Nga Bedri Islami
Hoteli “Bolonja”, i gjithi mbi bregun e detit, afër Portit të vjetër, është parathënia e asaj që mund të të afrojë i gjithë qyteti i Vlorës. Nga dritaret e mëdha sheh dallgët që rrokullisen dhe stërkalat rrahin mbi molin e vjetër; pastaj, duke qenë nën një shi të dendur të duket sikur dy dete, njëri nga lart e tjetri në vendin e tij të përjetshëm, bëhen bashkë dhe ngrohtësia e pazakontë e gjithçkaje që të rrethon, kujdesi për mysafirët, fjala e qetë dhe hapja e një guide të madhe për gjithçka që ka të bëjë me Vlorën, personeli që të afron mikpritje, në sportel mund të të flasin në disa gjuhë të huaja, komforti i dhomave dhe qetësia të josh për rikthim.

Është e dyta herë që jam bujtës në këtë hotel. Fillimisht në janar dhe tani , në mesin e muajit maj. Çuditërisht, në ditët e janarit shëtisja nëpër një diell që shndriste, por nuk të ngrohte, ndërsa tani diellin e shoh vetëm në ditën e parë të ardhjes…dhe pastaj, shiu me litarët e tij duket sikur e bën gjithçka më të bezdisshme, më të lodhshme, por në fakt nuk ndodh kështu. Atë që përpiqet ta prishë shiu, në fakt e ndreqin njerëzit.
*****
Vlorën e kam dashur gjithnjë, që nga takimi i parë me të, shumë vite të shkuara. E kam dashur për gjithçka që ka të bëjë me historinë e saj, me trevën e mrekullueshme në përthyerjen e saj, ku janë bërë bashkë deti dhe mali, valëzimi i kodrave që duken si një det i gjelbër, dikur mbushur me agrume që kundërmonin, tani plot me ullinj, për këngën labe që edhe një verior si unë e mrekullon kur është i pranishëm, në fund të fundit e kam dashur edhe për atë ndjenjën e veçantë që e vendos veten në qendër të gjithçkaje me një ndjenjë të admirueshme të dinjitetit vetjak. I kam dashur edhe viset e saj, Tërbaçin, tragjasin, Dukatin, Drashovicën, kam qenë dikur në Llakatund tek një mik i vjetër, poeti Dionis Qirinxidhi, për Kaninën mbi të gjitha, e cila, duke i qëndruar me kalanë e saj mbi lartësitë e qytetit, duke si njëri ndër karakollet e shumta të saj.
Kam udhëtuar me një mik të veçantë, ndër më të respektuarit, vlonjat njëqind karatësh, i cili , mes të tjerave më ka dhënë edhe një mësim të vyer, të cilin, edhe pse e kam ditur, rrahë herë e kam prekur kaq afër. Bujar Leskaj, jo rastësisht, është njeriu të cilit i ngrihen në këmbë të djathtët e politikës dhe i shtrëngojnë dorën të majtët e saj. Ka mjaft raste që kemi mendësi të ndryshme, por ai më beson kur unë i them se do të kisha dashur një opozitë të fortë, më shumë mentare se sa të rrugës, dhe unë i besoj atij kur më thotë se e përbashkëta e njerëzve, edhe në luftë, mund të jetë kombi. Njeri i lexuar, më shumë historian se shefi i kontrollit të shtetit, i pandryshuar në bindjet e tij të djathta, ai gëzon edhe respektin e atyre që besojnë tek e majta dhe që në Vlorë janë të shumtë.
E shtuna hapet me një ngjarje të veçantë. Sapo është botuar libri “Numri 7, Vasil Ruci”, për futbollistin e shquar. Në njërin nga mjediset e bukura buzë detit është organizuar aktiviteti për të. Shumë, shumë njerëz, të ardhur nga gjithë vendi. Njoh mes tyre futbollistët e shquar Hysen Zmijani dhe Fatbardh Jera nga Shkodra, më tej vëllezërit Ballgjini të Durrësit, Kushta, që ngriti në këmbë tërë Kosovën me golin në Beograd, pastaj një figurë e shquar, Perlat Musta, figurën e të cilit, edhe kur nuk shkoja më në stadium e ndiqja me kureshtje të madhe, shumë të tjerë.
Një ditë e mrekullueshme, jo vetëm nga folësit e shumtë, por nga ajo ndjenja miqësore që të afronte, miqësi të vjetra që ringriheshin, kureshtje që nuk shuheshin, një përmbledhje filmike me ditët e shënuara të Ruçit dhe të Flamurtarit.
Më dhurojnë librin, një fanellë me numrin 7 dhe një shishe verë , ku është emri i Vasil Rucit. Libri është interesant, fanella më bie e vogël, verën më duhet ta provoj në një ditë tjetër.
****
E diela sjell shiun. Një diell i mbyllur në të gjithë horizontet dhe fillimisht një det i qetë, ku valzat duken sikur janë në verën e tyre.
Drejtuesi i TV Vlora, Berti, më sjell një nga gazetarët e tij, djalë i ri, beratas me origjinë , por i vlonjakëzuar dhe e besoj se është i një kohe tjetër kur më thotë se nuk e ka dëgjuar kurrë emrin e nartiotes së famshme të kohës sonë, Kleopatra Skarco –Dokle.
Synimi im i parë është kalaja e Kaninës. Rri varur mbi qytet apo qyteti është varur tek historia e saj, këtë askush nuk e di. Ndoshta të dyja.
Rruga është rregulluar deri në afërsi të portës së saj. Lëndina e shtrirë para mureve është e gjelbër dhe, si duket, pret pushuesit e parë. Muret janë ngrënë nga koha , megjithatë gjithçka është e ruajtur në memorie, por edhe dëshmitë janë të shumta.
Gaboj dhe i them gazetarit të ri se këtë vend e dua pasi që këndej u nisën të parët e Vlorajve për të bërë shtetin. Pastaj kujtohem se para tyre, ndoshta paraardhësit e Vlorajve, ishin Golemët dhe më bie ndër mend një këngë e vjetër, që e kam lexuar së pari në një tregim të hershëm të Shuteriqit…”Ky sulltani qan me lot, kam edhe një Skënder në Sopot…”, më tej një dy vargësh tjetër epik, kësaj here nga gratë kaniniote, të rrethuara..që hidhen nga shkëmbinjtë..” a do të vdesim, a do rrojmë, Gjoergj Golemin s’e turpërojmë..”.
Në kalanë e Kaninës historinë e prek me duar, e shkërmoq mes gishtërinjve dhe ndjehesh i lumtur që je këtu, nga maja e së cilës të shfaqet deti si një pasqyrë e madhe dhe rrokullima e ulinjve të duket si shkallare drejt tij.
Ciceroni i kalasë, sapo i thonë diçka për Kosovën dhe lidhjet e mi me këtë pjesë kaq të ngjashme me Labërinë, duke hequr detin, megjithëse Kosova ka “detin” e Rrafshit të Dukagjinit, ai më tregon se vizitorët e shumtë vijnë nga Kosova. Dhe të gjithë bëjnë foto në murin rrethues, në majë të së cilit ngrihet flamuri. Bëj edhe unë. Fundja , një pjesë e jetës sime, ndoshta më e bukura, është e lidhur me Kosovën.
Shiu fillon të bjerë. Fillimisht paralajmërues, por mendojmë se është një shenjë e rreme dhe bëjmë të qëndrojmë edhe pak. Si duket, koha jonë në kala kishte mbaruar dhe fillon rrebeshi.
Të ikësh nga kalaja në një ditë shiu, do të thotë të ikësh me kokën pas. Era është e furishme dhe shiu të godet kudo.
****
Zvërneci është rrugëtimi i i dytë i së dielës. E kisha parë qytetin nga autostrada drejt Vlorës dhe shtëpitë dukeshin si të ngritura nga deti, ose, më saktë, ashtu të bardha, së stërkala të ngrira. Ishte një mrekulli varur mbi det.
Zvërneci është i famshëm për manastirin e tij, disa shekullor më thotë gazetari që më shoqëron. I vendosur në një ishull, aty ku laguna ndahet nga deti, manastiri të josh për ta parë.
M’u desh të shkoja dy herë për ta parë. “ hej dreq, i thashë vetes, duke parë shiun e furtunshëm në udhëtimin e parë që nuk të linte të nxirrje as kokën. Më bën rezistencë një manastir ortodoks nga që emri im është shumë mysliman,megjithëse në thelb jam një ateist që falem për njerëzit që dua.
Në udhëtimin e dytë kam një fat të dyfishtë. E bëj me miqtë e mi të vjetër poetë,Petrit Ruka dhe Arben Bllaci, dy nga lirikët më të shquar të kohës. Sa herë që jam matur të shkruaj për poezitë e Rukës, sidomos baladat e tij, me vinte ndër mend njohja jonë studentore në qytetin e Shkodrës, më sillej pranë ai djali harrakat me zë kumbues, simpatik, flokë derdhur që vraponte udhëve të qytetit të vjetër. Arben Bllaci është ndër poetët e dëgjuar të derës Bllaci, ku më i shquari prej tyre, Jorgo Bllaci , me poezinë e tij një monument i ka ngritur vetes. Së bashku me ne është edhe poeti Myrteza Nura. Vlonjat. Nuk e kam njohur më parë, kemi dëgjuar për njëri tjetrin dhe kisha lexuar poezi të tij.
Shiu ka heshtur një çast dhe ne nisemi të kalojmë urën drejt Zvërnecit. Ura e drunjtë , gjarpërushe, thonë se është punë e qeverisë Rama. Është urë e qëndrueshme, ishulli ku ndodhet manastiri është disi larg, por gjithçka është e bukur.
Manastiri të josh me bukurinë dhe lashtësinë e tij. Pikturat , si duket , janë të reja, ungjillore dhe Bllaci shpejton të bëjë fotot e para. Guvat e manastirit të bëjnë të mendosh për lashtësinë dhe si kanë kaluar shekuj në këtë vend breza të tërë murgjish.
Është pjesë historie. Pjesë besimi.
Gjithmonë kam menduar se më të lumtur janë ata që besojnë , se sa ata që nuk besojnë.
Narta e njohur për verën e saj, e gjithë nën një rrugë pishash të vjetra, disa nga të cilat janë anuar, buzë detit, a bën vend si mysafirët e saj. Nëse kërkon të shijosh verën nartiote dhe peshkun e detit, ndalu aty, buzë rrugës, në një restorant që është tepër i zakonshëm në pamje, por që, të afron tradicionalet e zonës dhe, pastaj, si nga një rikthim të kohës, skarën e prushtë.
Mbrëmja e së dielës ka një veçori tjetër. Ecja rrugës kur befas një vargan i gjatë kërcimtarësh dhe këngëtarësh, nën tinguj muzike e mbushin atë. Gjithë veshjet karakteristike të zonës dhe shumë përtej saj janë shfaqur në rrugët e Vlorës. Është disa e Festivalit Ndërkombëtar popullor, një traditë e shkëlqyer e Vlorës, që e organizon çdo vit një punëtor i madh i kulturës, Sejmen Gjokoli. Kanë ardhur këtë vit që nga Shtetet e Bashkuara, Bullgaria, rumunët me veshjet e tyre të ngjeshura karakteristike, nga disa vende , të cilat, në mbrëmje , mbushin gjithë hapësirën buzë detit me këngët e vallet e tyre.
***
E hëna nis me një veçanti. Ka ardhur të më takojë një peshkatar i vjetër, peshkatar Mistoja. Emrin e ka ndryshe, por kështu e njohin të gjithë. Më kishte telefonuar një ditë përpara, por në hotel “Bolonja”, në mbrëmjen e së dielës, befas, erdhën një grupim i madh turistësh austriakë dhe , mes tyre, një mik i imi i vjetër. Nuk mund të shkëputesha dhe i kërkova ndjesë peshkatarit Misto.
