VANGJUSH ZIKO
Klara E. Shtejn, (1946), linguiste, doktore e shkencave filologjike, specialiste në fushën e meta-poetikës shkruan:
“Meta-poetika është poetika sipas tekstit meta-poetik dhe metatekstit, poetika e vetëinterpretimit nga autori ose prej dikujt tjetër i tekstit të tij”.
Meta-poetika është ajo që përcakton kodin krijues të poetit.
- E. Shtejn shton, gjithashtu, se meta-poetika është në koraleacion të ngushtë me disiplina të tjera shkencore, filozofike dhe artistike, siç janë: sistemi figurativ, sistemi gjuhësor, sistemi filozofik kohor, sistemi kulturor.
Poezia e Moikom Zeqos është një krijimtari e veçantë dhe komplekse që kërkon, patjetër, jo thjesht një koment letrar , por një studim dhe interpretim kompleks të shumanshëm.
Zgjodha poezinë e tij “Psalm 153” për të bërë këtë sprovë modeste.
Psalmi 153
“ O, Fjalë e vërtitshme mes hapësirave,
që je Trandafil i Erërave!
Pse mermeri i skalit heronjtë
e vrarë mes baltës?
Ah, përfytyrimet janë kafshët,
që poeti i pjell në kopështin zoologjik
të metaforave!
Gjaku ikën si zvarranik i lashtë,
i kuq në shkretëtirën blu!
Dhe dëbora na mbështjell
si qëndisje baroke dantellash
bërë nga gishtat e magjishëm të ajrit!
O, gramatika memece e pasqyrave!
Pse fytyrën e Arkilokut e kam maskë
dhe kam gjithashtu mbi supe
një pelerinë anemonash dhe kristalesh?
O, drita të pagjumësisë hyjnore!
Këta semaforë janë piktura dadaiste,
ose janë epikriza e sëmundjeve të mia
për mjekët e kozmosit!
Dhe qivuri prej Hëne
e ka mbyllur brenda qytetin.
Me lopata gjethesh
e hedh dheun e dritës
mbi varrin e imazhit tim!
Mes sendeve të pavdekshme
pse isha (jam) kaq i vdekshëm?
Poeti, për shkruarjen e kësaj poezie, ka marrë për model Psalmin,- një nga format e liturgjisë fetare.
Psalmi biblik është një thirrje drejtuar Perëdisë në formën e lutjes për mëshirë dhe zemërgjerësi.
Psalmi, zakonisht, përshkruan gjendje të rënda të lutësit (sëmundje, përndjekje nga armiqtë, frikë nga vdekja).
Autori ka vendosur ta përdorë këtë veshje artistike jashtë kontekstit fetar, për të përshkruar një gjendje të vetën shpirtërore si përgjithësim filozofik dhe estetik.
Ai mbështet botëkuptimin ateist.
Por spunton, sidoqoftë e merr nga konteksti dhe nënteksti që i jep Bibla Fjalës (e para ishte FJALA).
Edhe kjo poezi fillon me vargun: “ O, Fjalë e vërtitshme mes hapësirave”).
Fjalë këtu nënkuton, për mua, Muzën, frymëzimin e tërëpushtetshëm.
Kësaj “perëndie” i drejtohet poeti, i lutet dhe i kërkon “ndihmë” dhe “zemërgjerësi”.
Tema, qëndrore e kësaj poezie është Vdekja, kjo padrejtësi absurde e pashmangshme, një temë e pazgjithshme filozofike e ekzistencës së qenies njerëzore:“pse isha (jam) kaq i vdekshëm?”.
Çdo krijim poetik ka dy lexime: leximin horizontal dhe atë vertikal.
Leximi horizontal është leximi tërësor, i pandërprerë, që na përfton brendinë e vetë krijimit poetik.
Leximi vertikal na shfaq harmonizimin e fjalëve në varg, leximin e tyre të llogjikshëm, i cili na zbulon thelbin dhe logjikën e këtij konstrukti poetik.
Na përcakton fjalët piketa, fjalët kyçe që e zbulojnë formën e brendshme dhe brendinë emocionale të poezisë, fjalët kyçe, që përbëjnë edhe kodin poetik të saj.
Ky kod është veçanërisht i rëndësishëm për ta kuptuar dhe vlerësuar poezinë e jashtëzakonshme konceptuale të Moikom Zeqos.
Në leximin tim, këto janë fjalët kyçe (duke ndjekur radhën në zbritje të vargjeve):
“Fjalë e vërtitshme”
“zvaranik në shkretëtirë”
“maska e Arkilokut”
“pagjumësia hyjnore”
“epikriza e sëmundjeve të mia”
“dheu i dritës”
“pse isha (jam) kaq i vdekshëm?”
Fjala e parë, në kuptimin metaforik, na flet për “flugerin”, diagramën vektoriale të mendimeve të poetit, që vërtiten në shtjellën midis ekzistencës dhe mosekzistenës njerëzore.
Fjala e dytë aludon për përjetime të ankthshme të egra në jetën “shkretëtirë”.
Fjala e tretë na shfaq zemërimin shpirtëror të heroit lirik ndaj kësaj “shkretëtire” në mënyrë alegorike me maskën e poetit antik grek.
Fjala e katër dhe e pestë alarmin e tij si një alarm kozmik.
Fjala e gjashtë dëshmon se lutja, psalmi i tij, është pranuar nga qielli, nga mëshira hyjnore.
Poezia mbyllet me një pyetje retorike pa përgjigje.
Vdekja fizike është e pashmangshme!
Ky lexim vertikal na zbulon llojin poetik që ka zgjedhur, psalmin biblik me të gjitha shkallëzimet emocionale.
(Në të njëjtën kohë përcakton dhe raportin disa dimensional të kohës, tejkalimin e kohës aktuale në kohën universale).
Në ndihmë të meta-poetikës apo të kodit poetik vijnë edhe sistemi gjuhësor dhe ai figurativ.
Poeti u jep fjalëve ngjyrime të shumëllojshme emocionale-artistike (“ heronjtë e vrarë mes baltës”,”dheun e dritës “,”gramatika memece”; fjalë me ngjyrim filozofik(“ pagjumësi hyjnore”)
Poeti nëpërmjet sistemit figurativ, pasthirmave:
“ O, Fjalë e vërtitshme mes hapësirave”,
”O, gramatika memece e pasqyrave!”,
“O, drita të pagjumësisë hyjnore!”,
“Pse mermeri i skalit heronjtë e vrarë mes baltës?”
na jep raportin e me fatin dhe rebelimin ndaj tij nëpërmjet gjendjeve të ekzaltuara shpirtërore; me metaforën ( “ Trandafil i Erërave”) na flet për stuhinë e mendimeve dhe ndjenjave, që ka pushtuar shpirtin e poetit.
Ndërsa, për ngushëllimin dhe pajtimin fatalist të heroit lirik na flet përshkrimi përngjasues i nënkuptuar mbi një funeral social dhe individual mbi një tragjedi personale dhe kolektive sociale të pashmangshme të përligjur providencialisht:
“Dhe qivuri prej Hëne
e ka mbyllur brenda qytetin.
Me lopata gjethesh
e hedh dheun e dritës
mbi varrin e imazhit tim!”
Ligjërimi poetik i Moikom Zeqos na dëshmon për një karakteristikë të veçantë të kodit poetik të poetit,- që është enciklopedizmi i tij i jashtëzakonshëm në fusha të ndryshme të dijes.
Na flet për një formim të tij të gjithanshëm, që i jep aftësinë dhe mundësinë për të krijuar një përfytyrim të intelektit dhe të botës së tij të pasur shpirtërore.
Në këtë poezi kjo shënjohet që në titullin e saj “psalm” i marrë nga bibla, jo vetëm si fjalë, por edhe si një atribut artistik i një gjinie poetike biblike, të cilën e përdor si një veshje adekuate të mendimit të tij artistik.
Piktura dadaiste i vjen në ndihmë me tiparet e saj karakteristike anarkiste për të dhënë “epikrizën” e turbullirës së vet shpirtërore përballë fatalitetit tragjik të ekzistencës.
Kurse njohja e poezisë antike (maska e Arkilokut) i vjen në ndihmë për ta dhënë në mënyrë të figurshme zemërimin e tij të makthshëm dhe cinik, që i shkakton dueli absurd fatalist i qenies së tij të dënuar me asgjësim fizik të shoqëruar me cinizëm.
Arkiloku është një poet antik grek, që ka shkruar vargje jambike të kumbueshme me shijen e një zemërimi përvëlues.
I tillë është vetë zemërimi i Poetit ndaj hipokrizisë fataliste që skalit në mermer në mes të baltës bustin e ”heronjtë e vrarë”.
Dhe. ashtu si e kërkon logjika hyjnore e psalmit biblik, Fjala( Muza) dhe bashkë me të “Kozmosi i pavdekshëm” i hedh mbi varr heroit lirik “me lopata gjethesh dheun e dritës”!
Lutja e Psalmit u pranua!
Heroit lirik të vdekshëm i premtohet Pavdekësia!
E tillë është poezia konceptuale e jashtëzakonshme e Moikom Zeqos!
Në këto lartësi të vështira, por sublime, në këto revelacione shpirtërore dhe intelektuale na ngre ajo artistikisht, estetikisht dhe filozofikisht!
Duke perifrazuar një shprehje të Lesingut,- do të shtoja se Moikom Zeqo zbret nga Parnasi poetik i tij me togën e filozofit dhe të eruditit mbi supe.
Duke mbetur përherë poet, një Poet i Madh me vizion avanguardist të jashtëzakonshëm, jo vetëm për poezinë tonë.

Me pelqen qe ne ate vend ka akoma njerez te ktij niveli ,
te afte te spjegojn jovetem anen artistike e kodin e stilin e X poeti ,
por edhe ta levrojne ate me nji gjuhe te pasur e te kuptushme petagogjike ,per shume lexues ;qe i mungon ai nivel e njohurite mbi letersine ne pergjithsi .
Literatura lexohet ne disa menyra e jo thjeshte nga ai kenveshtrim objektive ,sepse ne tipa poetesh si Moikomi do ishte pothuaj e pamundur te shikonim qarte ne kte lanbirinth metaforik i cili autori e gjen ne nji far te papregatitur lexuesin shqiptare ,ne befasi !!!
Per nji dicka jame kurjoz nese Moikomi i shef qart vet kto Metafore apo eshte thjeshte intuitive prej tij ardhur nga ajo
si edhe Autori i ktij shkrimit aq mrekullushem e spjegon
nga begraundi i Moikomit .
Sidoqofte ,nuk eshte e lehte te shikosh qarte si ne nji Film rrugen qe ndjekin kto metafora ,qe pikenisjen e kane nga Antika ne diten tona …
Per mua eshte nji Fenomen shume i rralle ,qe kerkon vemendje e studime ne katedrat e Letersise ne Shqiperi .
Nuk do ishte keq qe metaforat te kalohen e filtrohen per t’u ber me te qarta per syt e lexuesit apo dashamiresve te Letersise ,nga studjues edhe si ben i nderuari V.Z ne kte shkrim lexion te shkelqyer .
Lexuesi duhet te kuptoje psh , qe me pasqyra -ne kuptojme ate reflektim te brendshem njerezor = ndergjegjen njerezore ose refimin perball Zotit .
Dhe duke mos u zgajatur shume ,do thoja se Muza – eshte ajo Drit ai Diell i vogel ne formen e zemres brenda shpirtit Krjues te Poetit qe e pompon ate me esencen e krijimtarise duke ndezur ate flake pasioni te brendshem ,mungesa e se ciles con ne mossuxes te gjithckaje qe krijohet pa pranine e saj ke poeti.eshte ai zjarre i padukshme qe ndjek zemren e poetit gjate jetes se tij .
Pa Literaturen ,njerezimi kjo Bote do ishte me e erret ne gjyra se eshte sot .
Metaforat e Moikomit vijne nga rruge mjaft e larget ne shekuj dhe natyrishte qe nuk eshte e thjeshte te besh nji Pamje te qarte ne foto ,por ato imagjinohen ,te japin nji ide te qarte ,se per cfar behet fjale .Eshte thjeshte Mister …Poezia dhe metaforet si Aktore te ksaj Drame njerezore shpesh here i ngjjane atyre Figurave te qendisura me ate fill te art te misterit krijues .
Respekt edhe njiher per kte shkrim brilant mbi poetiken e stilin e kodit Moikom-jan dhe sdo ishte keq qe ne te ardhmen te ket me shume ,debate -shkrime krijime te tilla .
Ndoshta lexuesit , nuk do t’i zgjidhte Literatura problemet e jetes ,por ajo i qendron prane atij asaj dhe vuan bashke me te ,duke u munduar te ndricoje beje drit aty ku ala ka erresire …