Një Zelenski edhe për të ardhmen tonë

Ornela

Vangjel L. Shumeli

Europa Lindore është një hapësirë e cila ndodhet në fazën e shkëputjes nga tranzicioni 30 vjeçar. Moska ngulmon sot për t’i nënshtruar këto vende duke u vënë fre aspiratave të tyre drejt familjes europiane.

Vendi i parë që ngriti kryet ndaj presioneve të Kremlinit është Ukraina. Era e ndryshimit pro europian filloi për këtë vend para 15 vjetësh me “Revolucionin Portokalli”. Protestat u zhvilluan pas zgjedhjeve të atëhershme presidenciale në klimën e një korrupsioni masiv, frikësim të votuesve dhe falsifikim të votave.

Fitues ishte zgjedhur Viktor Janukoviç, kandidati filorus i mbështetur nga Putin. Protestat çuan në rivotim dhe u fituan nga opozita me Jushçenkon president dhe Timoshenkon kryeministre të vendit. Këta personalitete kanë rrezikuar jetët e tyre për idetë që kishin dhe përhapnin.

Jushçenko “ylli” i Revolucionit gjatë një darke me zyrtarë të lartë ukrainas u helmua me dioksinën e rrezikshme TCDD gjë që solli deformim të fytyrës. Presidenca e tij 5 vjeçare karakterizohej nga përpjekje të vazhdueshme për integrimin e vendit por nuk sollën rezultatin që pritej për shkakun se Europa nuk e suportoi sa duhet ecjen e Ukrainës drejt saj dhe nga ana tjetër Jushçenko i bëri “autogolin” vetes duke bashkëpunuar me oligarkët dhe maniatët në afera korruptive dhe duke i tradhtuar shpresat e ukrainasve.

Shumë politikanë u konsumuan, u arrestuan, disa ndërruan kahe politike për interesa oligarkike dhe personale derisa erdhi konflikti ushtarak për Krimenë. Shpresat për atë popull rifilluan kur u shfaq në skenën politike ylli i ditëve të sotme në mediat ndërkombëtare, presidenti i sapozgjedhur i vendit Volodimir Zelenski, një komedian dhe personazh karizmatik.

E bukura e kësaj historie është se nuk është as i nënës as i babës, as vjen nga oxhaqet e konaqet e Oligarkisë dhe Politikës.

Roli i tij më i njohur në filmat që ka luajtur ishte ai i Presidentit të vendit në serialin “Në Shërbim të Popullit” emër të cilin ia ka vënë dhe partisë me të cilën garoi në zgjedhjet presidenciale të para 20 ditëve ku fitoi bindshëm përballë kundërshtarëve të tij.

Rrugëtimi i këtij roli ishte një profesor historie i cili bëri publike një video për korrupsionin dhe pas kësaj fitoi simpatinë në popull dhe u zgjodh president. Fama e Zelenskit me atë rol kapi kulmin dhe u bë i dashur nga populli që shikonte te figura e tij atë që duhet të kishin qeveritarët aktualë.

Kur erdhi momenti që “rolin” ta merrte seriozisht duke kandiduar në zgjedhjet e fundit mbështetja ishte masive.

Zelenski gjatë intervistave që ka dhënë nëpër media është shprehur se ka hyrë në politikë për të kthyer besimin e humbur. Platforma e tij nuk është aspak skenar komedie e libër anekdotash, është një program proeuropian.

Unë besoj se Zelenski me karizmin dhe modestinë që e karakterizon do ta fusë Ukrainës në BE. Ai vetë e ka prezantuar si qëllim për ta realizuar brenda vitit 2024. Të hënën Zelenski u betua si president dhe kreu një akt patriotik i cili meriton respekt: Ai shpërndau parlamentin, zgjedhjet e parakohshme do zhvillohen pas 2 muajsh.

Mund të citoj disa rreshta nga fjalimi i tij:

“Merrni një letër, një stilolaps dhe lironi postet tuaja për ata që mendojnë për gjeneratën e ardhshme. Njerëzit do ta vlerësojnë këtë.

Prej sot, secili prej nesh është përgjegjës për Ukrainën që do t’u lëmë fëmijëve tanë. Gjatë gjithë jetës sime, u përpoqa të bëja gjithçka në mënyrë që ukrainasit të buzëqeshin. Në pesë vitet e ardhshme do të bëj gjithçka që ukrainasit të mos qajnë”

Jo vetëm në Ukrainë ka nevojë për rotacion të plotë, për politikë dhe frymë të re larg ndikimeve të biznesit, monopolit, oligarkisë dhe oxhaqeve e dinastive politike.

Këtu bëhet fjalë më tepër për ne ballkanasit që kemi përjetuar e përjetojmë të njëjtat histori, të njëjtat rrugëtime, kalvare e vuajtje me vende si Ukraina, Moldavia dhe Bjellorusia.

A do shfaqet një Zelenski edhe për të ardhmen tonë? Shpresa vdes e fundit.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *