Mavraj premton respekt maksimal për garën

redaktor

Kombëtarja niset drejt Qipros me synimin për të marrë maksimumin, ndonëse tani mund të pretendohet vetëm vendi i katërt.

Kombëtarja kuqezi është nisur drejt Qipros për të luajtur ndeshjen e fundit për kualifikuesit e botërorit Brazil 2014. Skuadra e Xhani De Biazit shkon në takimin e fundit pas tri humbjesh radhazi, në vendin e parafundit dhe me shanse teorike për të zënë një vend më të mirë në renditje. Kuqezinjtë mund të zënë vendin e katërt nëse fitojnë në Qipro dhe Norvegjia nuk fiton kundër Islandës. Skenari nuk është i pamundur, duke pasur parasysh që Islanda luan për vendin e dytë, ndërsa Norvegjia nuk luan për asgjë, por që sigurisht nuk do të preferonte të zbriste edhe poshtë Shqipërisë. Para nisjes drejt Nikosias, ku do të luhet takimi, mbrojtësi Mërgim Mavraj ka premtuar se skuadra do ta respektojë deri në fund kompeticioni, duke kërkuar fitoren në ndeshjen e fundit. “Edhe pse jemi jashtë garës për t’u kualifikuar, duhet të fitojmë me Qipron që të jemi optimistë për sezonin tjetër”, tha mbrojtësi. Në fund të vitit hidhet shorti për kualifikueset e kampionatit evropian 2016 dhe në bazë të pikëve të marra në eliminatoret e botërorit do të përcaktohen vazot në short. Mavraj beson se Shqipëria është një ekip në rritje dhe që mund të bëjë më mirë për evropianin që do të zhvillohet në Francë. “Ne jemi skuadër e re, pa shumë përvojë. Duhet të përmirësohemi më tej dhe mendoj se të gjithë duhet të na japin kohë, ndaj besoj se në 2016 apo më tej mund të fitojmë diçka”, tha mbrojtësi, duke iu referuar në këtë mënyrë edhe rinovimit të kontratës së trajnerit Xhani De Biazi.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *