Rreth 500 emigrantë pa dokumente bllokuan Terminalin 2 te aeroportit Charles de Gaulle të Parisit, për të protestuar kundër Air France. Ata kërkuan distancimin e Air France nga çdo lloj përfshirjeje, qoftë financiare, logjistike apo politike në deportimin e tyre. Gjithashtu, kërkuan të takojnë kryeministrin fracez Édouard Philippe në lidhje me politikat e azilit, bën me dije “Dita”, duke cituar mediat e huaja.
Grupi pretendonte se përfaqësonte organizatën më të madhe të emigrantëve jo të pajisur me dokumente të Francës, që quhej GiletsNoirs –jelekzinj-.
Me thirrje të tipit “Franca nuk i përket vetëm francezëve. Të gjithë e kanë të drejtën të jenë këtu”, protestuesit kërkuan leje qëndrimi të përhershme në Francë.
Shumica e protestuesve, që besohet të jenë organizuar nga grupi suportues i emigrantëve La Chapelle Debout, ishin me origjinë afrikane.
Në deklaratën e tyre, emigrantët thanë se arsyeja se pse po protestonin aty ishte se aeroporti gjendej shumë afër qytetit Le Mesnil-Amelot, ku ndodhet një kamp i madh emigrantësh. Ata, gjithashtu, thanë se protestat do të vazhdonin në forma të ndryshme deri në plotësimin e kërkesave.
Situata u mor nën kontroll me ndërhyrjen e policisë, ndërsa zyrtarët e aeroportit deklaruan se fluturimet nuk u ndikuan nga protesta.
Protesta e emigrantëve vjen rreth gjashtë muaj pasi protestat e jelekverdhëve, që filluan në lidhje me taksat mbi karburantin, mbahen çdo të shtunë dhe ku rreth 4000 veta kanë mbetur të plagosur.
e. ll/ dita
