Euro e ka nisur me rritje këtë javë, duke rikuperuar pikët që kishte humbur javën e kaluar.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye këtë të martë me 122.85 lekë, duke u rrit me 0.42 lekë, fitimi më i madh ditor që prej muajit prill. Që nga e hëna, euro ka rekuperuar 0.53 lekë.
Javën e kaluar, euro zbriti në 122.3 lekë, duke arritur në nivelin më të ulët në 11 vjet. Aktorët e tregut paralajmëruan se ulja erdhi pasi bankat po përgatiteshin të bënin disa transaksione të mëdha për blerje valute dhe si rrjedhojë kishin interes të ulnin kursin e këmbimit të euros, në mënyrë që të blinin monedhën e përbashkët me një kurs sa më të favorshëm.
Pasi euro ra javën e kaluar, duke humbur 0.94 lekë, dy ditët e fundit bankat kanë dalë në treg me kuotime më të larta, çka ka ndikuar në forcimin e monedhës së përbashkët europiane.
Por, pavarësisht forcimit, euro vijon të luhatet afër niveleve më të ulëta të vitit dhe afër kuotave më të ulëta të 11 viteve.
Që nga mesi i vitit 2016, euro ka humbur vazhdimisht pikë, duke u nënçmuar me gati 16 lekë, ose 11.3%.
Oferta e shtuar në euro nga njëra anë, dhe ngadalësimi i qarkullimit të monedhës vendase në anën tjetër,janë arsyet e tendencës të ulët të euros.
Kjo tendencë përkon me rritjen e aktivitetit informal të kultivimit të kanabisit në vend, që më pas u shoqërua me tregtinë e drogave më të forta, çka solli shtim të valutës në vend, e kanalizuar kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme.
Operatorët e tregut pohojnë se euro e dobët po ndikohet nga kushtet e paqëndrueshme atmosferike, të cilat kanë ulur qarkullimin e biznesit, por edhe nga kriza politike ku është zhytur vendi, e cila është reflektuar te rënia e konsumit. Rënia e parasë në qarkullim dhe oferta e lartë në valutë ka bërë që euro të shënojë rekorde të njëpasnjëshme të ulëta.
Për periudhën e verës pritshmëritë janë që euro të mbetet e dobët, për shkak të ofertës së shtuar në valutë nga turistët dhe emigrantët.
Burimi: Monitor
e.ll./dita