Mistoja është një detar i kohës së dikurshme, i qetë përgjithësisht, mikpritës i shkëlqyer me bisedën që të bën, me vendet që të afron për të parë, me historitë që tregon. Në pamjen e parë tek ai nuk të bën asgjë përshtypje, por, sapo fillon e njihesh me të, sapo nis e dëgjon historitë e detit, në të gjithë kohërat ku ka qenë pjesë, e ndjen se pas tij fshihen shumë gjëra të jetës së shkuar. Kalojmë me të një drekë të shkëlqyer, disa nga prodhimet e detit nuk i njihja dhe për herë të parë i kisha para vetes. Vera e vjetër “Amarone”, më shumë se 15 vjeçare, të duket se është pjesë e natyrshme e drekës. Nuk e di se si do të mund ta prisja unë Miston në një ditë të ardhshme.
Pasditja e së hënës është e miqve të mirë. Bardhosh Gaçe dhe poeti Hazizaj, drejtuesi i shoqatës “Petro Marko”, të dy nga miqtë e mi të mirë, më ftojnë për një bisedë të gjatë dhe për të nesërmen që të rëkojmë së bashku. Koha është e pakët, miqtë janë të shumtë dhe mes tyre, një bisedë e gjatë me Petrit Brokaj dhe njerëzit e tij do të ishte nga përjetimet e bukura të mia në Vlorë. Profesor Brokaj është vëllai i mikut tonë të vjetër, Sabit Brokaj, ndër më të shquarit në kontributin e Luftës së Kosovës. Kujtojmë metingun e madh të organizuar nga profesor Sabiti dhe Shaban Sinani në qytetin e Vlorës, në ditët e Konferencës së Rambujesë, ku ishin pjesë edhe familjarët e Adem Jasharit.
****
E marta është dita e largimit. Më ftojnë të qëndroj edhe disa ditë të tjera, por, si zakonisht, pushimet janë të shkurtra. Edhe ky tri ditësh kalon kështu.
Në mëngjes herët takoj njërin ndër kushërinjtë e fisit të Nënës sime. Agim Gjylbegu, kandidat për deputet i Frymës së re Demokratike është njëri nga nipërit e Ismail bej Gjylbegut dhe i fisit Dine të Çamërisë. Ismail bej Gjylbegu ishte komandanti i xhandarmërisë së qarkut të Gjirokastrës në kohën e Zogut dhe mbështeti vëllezërit Toto në lëvizjen e tyre antizogiste. U gjykua dhe u dënua me varje. I thanë të kërkonte mëshirë, refuzoi. Familja e tij u vendos tek njerëzit e Gjyshes së Agimit.
****
Ikja
Nëse në Vlorë nuk ke qenë prej kohësh, çdo përfytyrim i yti do të bjerë poshtë. Vlora është, gjithnjë sipas mendimit tim qyteti më i bukur në Shqipëri. Shpesh herë ai më ngjan me qytetin e Nicës, sidomos në pjesën e asaj që quhet Lungomare, që në fakt duhej të ishte quajtur thjeshtë, Rruga e detit.
Një hapësirë e madhe të shfaqet para syve. Shtëpitë e vjetra nuk janë më, sheshet dhe rruga e detit kanë një pamje të pashoqe. Deti hapet si një kompas gjigant dhe pallatet e mëdha, ndërtuar bukur, me ngjyra që i përshtaten ngjyrës së detit, krijojnë një kompleks bukurie që të josh të shkosh përsëri.
Është mëngjes herët. Me peshkatarin Misto, tashmë miq të përbashkët, udhëtojmë drejt Ujit të Ftohtë dhe mbi një kodër vemi të pimë diçka. Ai, një kafe të fortë, unë, çaj mali. Pamja nën këmbët tona është e habitshme. Është vendi ku bashkohen ujërat e Adriatikut me të Jonit. Thellësia e madhe është e qartë si në një akuarium. Të jetosh këtu, është të të joshë jeta edhe përtej jetë-vdekjes.
Kthehemi për të ikur nga Vlora. Hapësira e madhe e detit të rri në sy. Të gjithë, edhe demokratë të thekur, ia dinë për të mirë qeverisë Rama dhe shefit të qeverisë për ndërtimin e Lungomares dhe hapjen e horizontit hapësinor.
