Ministria e Ekonomisë, Transportit dhe Energjetikës e ka cilësuar ndërprerjen e energjisë elektrike gjatë ditëve të fundit si një moskryerje e detyrës nga ana e CEZ-it, gjë që mund të çojë në tensione publike. Përmes një deklarate për shtyp, zv. ministri i METE-s, Eno Bozdo, tha se CEZ Shpërndarje se do mbajë përgjegjësi penale për mosfurnizimin me dashje apo pa dashje të vendit me energji elektrike.
“METE kërkon nga CEZ-i të mos provokojë tension publik. Mosofrimi i një shërbimi të domosdoshëm përbën një vepër penale dhe të gjithë ata të cilët nuk e ofrojnë këtë shërbim duhet të përgjigjen para ligjit sot, nesër apo në të ardhmen” tha Bozdo.
Bozdo e cilësoi të dobët performancën e CEZ-it, e cila sipas tij ka shkaktuar ndërprerje të enegjisë në disa zona gjatë ditëve të fundit. Ai ka kërkuar nga CEZ Shpërndarje që të merren masa për sigurimin e pajisjeve shtesë që do të duhen për furnizmin normal me energji gjatë dimrit.
“METE është duke ndjekur situatën për çdo ndërprerje të enegjisë. Ndërprerjet e energjisë janë pasi CEZ-i s`ka përmbushur detyrimet e saj dhe kohëzgjatja e defekteve është rritur në mënyrë jonormale në sajë të performacës jo të mirë të saj”, tha Bozdo.
