Trajneri Hodgson beson se skuadra e tij do të marrë fitoren kundër Polonisë dhe biletën për finalet e botërorit
Anglia qëndroi në krye të Grupit F pas fitores 4-1 kundër Malit të Zi në “Wembley”, por i duhet të fitojë patjetër edhe të martën me Poloninë për të siguruar kualifikimin në botëror. Skuadra e Roi Hodgson nuk ka alternativë tjetër, pasi Ukraina, e cila e ndjek me një pikë më pak, luan kundër San Marinos dhe fitoren e ka të sigurt. Hodgson thotë se futbollistët e tij kanë bërë vetëm gjysmën e punës, ndaj u duhet edhe një përpjekje tjetër. “Është bërë vetëm gjysma e punës, nëse dëshirojmë të kualifikohemi direkt duhet të marrim maksimumin e pikëve edhe ndaj Polonisë. Por ju siguroj që nuk do të jetë e lehtë. E kam ndjekur Poloninë në humbjen Ukrainën, ku luajtën shumë mirë në pjesën e parë, madje patën raste të mira shënimi”. Anglia nuk ka asnjë humbje dhe Hodgson beson se kështu do të vazhdojë deri në fund. “Ne jemi ende të pamposhtur në ndeshjet në grup. E dimë që mund ta mbyllim pa asnjë humbje dhe me mbështetjen e tifozëve në “Wembley” mund t’ia dalim mbanë. Do të ishte çmenduri nëse do të dështonim”.