Largimi është i keqardhur. Por, duhet. Tri ditë pushimi zakonisht janë vetëm tri ditë, por kësaj here ishin shumë më tepër.
Nuk më mbetet tjetër, vetëm të falënderoj të gjithë ata që më ftuan, me pritën dhe me afruan pjesë të qytetit të tyre.

Heh sa kam qeshur me reportazhin e Bedriut qe na paska qene „turist“ ne Vlore.
I eshte kthyer tashme reportazhit se si gazetar i nxori „ujin e zi“ politikes shqiptare.
Po dhe me kete reportazh nuk nxjerr gje tjeter vec se mangesi dhe injorance, qe me te shumtin e te shumtes vetem librat plot brockulla te Kadarese mund te kete lexuar.
Hotel „Bolonja“, ketu piva nje kafe, atje nje gote vere, filloi shiu, u hap koha, aty takova Bardhosh Gacen, atje takova Hysen Zmijanin, ketu mora nje dhurate, atje mora nje shishe vere dhe ne fund futi dhe nje furce familjes me Gjylbeger dhe Zeneler dhe ja, Bedriu na dhuroi nje reportazh 3-ditor mbi Vloren!!!
Keshtu eshte kur lexon vetem Kadarene qe dhe ai „meditonte“ me pikat e shiut mbi xhamat e Kafe „Flores“ pastaj me ajrin e Kafe „Roststand“, pastaj lexo ca brockulla me „Dimrat e fundit“ dhe „Koncertet e Veres“ me plakera Nurihan dhe kinezin Li qe i shkeli kemben Agim Fagu ne nje ndeshje basketbolli dhe nis pastaj dhe Bedriu duke shkelur ne gjurmet e Is-es te beje reportazhe bajate qe vetem te qeshura te japin.
Por per pak histori, zor se gjen, ne keto rreshta plot pije, kafe, dhe foto me barkderra dhe barkvica.
Kalon teper tangent Manastirin e Zvernecit, duket qe e mbysin komplekset me komb dhe me fe dhe nuk del si nje gazatar apo analist nese mund te jete dhe te beje te pakten nje pershkrim historik te atij manastiri dhe asaj kisha te ngritura ne kohet me te ndritura te bizantit. Po nuk del do ne kete fushepamje, sepse kujton se tradheton kombin dhe Kosoven myslimane qe tashme ben iftar ne mes te rrugeve.
Nuk del dot as ne kete fushepamje kur flet edhe per Kalane e Kanines dhe te beje te pakten nje pershkrim te shkurter historik, por rri dhe merr pamjet nga deti!
Pastaj ato foto private me miq dhe te ftuar eshte mire te na i kishte kursyer se nese „Dita“ ka marre role „Instagramesh“ eshte mire te na i thote se dhe te tjere kane deshire te shfaqen cakerrqejf duke pira kafe dhe birrera neper mejhanet e Shqiperise.
Dhe ne fund nuk do te linte pa harruar te falenderonte shefin e qeverise se 140 milioneshe qe ka bere Lungomaren, por dhe per ata miq dhe shoke i thane bujrum ne ato dite shiu dhe rrebeshi te trediteshit ne Vlore.
P.S. Ju lutem mos e hiqni komentin tim se ka deshire Bedriu, ashtu sic nuk kemi dhe ne deshire te lexojme historite me kafe dhe raki qe na sjell Bedriu mbushur me brockulla tej dhe per tej.
Autori e ka pare Vloren me kendveshtrim ndryshe dhe sidomos kur eshte ne sens pozitiv, e vlen ta lexosh deri.ne fund. Ai e do Vloren dhe e shpreh, kete radhe, ne kete forme. Eshte antipodi I Sali serbit nga shpellat qe e ka urryer Vloren deri ne perbetimin per cfarrosjen e saj dhe nga qe s’ja arriti dot, e s’mund t’ja arrinte, e la gerrmadhe sikur te ishte Hiroshima e Nagasaki.
Kaq, tani per tani ! Per Zvernecin e Narten, shpjegimet nje here tjeter.
Claus, francezet thone vous lui avez tailler un costume pour l’hiver! I paskeni qep nje kostum per dimer!