Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, parashikon që Shqipëria do të përballet ashpër vitin tjetër me krizën ekonomike “ndoshta më të madhen e këtyre viteve”. Gjithashtu, Shehi ka komentuar edhe situatën politike në vend, duke theksuar se ka një boshllëk ideologjik, i cili reflektohet përditë në punën e partive.
“Është në një gjendje të vështirë, gjykoj se kjo vështirësi vjen nga standardet klasike që Shqipëria ka pasur në këto 20 vjet tranzicion e shumëzuar kjo dhe me një koeficient, unë do ta emërtoja si; koeficientin zgjedhor. Që do të thotë: ajo që normalisht është pranuar si normalitet në Shqipëri, me gjithë defektet e veta, kuptohet gjatë periudhës parazgjedhore ashpërsohet, rritet, tensionohet gjithnjë e më shumë, gabimi bëhet edhe më i dukshëm.
Sepse ne jemi futur në një sistem zgjedhor me mentalitet zgjedhjesh i cili është komplet i gabuar, me pak fjalë ne vazhdojmë me inercinë e shtetit jo demokratik dhe të një shoqërie jo demokratike, por, post-komuniste. Që do të thotë se, kemi trashëguar të njëjtin sistem partiak, por jo njëpartiak po shumëpartiak.
Ideja e partive me seksione, ideja se partia është një strukturë permanente, luftarake që duhet të jetë në shesh të betejës çdo ditë, si komitetet e vjetra të partisë. Kur në fakt, ne duhet të bënim një fushatë fare të shkurtër vetëm një muaj, dy muaj dhe pjesa tjetër t’i ngarkohesh punës normale që ka një shtet. Të gjitha këto defekte që ka shoqëria shqiptare, shteti, qeveria sigurisht që bëhen gjithnjë e më të dukshme edhe amplifikohen”, shprehet Shehi në intervistë ne shtypin e sotem.
