“Don Bosko” shkollë e re, Veliaj: Në zgjedhje jemi në garën me veten

Bora Basholli

Në zonën e “Don Boskos” ka nisur puna për ndërtimin e një shkolle të re, me kopësht të integruar. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini dhe deputeti i PS, Ulsi Manja inspektuan fillimin e punimeve për godinën e re arsimore, e cila është pjesë e programit për ndërtimin e 17 shkollave të reja në Tiranë.

 “Kjo është një ditë fantastike për gjithë zonën e “Don Boskos”, e cila në fakt ndahet midis dy njësive, Njësisë 11, që është zona e Laprakës, dhe Njësisë 9. Janë disa investime që përshkojnë këtë njësi, duke filluar nga Bulevardi i Ri deri tek disa projekte të vogla, por që kanë një rëndësi të jashtëzakonshme, siç janë shkollat. Bashkë me miken time Besën, sot inspektuam çeljen e kantierit të shkollës “Kristo Frashëri”, shkolla e re në ‘Don Bosko’”, tha Veliaj.

 Falë këtyre investimeve, nxënësit e zonës së Treshit, Bregut të Lumit, Kodër-Kamza dhe zona e Spitalit Ushtarak nuk do të humbasin më kohë për të shkuar në shkollë. Gjithashtu, merr fund edhe mësimi me dy turne, duke rritur në mënyrë cilësore edhe arsimin. 

“Poli i parë ishte tek Universiteti Bujqësor, ku filloi shkolla “Nënë Tereza”; poli i dytë është ky ku jemi sot, me shkollën “Kristo Frashëri”; poli i tretë është tek rrethrrotullimi“Shqiponja”, ish Reparti Ushtarak, ku do të fillojë edhe një shkollë tjetër; poli i katërt do të vazhdojë në zonën e Astirit, ku kryqëzohet me Lanën. Merr fund kështu një pjesë e madhe e stresit të familjeve, të cilat bëjnë tranzit nga një orë për të vajtur në shkollë e një orë tjetër për t’u kthyer, plus kostoja financiare dhe koha e humbur, por mbi të gjitha, shpëton i gjithë qyteti nga ankthi 20 e kusur vjeçar i mësimit me dy turne”, tha ai.

Veliaj deklaroi se zgjedhjet e 30 qershorit janë një referendum për mënyrën se si do vijojë Tirana.

“E kuptoj që detyra kryesore e deputetit është të përfaqësojë në Parlament, ama në përballje me qytetarët, pjesa më e madhe e problematikës janë shkollat, kopshti, çerdhja, uji, dritat, ndaj jam i lumtur që për Laprakën, për Njësinë 11, po punojmë në shumë fronte. Në 30 qershor e kemi garën me veten. Pra, kemi garë që së pari, të japim llogari çfarë punësh bëmë, dhe në datë 30 qershor t’ju kërkojmë njerëzve se duam t’i vazhdojmë këto shkolla, këto kopshte, këto çerdhe, duam të vazhdojmë me ujësjellësin, duam ta zgjerojmë Bovillën, duam të vazhdojmë të mbjellim pemë, duam të vazhdojmë që Bregu i Lumit të jetë një zonë e mirë”, tha Veliaj.

 

b.b/dita

Share This Article
2 Comments
  • Bo bo sa hall i madh te jesh ne gare me veten po me ke je ne gare me ndergjegjen qe te thot mos genje Me Erion se e bere boze, apo me egon qe te thot vidh sa ke mundesi se do hash fiq si dikure, po nuk vodhe tani sa i ke gjerat ne dor me firmos per leje e per tendera.

  • Po turp nuk keni qe do garoni me veten? Po ja garuat, si do qwverisni m pas? Apo do boshatisni Shqiperinw?
    Shkoni mor legena
    I late tw.lirw vrasesit tani na shisni pordhe

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *