Zarife Hasanaj, Klodian Tanushi, policët e shtetit dhe Sait Dollapi i PD-së

Ornela

Safet Ramolli

Që në fillim u kërkoj ndjesë familjarëve të dy “Dëshmorëve të Atdheut”, të cilët po i bëj objekt të këtij shkrimi. Zarife Hasanaj dhe Klodian Tanushi, ashtu si dhjetra e qindra të tjerë shqiptarë, tashmë meritueshëm kanë zënë vend në Krenarinë e Kombit, në elitën që i bën nder popullit shqiptar kudo ku ai jeton. Kjo për arsyen e thjeshtë, se vunë jetën e tyre të re në altarin e shenjtë të nderit dhe dinjitetit të kombit, duke përmbushur me vullnet të plotë një detyrë të lartë, në përbërje të një force shumëkombëshe jashtë territorit shqiptar, për një jetë më të sigurtë të popullit letonez.

Qeveria dhe populli shqiptar, populli letonez, NATO, miqtë tanë strategjikë, SHBA e të tjerë, në respekt dhe mirënjohje të veprës së tyre, bënë gjithçka për të ndarë dhembjen me familjarët e tyre, dhe për t’i përcjellë në banesën e përjetëshme si heronj, çka ata e meritonin plotësisht. Familjet e tyre, gjithashtu meritojnë mbështetje të plotë, para së gjithash shpirtërore e morale, për të kapërcyer gjendjen e stresuar psikologjike aktuale, por edhe financiare e materiale për të vijuar jetën sa më normalisht.

Zarifja e Klodiani, si edhe mijëra të tjerë para tyre, kanë patur mençurinë dhe guximin e duhur, që të zgjedhin profesionin e ushtarakut për t’i shërbyer vendit dhe popullit të tyre. Ata ishin të bindur se, do të përballeshin me shumë vështirësi, krahasuar me profesionet e tjera, se lypsej të bënin mjaft sakrifica, por edhe të privoheshin nga mjaft liri, të drejta personale dhe detyrime familjare e shoqërore. E megjithatë vendosën të bëheshin ushtarakë, me mendimin e qartë dhe vullnetin e plotë, se kështu i shërbenin drejtpërsëdrejti vendit të tyre në një nevojë prioritare dhe domosdoshmërisht të qenësishme komunitare.

Nga çka u tha prej folësve, por edhe atyre që transmetonin shumë-shumë në heshtje, përgjatë ceremonisë së ndarjes me ata, unë dhe shumëkush, apo gjithkush, mësuam se Zarifeja dhe Klodiani, i kishin përmbushur të gjitha detyrat me përpikëri, me përkushtim dhe me profesionalizëm. Kaqë kërkohet prej ushtarakut, dhe asgjë më shumë, por, fatkeqësisht, ata dhanë të përtejshmen në përmbushjen e detyrës: humbën fatalisht dhe pa kthim jetën e tyre fare të re, por edhe lanë pas përjetësisht një mal ngarkuar me brengë, mall dhe halle për shpirtin e tyre, e sidomos për familjarët, miqtë, të afërmit dhe bashkëshokët e tyre. Personalisht dëshiroj, që shpirti i tyre të prehet në paqe e qetësi të përjetëshme, si ëngjëj të pafaj që ishin, ndërsa familjarëve, dikush dhe gjithkush, t’u falë forcë e kurajo, për të kapërcyer këtë humbje të rëndë.

Jo gjithkush mund të shërbejë, sidomos me sukses, në ushtri, ku gjithçka fillon, vijon dhe mbaron në kushtet e gjithçkaje të militarizuar, prandaj edhe në të shkuarën gati gjysmëshekullore, por edhe në këto dy dekada të shek. XXI, elita shtetare dhe intelektuale nuk i ka integruar fëmijët e saj në këtë ndarje specifike dhe të vështirë të punës, ku përveç sakrificave dhe privimeve të shumta, në situata të veçanta rrezikohet edhe jeta. Por Zarifja, Klodiani dhe shokët e shoqet e tyre, e pranuan dhe e pranojnë vullnetarisht këtë profesion të vështirë, dhe po me ndërgjegje, përgjegjshmëri, vullnet, profesionalizëm e dinjitet, i kanë përmbushur dhe i plotësojnë detyrat e tyre. Prandaj, përpos të tjerash, ushtarakët meritojnë nga komuniteti respekt dhe mirënjohje për sakrificat që bëjnë dhe privacionet që përjetojnë, por edhe përkujdesje të plotë nga shteti dhe institucionet e tij.

Ashtu si “Dëshmorët e Atdheut” më të fundit, Zarife Hasanaj e Klodian Tanushi, por dhe gjithë bashkëshokët e tyre, edhe policët e shtetit, kryejnë aktivitetin jetësor në një ndarje shoqërore të punës mjaft të vështirë, e cila kërkon prej tyre jo vetëm sakrifica të shumta, por edhe privimin nga mjaft të drejta dhe liri personale e shoqërore. Për ushtarakët, pra edhe për policët, atdheu është i shenjtë, populli i shtrenjtë dhe detyra mbi gjithçka. Në këtë kuptim dhe këndvështrim, për ushtarakun përbën tradhti ndaj betimit të bërë, fjalës së dhënë dhe përmbushjes së detyrës juridike kombëtare, që të braktisë detyrën, të heqë kapelen dhe të bashkohet me turmën protestuese, sikurse i bëhen shpesh herë thirrje nga drejtuesit e protestave të opozitës. Për ushtarakun është më e pranueshme të sakrifikojë diçka nga shëndeti i tij, duke pranuar të lëndohet qoftë edhe fizikisht nga goditje fizike, por asesi, të fyhet dhe denigrohet duke i bërë thirrje të natyrës: “Policia është me ne”, “Bashkohuni me ne!” “Hiqni kapelet!”, apo t’i dhurohen lule, t’i cënohet uniforma, e cila për ushtarakun është e shenjtë sepse është kombëtare etj. Nëse sot në opozitë, synojmë të demobilizojmë policinë në përmbushjen e detyrave ligjore, nuk i shërbejmë as të ardhmes nesër në pozitë, sepse policia, ka për detyrë ligjore të përmbushë me dinjitet dhe profesionalizëm detyrat në shërbim të ruajtjes së rendit publik dhe garantimit të qetësisë në çdo kohë, pavarësisht rrotacioneve të pushtetit përmes votës së sovranit. Nuk kam parë apo dëgjuar deri tashmë, që ushtarakët t’i fyejnë politikanët duke u kërkuar dorëheqjen nga funksionet politike, sepse ata e dinë që, edhe politika është profesion, është një nëndarje shoqërore e punës. Unë jam krejtësisht i bindur se, nëse në rreshtin e policëve në krye të detyrës, do të ishin fëmijët e politikanëve Berisha, Kryemadhi, Mediu, Shehi, Ndoka, N. Malaj, Dollapi, Noka, e të tjerë, apo vëllezërit a motrat e politikanëve më të rinj Bardhi, Balliu, Ibrahimllari, Mehmetaj, Kërpaçi, Salianji, Këlliçi etj. asnjë polic nuk do të keqtrajtohej, të fyhej apo të lëndohej. Dinjiteti i çdo polici është i barazvlershëm me dinjitetin e çdo politikani, prandaj është domodoshmëri dhe detyrim që ai të respektohet. Në emisionin “Kjo javë” dt. 18 maj 2019, sekretari i përgjithshëm i PD-së z, Gazmend Bardhi, pohoi me zë të plotë se në spital nuk ishte për trajtim mjekësor asnjë polic, ndërkohë që sekretari për çështjet organizative z. Sahid Dollapi, e kishte “gjëndjen shëndetsore të vështirë” dhe “polici që e keqtrajtoi duhej të ishte në burg” dhe që “do të japë llogari në të ardhmen”. Jam ndjerë i keqardhur, pasi në ekrane televizive kam parë policë të lënduar nga bombat molotov apo nga gositjet me mjete të forta.

