoset nga sekretarja dhe aplikanti në dy fotokopje formulari i printuar nga sistemi, një prej të cilave i jepet aplikantit.
- Nëse nuk regjistroheni brenda afateve humbisni të drejtën e aplikimit në raundin e parë dhe keni të drejtë të aplikoni në raundin e dytë, ose të tretë.
p.k/dita
