Senatorët amerikanë kanë hedhur poshtë një propozim për të parandaluar kërcënimin që Shtetet e Bashkuara të mos jenë në gjendje të përballojnë detyrimet financiare dhe për të rihapur qeverinë. Senati po punon për një variant tjetër. Ndërkaq, bisedimet mes Presidentit dhe Dhomës së Përfaqësuesve janë pezulluar.
Si Dhoma e Përfaqësuesve edhe Senati zhvilluan një sesion të pazakontë dje, ndërkohë që mbyllja e qeverisë ishte në ditën e 12 dhe pas pesë ditësh Amerikës i kanoset kërcënimi që të mos përballojë detyrimet financiare.
Një mocion i Senatit për të debatuar një projekt-ligj të demokratëve për rritjen e nivelit tavan të borxhit deri në fund të vitit buxhetor 2014 dhe për të rihapur qeverinë dështoi. Plani nuk përfshinte ndryshime në ligjin për kujdesin shëndetësor, siç kanë kërkuar republikanët.
Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat Harry Reid tha se kishte mbetur i shtangur nga rezultati i votës:
“Sot paraqita një projekt-ligj për votë për të rritur nivelin tavan të borxhit. E kam të vështirë ta kuptoj, por çdo republikan votoi kundër tij”.
Pas votës, senatorë të lartë demokratë shkuan në Shtëpinë e Bardhë për t’u takuar me Presidentin Obama.
Senatorja republikane Susan Collins dhe ligjvënës nga të dyja partitë po punojnë për një propozim për të rritur nivelin tavan të borxhit për periudhën deri në fund të janarit, për rihapjen e aktivitetit për gjashtë muaj dhe ndryshime të vogla në ligjin për kujdesin shëndetësor.
Senatori Reid tha se plani i zonjës Collins nuk ka gjasa të japë rezultat.
“Susan Collins është një ndër senatorët e mi të preferuar, si nga demokratët, ashtu edhe republikanët. I vlerësoj përpjekjet e saj për konsensus. Por plani që ka propozuar nuk do të gjejë mbështetje në Senat”.
Zoti Reid dhe republikani më i lartë në Senat, Mitch McConnell, kanë vazhduar negociatat që të premten për të rihapur qeverinë dhe për të shmangur kërcënimet financiare.
Para se Dhoma e Përfaqësuesve të fillonte sesionin dje, kryetari i Dhomës John Boehner tha se nuk ka marrëveshje dhe vazhdojnë negociatat me Shtëpinë e Bardhë për rihapjen e qeverisë dhe rritjen e tavanit të borxhit. Ligjvënësit thonë se zoti Boehner i nxiti të vazhdojnë rezistencën.
As demokratët dhe as republikanët nuk duket se duan të heqin dorë nga qëndrimi i tyre. Dje në fjalimin e përjavshëm, Presidenti kritikoi ashpër republikanët që po kërkojnë lëshime për rritjen e nivelit tavan të borxhit dhe rihapjen e qeverisë. Presidenti këmbëngul se do të nënshkruajë një ligj të pastër që përqëndrohet vetëm në rihapjen e plotë të qeverisë.