Në një intervistë të dhënë për të përditshmen gjermane BiId, ndërsa zgjedhjet për parliamentin europian kanë filluar në disa shtete anëtare, Presidenti i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker lavdëroi kancelaren gjermane Angela Merkel për vendimin e saj për të pranuar gati 1 milion refugjatë në vitin 2015.
“Historia do i japë asaj të drejtë. Nëse edhe ajo do i kishte mbyllur kufijtë e Gjermanisë, Austria dhe Hungaria do të ishin shkatërruar nga numri i lartë i refugjatëve. Kjo është e vërteta”, tha Juncker.
Duke theksuar se Merkel as nuk e ndau e as nuk e bashkoi BE-në, Juncker shtoi: “Asnjë individ i vetëm nuk mundet ta udhëheqë ose ndajë BE-në. Nëse ju doni të arrini diçka në Europë, ju duhen vazhdimisht partnerë të besueshëm”.
Kujtojmë se Merkel u pat kritikuar ashpër në Gjermani dhe në Europë për vendimin e saj për pranimin e refugjatëve në vitin 2015, gjatë asaj që shumë e cilësuan si kriza e refugjatëve në Europë. Në fakt, shprehja e saj e asajkohshme “ne mund ta bëjmë këtë” u citua dhe u ironizua rëndë nga ata që mendonin se Gjermania nuk duhej të kishte pranuar një numër aq të lartë refugjatësh dhe nga ata që u zhgënjyen nga suporti i munguar i qeverisë federale për integrimin e tyre, bën me dije Dita, duke cituar mediat gjermane.
e.ll./dita
