Luan Rama: Rekomandimi i sotëm nxjerr zbuluar atë që ne e kemi denoncuar një vit më parë

Bora Basholli

Rekomandimi i sotëm nxjerr edhe njëherë zbuluar atë që në fakt ne e kemi denoncuar që një vit më parë, gënjeshtrën e para një viti kur qeveria me hipokrizi dhe pafytyrësi i gënjeu shqiptarët duke ua paraqitur atyre rekomandimin e 2018-ës si vendim për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Kështu është shprehur në një deklarata për mediat e zëvendëskryetarit të LSI-së, Luan Rama. Ky i fundit u shpreh se:

Jo vetëm kaq, por u bë dhe festë, u hapën shampanja, pati mesazhe emfatike edhe nga ish-eurodeputetë, siç pati një ceremoni shpërndarjeje dekoratash nga Kryeministri për disa ambasadorë që kishin luajtur apo kishin ndikuar sipas tij me rolin e tyre të veçantë për të mundësuar çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Mirëpo ja ku jemi prapë sot në rekomandimin e radhës që gjithashtu ka të bashkëlidhur edhe shumë “por”, por si kushtëzuese dhe duhet gjithashtu si kushte të cilat Shqipëria do duhet ti përmbushë. Për koherencë, më lejoni t’ju bëj të qartë dhe të sjell në vëmendje tuaj se një vit më parë, pra përpara sesa Komisioni Europian në vitin e kaluar të bënte rekomandimin e radhës, opozita i ndërpreu protestat, ndërpreu reagimet demonstrative për të krijuar kushtet që rekomandimi i 2018-ës, të gjente miratimin e Këshillit dhe për rrjedhojë Shqipëria të meritonte çeljen e negociatave, gjë që nuk ndodhi.

Edhe në kuadër të këtij viti, pas bojkotit parlamentar prej shtatorit deri në dhjetor të vitit të kaluar, opozita u rikthye në Kuvend për t’i dhënë mundësi reflektimi të gjithë klasës politike, por dhe për t’i ofruar shansin mazhorancës që të institucionalizohej dialogu politik, që të krijohej një klimë bashkëpunimi dhe mundësisht kompromisi për të mbërritur tek një pakt kombëtar për integrimin europian të vendit, pasi përmbushja e këtij prioriteti është mbi të gjitha detyrë atdhetare, detyrë patriotike dhe që ka si komponentët e përbashkët interesin e Shqipërisë dhe përmbushjen e dëshirës së qytetarëve shqiptarë për tu bërë dhe ata pjesë e bashkësisë së vlerave të familjes europiane.

Mirëpo çfarë ndodhi?Qeveria, mazhoranca me arrogancë dhe me mospërfillje, me fyerje, refuzoi klimën e bashkëpunimit dhe të kompromisit. Sabotoi edhe Paktin Kombëtar për integrimin europian, duke e kthyer këtë prioritet kombëtar në një sfidë të egos së vet politike dhe duke demonstruar në këtë mënyrë jo thjesht dhe vetëm mungesë vullneti, por ç’është më e rënda duke e sabotuar me papërgjegjshmërinë në qeverisje të gjithë procesin e integrimit europian të Shqipërisë, çka dëshmohet tek dy nënvizime të rëndësishme që përmbajnë edhe rekomandimet e sotme dhe që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të këtyre dy sëmundjeve endemike të shoqërisë shqiptare.

E afërmendsh, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë detyrat e para të qeverisë, ashtu sikundër korrupsioni dhe krimi i organizuar janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë, e cila mesa duket dëshmon se nuk ka prioritet integrimin europian të vendit, dëshmon se ka një axhendë tjetër të ndryshme nga axhenda kombëtare e integrimit europian të Shqipërisë.

Prandaj theksohet dhe kjo është e rëndësishme në rekomandim, se Shqipëria duhet të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar, duhet të vazhdojë luftën kundër korrupsionit. Por edhe duke mbërritur në një konsensus të fortë kombëtar për të bërë të mundur përmbushjen e këtij prioriteti kombëtar. Edhe njëherë dua të theksoj, nuk thotë kot populli, gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, pavarësisht se e keqja e qeverisë për fatin e keq të shqiptarëve i ka jo vetëm këmbët, por edhe duart e gjata.

 

B.B/DITA

Share This Article
1 Comment
  • Ke te drejte… ta fillojme nga korrupsioni se si i beri meta 12 banjo ne gjirin e lalzit??? Tju marrim te gjithe me rradhe nga i pari tek i fundit e tju shohim se sa te pakorruptuar jeni, kur jeni per interes kombetar pse nuk futeni ne zgjedhje e ta largoni me vote kete qeveri ordinere apo se e keni kuptuar qe sju vjen me njeri nga mbrapa as ju e as atyre qe jane sot ne pushtet…kaq e patet ju qe ikni nga fryn era sa rate nga pushteti ju rane puplat

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *