Në Danimarkë, si në shumë vende të botës fjala ‘geto’, dikur e përdorur nga Gjermania për lagjet e hebrenjve, tashmë nënkupton lagje relativisht të varfra emigrantësh pak ose aspak të integruar në vendin pritës. Sipas qeverisë daneze, kjo mungesë integrimi e komuniteteve të tëra emigrantësh ndikon mbarëvajtjen në vend. Për këtë arsye qeveria ka filluar implementimin e një plani për ‘shkatërrimin e getove’, ndërsa shumë mendojnë se kjo është jo e drejtë dhe cënon barazinë para ligjit, raporton Dita, duke cituar mediat e huaja.
Në plan janë shënuar fillimisht 30 lagje në të gjithë vendin, ku shumica e banorëve janë me origjinë të huaj, kryesisht myslimane dhe ka relativisht raport të lartë papunësie dhe krimi. Sipas planit, fëmijët që nga mosha 1 vjeçare do të jenë të detyruar të kalojnë 25 orë në javë në mësimin e ‘vlerave daneze’, përfshi gjuhën vendase. Për më tepër, shkelësit e ligjit nga getot do të marrin dënime më të rënda për të njëjtin krim. Gjithashtu, disa prej shtëpive të ndërtuara nga shteti do të shiten, ndërsa banorët e tyre do dërgohen në lagje të tjera, në mënyrë që komunitetet emigrante të jenë më pak të lidhura.
Projektligji i qeverisë daneze është kritikuar ashpër nga aktivistët për të drejtat e njeriut, që e cilësojnë si një rrugë drejt shkeljes të të drejtave të njeriut. Edhe komunitetet e emigrantëve janë thellësisht të indinjuar. Sipas një prej pëfaqësuesve të tyre, kjo është një tendencë shumë e rrezikshme që i ngjan asaj që Gjermania implementoi në vitet 1930 dhe i bëri hebrenjtë përgjegjës për gjithçka që ndodhte në vend. “E njëjta gjë po ndodh sot në Europë, vetëm se me një minoritet tjetër (mysliman)”, thekson ai.
Plani për ‘shkatërrimin e getove’ suportohet nga e djathta ekstreme daneze, përfaqësues të së cilës mbrojnë se statistikisht disa grupe emigrante kanë një raport të lartë kriminaliteti dhe pasurimi, por një raport shumë të ulët punësimi.
Sipas analistëve, danezët tolerantë dhe mirëpritës kanë ndryshuar në 25 vitet e fundit. Kjo i bën ata të suportojnë planin për ‘shkatërrimin e getove’, që e konsiderojnë përmirësim të jetës në Danimarkë dhe si ndihmë për integrimin e fëmijëve.
Duhet theksuar se në Danimarkë, ashtu si në shumë shtete anëtare të BE-së, politikat që ata mbrojnë në lidhje me emigrantët do të jenë decizive për kandidatët e parliamentit europian, dhe, me sa duket, politikat e rrepta për emigrantët janë përditë e më tërheqëse për europianët.
e.ll./dita
