Rrënojat e një qyteti romak zbulohen pranë autostradës në Kent

Edona Llukacaj

Vendbanimi prej 18 hektarësh, përfshi monedha të rralla, enë qeramike dhe stoli që datojnë qysh nnë vitin 43 të erës sonë, janë zbuluar pranë një autostrade të madhe në Newington. Shenjat e një rruge 7m të gjerë janë gjetur gjithashtu, së bashku me mbetjet e një tempulli të lashtë.

Arkeologët anglezë e konsiderojnë zbulimin e qytetit romak dhe të rrugës si një zhvillim esencial për të kuptuar më mirë lashtësinë në ishullin anglez, ndërsa zbulimi shihet si një prej më të mëdhënjve në rajon.

Ndonëse ka pasur prova për një varrezë romake të lashtë në afërsi, që bënte ekspertët ta konsideronin këtë zonë si një fushë beteje të lashtë, zbulimi i qytetit hedh dritë mbi ekzistencën e një zone të mirëfilltë banimi dhe tregtie.

Duke cituar mediat angleze, Dita bën me dije se qyteti i lashtë u gjet teksa zona po bëhej gati për ndërtimin e 124 ndërtesave banimi.

Romakët e patën pushtuar Britaninë në vitin 43 të erës sonë dhe kanë qëndruar atje për gati 400 vite. Mbetje të pushtimit të tyre dhe bashkëjetesës me vendasit, që nga monedhat tek banjat romake, janë gjetur në të gjithë Britaninë.

Zbulimi në Kent, sidomos ai i rrugës kryesore në atë zonë, mendohet se mund të mundësojë  zbulimin e siteve të tjera të lashtësisë.

e.ll./dita

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *