Fitorja e madhe e Salvinit

Edona Llukacaj

Fituesi në votimin e Italisë në zgjedhjet evropiane ishte partia anti-migrante e Matteo Salvinit, e cila mori një të tretën e votës italiane, duke forcuar kështu edhe kontrollin e tij në qeveri. Partneri i tij i koalicionit qeverisës, Lëvizja 5 Yjët, nga ana tjetër, ishte humbësi i madh, me vetëm gjysmën e këtyre votave.

Pas vetëm një viti qeverisje, rezultati i dy partive në pushtet ndërruan rolet, por Salvini, para votimeve, premtoi që të mos kërkojë shpërndarjen e koalicionit qeverisës, bën me dije Dita duke iu referuar mediave ndërkombëtare.

Luigi di Maio, kreu i Lëvizjes 5-Star lëshoi një deklaratë të shkurtër duke fajësuar suportuesit e partisë së tij për pjesëmarrje të ulët në votime. Faktikisht, pjesëmarrja në votime në Itali ishte më e ulët në krahasim me 5 vite më parë.

Në një fjalim të djelën në darkë, Matteo Salvini falenderoi italianët për rezultatet e votimit në zgjedhjet evropiane, ndonëse fitorja e Salvinit nuk ishte surprizë.  Megjithatë duhet theksuar se 34% e votave është një rezultat i bujshëm për një parti rajonale që grumbulloi vetëm 6% në zgjedhjet e BE-së pesë vite më parë.

Në fjalimin nga selia e partisë së tij në Milano gjatë, Salvini tha se “lindi një Europë e re”.

Më pas shtoi: “Jo vetëm La Lega është fituese në Itali, por Marine Le Pen është fituese në Francë, Nigel Farage është në vend të parë në Britani. Pra, Italia, Franca, Britania: kjo është një shenjë që Europa po ndryshon ,” duke shtuar se ishte krenar se partia e tij ishte pjesë e kësaj Rilindjeje të re Europiane.”

La lega e Salvinit duket të jetë partia me numrin më të madh të vendeve (për një parti) në parlamentin e ri europian.  Për këtë, Salvini tha se partia e tij do të përpiqet  për një projekt ekonomik në parliamentin e ardhshëm të BE-së.

Sidoqoftë duhet theksuar se fitorja e Salvinit në Itali nuk është reflektuese e fitoreve të partive nacionaliste të djathta në shtetet e tjera europiane, ku krahasimisht ata kanë marrë numër më të ulët votash dhe kjo pritet të ndikojë në implementimin e planeve të koalicionit të tyre të mundshëm në Parlamentin Europian.

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *