Guxo të ëndërrosh

redaktor

Nga Edona Llukaçaj

Me moton “guxo të ëndërrosh”, edicioni i gjashtëdhjetë e katërt i Eurovizionit e shpalli fituesin e vet natën që lidhte të shtunën me të djelën në Tel Aviv, teksa mendohet të jetë ndjekur nga rreth 200 milion shikues.

Kompeticioni i këngës, që pati filluar të organizohej pas Luftës së Dytë botërore nga shtetet europiane si një mënyrë për t’u afruar me njëri tjetrin, këtë vit u fitua nga hollandezi Duncan Laurence. l konsideruar si një nga pretendentët kryesor për titullin, fitorja e këngëtarit të baladës “Arcade” kënduar në piano na kujtoi se në fund të fundit Eurovizioni mbetet një garë muzikore, ku parësore është kënga dhe elementet e saj. Dhe ndonëse si çdo ngjarje artistike sa pasqyron aq edhe i jep formë zhvillimeve politike e sociale të kohës së vet, votat e jurisë dhe të publikut u bashkuan për të vlerësuar muzikën.

Eurovizioni, që i ka hapur krahët e vet të përqafojë shtete përtej kontinentin të vjetër, ka disa vite qëështë kthyer në skenën më jodiskriminuese të botës, ku anëtarw të grupeve të margjinalizuara,që nga femrat e shtypura te njerëzit me ngjyrë, që nga LGBT tek obezët e bulizuar,kanë gjetur mundësi të manifestojnë diversitetin e vet.

As skena e Tel Avivit nuk ishte përjashtim; ajo mirëpriti dhe i dha mundësinë të shprehen dhe të bëjnë thirrje për pranim përfaqësuesve të këtyre grupeve, si Bilal Hassani, androgjeni 19 vjeçar me origjinë afrikano veriore që përfaqësoi Francën; fituesja e edicionit të vjetshëm, izraelitja mbipeshë e hitit “Lodër” (Toy) që përshendeti sërish furishëm;s i fenomeni i muzikës, suedezi me ngjyrë John Ludwik; apo edhe si Tamara Todevska që me zërin e saj dhe thirrjen feministe “Krenare” (Proud) skaliti emrin e ri të fqinjëve tanë të Maqedonisë së Veriut në kujtesën botërore.

Në një skenë ku performanca nuk mungoi, Shqipëria jonë nuk zhgënjeu. Ashtu si shumicën e rasteve që nga viti 2004, kur Shqipëria u bë pjesë e Eurovizionit, ne u përfaqësuam  nga një këngëtare femër me zë shumë të bukur, që e veshur me një kostum të inspiruar nga veshja popullore e një krahine ose nga flamuri, këndoi një këngë me elemente muzikore të huazuar nga një krahinë tjetër.

Ndërsa për performancën skenike falenderuam Zotin që nuk ishte ‘pasuruar’ me ndonjë ‘tip jeshil’, që nuk i dhamë dot kuptim në vite. Ashtu si çdo vit (me ndonjë përjashtim), me këngë, qamë hallin e largimit nga toka jonë dhe i shprehëm mallin botës që aspiron kozmopolitanizmin.

Duhet theksuar se me shumë finesë shprehëm solidarizimin tonë për të drejtat e grupeve të diskriminuara nepërmes fustanint që përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovizion veshi në tapetin portokalli. Që në fillim të javës nuk nguruam t’i kujtojmë miqve e shokëve përtej kufijve të na votonin, dhe na erdhi pak keq kur ata, si duket ngaqë ishte një garë muzikore, nuk e bënë këtë mjaftueshëm mirë.

Por edhe këtë vit ne ishim mes fatlumëve që guxuan të ëndërrojnë hapur, si motoja e festivalit, që me sa duket, gjithpërfshirjen e kishte të limituar. Spektakli izraelit, mbresëlënës siç ishte, u zhvillua nën hijen e guximit palestinez për të ëndërruar. Muret e sigurisë së tejskajshme për zhvillimin e spektaklit larg konflikteve u kapërcyen nga e vërteta e madhe.

Jo vetëm protestat vendase apo sulmi kibernetik në fillimin e natës gjysmëfinale që iu adresua Hamasit, por edhe dy balerinët që me flamujt e Izraelit dhe Palestinës në shpinë që u kapën përdore në performancën 1 milion dollarëshe të Madonës, dhe mbi të gjitha pamja e akullt (si emri i vendit të tyre) e grupit që përfaqësonte Islandën kur ngritën flamurin palestinez dhanë qartë mesazhin se guximi për të ëndërruar fundin e diskriminimit për ata që Bilali, Johni apo Tamara ngrenë zërin nuk mund të heshtë diskriminimin e fëmijës anonim palestinez me gishta lart.

***

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *