Qeveria kineze është shqetësuar nga angazhimet e Uashingtonit me Taivanin, dhe i ka kërkuar administratës Trump të ndërpresë angazhimet diplomatike me ishullin, pas një takimi shumë të pazakontë midis zyrtarëve të lartë nga SHBA dhe Tajvani.
Në maj, këshilltari për sigurimin kombëtar të SHBA-së, John Bolton, u takua me një nga zyrtarët më të lartë të Tajvanit, Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Sigurimit Kombëtar David Lee, gjatë vizitës së këtij të fundit në SHBA.
Agjencia zyrtare e lajmeve e Tajvanit tha se ishte takimi i parë midis këshilltarëve të lartë të sigurisë të dy qeverive që nga 1979, kur Uashingtoni ndau lidhjet formale me Taipein.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Lu Kang deklaroi të hënën se Pekini “e kundërshtonte fuqishëm” takimin dhe i kërkoi SHBA-së të ndalonte “shkëmbimin zyrtar ose përmirësimin e marrëdhënieve substanciale me Tajvanin”.
Kujtojmë se Tajvani dhe Kina u ndanë në fund të një lufte të përgjakshme civile në vitin 1949 dhe zyrtarisht SHBA ka marrëdhënie zyrtare diplomatike vetëm me Pekinin.
“Parimi një-Kinë është baza politike për marrëdhëniet Kinë-SHBA,” nënvizoi zëdhënësi. “Ne jemi kundër angazhimit të SHBA-ve në kontakt zyrtar me Tajvanin në çfarëdo forme dhe me çfarëdo preteksti. Ne gjithashtu qëndrojmë me vendosmëri kundër çdo përpjekjeje për të krijuar ‘dy Kinë’ ose ‘një Kinë, një Tajvan’. Ky është pozicioni ynë i qartë dhe i qëndrueshëm “.
Ndërsa Kina dhe SHBA po angazhohen në një luftë të tensionuar tregtare, Uashingtoni duket se po ndërton lidhje me Tajvanin, ishullin që Kina e sheh si një provincë të vetën.
Të shtunën, Tajvani zyrtar njoftoi se kishte riemëruar ambasadën e tij jozyrtare në Uashington nga Këshilli Koordinues për Çështjet e Amerikës së Veriut në Këshillin e Tajvanit për çështjet e SHBA, pas diskutimeve me Uashingtonin. Kjo ishte hera e parë që një organizatë qeveritare e Tajvanit ishte riemëruar duke përfshirë fjalët “Tajvan” dhe “SHBA”, bën me dije Dita duke iu referuar mediave ndërkombëtare.
e.ll./dita
