Një numër i konsiderueshëm llogarish të rreme të mediave sociale që përhapin mesazhe në mbështetje të Iranit janë fshirë nga Facebook dhe Twitter. Fshirja e llogarive erdhi pas një hetimi nga firma e sigurisë të internetit FireEye.
Facebook dhe Twitter thanë të martën se ata kishin fshirë një numër llogarish të rreme që pretendonin se ishin politikanë e gazetarë dhe përdoreshin për të bërë fushatë pro-Iranit në rrjete sociale.
Facebook deklaroi se kishte hequr 51 llogari, 36 faqe dhe shtatë grupe nga platforma e tij, si dhe tre llogari nga shërbimi i saj Instagram.
Llogaritë drejtoheshin nga individë që “mashtronin njerëzit”, tha gjiganti i medias sociale në një deklaratë nga zyrtarët e tij të sigurisë kibernetike.
Facebook tha se kishte arritur në përfundimin se aktiviteti i mediave sociale e kishte origjinën në Iran.
Ndërsa Twitter bëri një deklaratë ku tha se kishte fshirë një rrjet prej 2.800 llogarive të rreme po me origjinë nga Irani, në fillim të muajit majit, duke shtuar se hetimi rreth kësaj çështje vazhdonte.
Në deklaratën e Facebook thuhet se vendimi për të fshirë llogaritë erdhi pas hetimit të një të dhëne nga FireEye, një firmë e sigurisë në internet.
Gjithashtu, FireEye u prononcua në lidhje me këtë çështje. Të martën u deklarua zyrtarisht se një rrjet i llogarive të mediave sociale përdorte persona të rremë amerikanë për të përhapur mesazhe në mbështetje të Iranit dhe kundër presidentit amerikan Donald Trump, bën me dije Dita, duke cituar mediat e huaja.
e.ll./dita