Meqë jemi në çështjen “Dollapi”, pak fjalë për këtë problem. Absolutisht nuk pajtohem me ushtrimin e dhunës ndaj z. Dollapi në momentin që ishte rrëzuar në tokë. Por nuk pajtohem me sjelljet dhe veprimin e z. Dollapi, kur ai pohon se gjatë protestës mbrojti nga dhuna policinë, u largua me vrap nga policia instiktivisht, ndërsa në momentin kur u godit u kthye se do të ndihmonte një gazetare të lënduar nga gazi lotsjellës, dhe se kishte hedhur vetëm një shishe uji mbi policinë. Z. Dollapi dhe askush tjetër nga organizatorët dhe drejtuesit e protestës, nuk kanë mision as funksion, të mbrojnë policinë nga dhuna, por të mos ushqejnë dhe nxisin dhunën me thirrje frenetike, mandej të frenojnë protestuesit dhunues dhe, të bashkëpunojnë me organet përkatëse për ndëshkimin e fajtorëve. Zoti Dollapi, duhet të kishte burrërinë e krahinës nga vjen, dhe kurajon e një drejtuesi të lartë partie, që të mos largohej me vrap nga vendi i ngjarjes instiktivisht, sepse njeriu nuk mund të jetë rob i instikteve, por të qëndronte dhe të jepte shpjegime për rolin e tij në protestë, ashtu si duhej të ruante gjakftohtësinë e të mos godiste me shishe uji mbi policët e popullit. Kur ka qenë në detyra administrative me rëndësi, ai ka dhënë shembuj “vendosmërie dhe burrërie”, siç ishte rasti i vetëcaktimit të pagës 6 milion lekë të vjetra kur u emërua drejtor i ÇEZ-it, apo kur faturonte qytetarët pa iu dridhur dora me afrofe dyfishe për konsumin e ujit, kur ishte drejtor i UKT-së. Nga ana tjetër, personalisht nuk e besoj se është goditur nga policia me plumba plastikë, sepse dihet që edhe ky municion përdoret nga armët, dhe me sa kemi parë nga ekranet e televizioneve, polcia nuk ka patur në dispozicion dhe as ka përdorur armë. Nëse do të ishte i faktuar pretendimi i z. Dollapi, dikush duhet të mbajë përgjegjësi dhe të japë llogari.

Unë shpresoj, që drejtuesit e protestave, të jenë më të kursyer në të ardhmen në përdorimin e thirrjeve që nxisin dhunën, të jenë më të gatshëm për të frenuar elementët me prirje të dhunshme, si dhe të jenë më të gatshëm të denoncojnë dhe dënojnë dhunën dhe dhunuesit.

Share This Article
3 Comments
  • Ja zgjaten shume ketij Dollapit.E pate cfare lepujsh ja cubat e Tropojes?Policet e perkedhelen,benin sikur e godisnin.Ai ngriti doren kunder policise,veprohet si policet Amerikane,qe jane policet me demokratike ne Bote.

  • E di eshte puna o ti o autor, mos na i permendni 100 here “heroizmat” e Zarifes dhe Tanushit. Lerini te qete, na lini dhe ne te qete. Te gjithe e dime pse u rreshtuan ne ushtri, ashtu si qindra te tjere, qe vene per nje kore buke me shume qyl dhe per dieta dhe nje karrire qe nuk mund ta bejne jashte ushtrise.
    Sa per mbrojtjen e Atdheut ja kane leruar nenen qe nga Ramuti e deri te ushtari me i fundit.
    Nese keni gjykime per lete Salehun e PDse mos ngaterroni dhe dy viktimat.
    Ckujtoni se thote populli nen ze? Bravo trimat?
    Lerini te perjetohen me keqardhje dhe respekt per jeyen njerezore qe humben se sa me sforcimine shtire per ti shitur si heronj fallco duke na provokuar reaksion

  • cubi pi tropojet vrapon për të kapur lepurin jo se u tremb prej policisë sepse trimëria e tyre dihet kur janë shmë të hanë munë kur janë vetëm ngasin biçikletën për të kapur lepurin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *