TIRANË – Një numër studimesh shkencore të botuara në sinkron nga personazhe të njohur të politikës shqiptare, kanë hedhur dritë mbi aktivitetet me të cilat merreshin kolegët e tyre të sotëm dhe të djeshëm para se të hynin, ose t’i fusnin, në politikë.
Librat dhe broshurat kanë ngjallur interes të madh shkencor, pohojnë burimet për Gojët e Liga, pasi kanë ekspozuar për publikun informacione më parë të panjohura, ose të rezervuara e në disa raste, të vulosura nën siglën Top Secret.
Kështu, veprat e Bamir Topit, Bujar Nishanit, Pandeli Majkos, Edi Palokës, Mimi Kodhelit, Aldo Bumçit, Vasil Bollanos, pohojnë përmes dokumentesh se Nard Ndoka në jetën e mëparshme ka punuar si shofer pajtoni, Vangjel Dule si komodinë me kohë të pjesshme ku kryepeshkopi vendoste gojën e ujit dhe ilaçet, Gent Strazimiri si aktor zëri në radiodramatizimet për pionerë të Radio Tiranës, Sali Berisha si rrobaqepës në spital, ku u ridimensiononte pantallonat e gjera pacientëve revizionistë etj.
Me interes të veçantë u komentuan dy profesionet e hershme të Edi Ramës, që rezulton se hidhte cikla boje me spërkatje në kanavacë dhe e quante pikturë, dhe pasdite hidhte me furi topa në një tabelë katrore duke tentuar më kot t’i afrohej koshi të rrumbullakët me rrjetë anash.
Nga ana tjetër, surprizë ishte zanati i Kastriot Islamit si ekspert i fuzionit të ngrirë në Institutin e Fizikës Bërthamore, në një epokë të rrezikshme të ndërrimit të sistemeve kur ky Institut rrethohej nga farangrënës profesionistë luledielli dhe mjedisi ishte mbushur me bërthama kajsie dhe fara kungulli.
Ndërkaq, monografitë e Fatmir Mediut, Albana Vokshit, Elisa Spiropalit, Spartak Brahos, Tritan Shehut, Nard Ndokës, Fatos Nanos, hedhin dritë mbi angazhimet e Ridvan Bodes si lider lokal i Vullnetarëve të Enverit, Fatmir Velajt si ndihmës/asistent/zëvendës elektriçist, JozefinaTopallit si punonjëse e paradhomës së tregtisë në filialin e Dogjit të Venedikut në Shkodër etj.
Nga kryqëzimi i të dhënave, u krijua një paqartësi mes identitetit të Bujar Mehmetit si mbajtës me turne i bustit të Enver Hoxhës, dhe Bujar Nishanit si kryepompist në një pikë karburanti, por me short u vendos që në play-off të shkonte Nishan Mehmeti, zv.kapter i parë.
Ndërkaq, simpati të madhe mori zanati i parë i Lulzim Bashës në rini, si kamarier dhe vendosës mikrofonash në kafenenë e aeroportit të Rinasit në moshën 17 vjeçare, dhe më pas përkthyes personal i Pandeli Majkos.
Në këtë epidemi ekspozimesh të miqve, ish shokëve, rivalëve e kolegëve, studiuesit vunë re në morinë e studimeve, autobiografive, monografive, mungesën e çuditshme të përmendjes së Dash Shehit.
Sipas historianit Pasmal Kilo, gjasat janë që figura e Dashit të mos ketë ngjallur interes pasi arkivat tregojnë se trajektorja shumëvjeçare e binomit qofte-raki që ka shoqëruar itinerarin politik të Shehit, ka qenë tejet e stabilizuar dhe pa asnjë luhatje.
SHËNIM: Gojët e Liga është një rubrikë satirike që promovon zanatet e lira


Keni harruar servet pllumin qe punonte bollshevik me tre turne