Studimi i dokumentave që mbahen në Arkivën e Shtetit është një nevojë e padiskutueshme si për studiuesit e fushave të ndryshme ashtu edhe për studentë të të gjitha niveleve, nuk ka ndodhur rrallë që këta individë të ankohen për nivelin e shërbimit në Arkiva, sidomos për orarin e kufizuar kur sallat e studimit jan ëtë hapura.
Duke marrë parasysh se individët e interesuar të hulumtojnë në Arkiva kanë tendencën të kenë impenjime të tjera gjatë orarit zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli sot një risi në lidhje me shfrytëzimin e Sallës së Studimit. Duke filluar nga data 15 Qershor 2019, salla e studimit do të funksionojë edhe pasditeve deri në orën 19:00 dhe gjithashtu do të qëndrojë e hapur edhe ditën e shtunë. Kjo risi pritet t’i vijë në ndihmë të gjithë studiuesve dhe të interesuarve që duan të shfrytëzojnë ambientet e kësaj salle, shkruan Klan.
Këtë njoftim e bëri të ditur në prani të studiuesve Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido ku tha se “ashtu si dhe në arkivat më të mëdha perëndimore, është një ndihmë që iu vjen studiuesve të cilët tashmë nuk kanë nevojë që të marrin leje nga puna e tyre, në mënyrë që të vijnë në arkiv, po kanë mundësi që të programojnë kohën, të vijnë atëherë kur ata kanë mundësinë dhe të mundet të nxisim në këtë formë studimet, sidomos në fushën albanologjike, ku Arkivi Qendor Shtetëror është burimi më i madh”.
“Pas dy viteve që ne kemi punuar për këtë risi tashmë janë pjekur kushtet dhe kemi mundësuar nëpërmjet sistemeve elektronike që të ndahet puna e vendruajtjes dhe e sallës përmes procedurës dhe jo përmes pranisë fizike të individëve, sikurse kemi dhe bazën ligjore që na i mundëson këtë gjë”, informoi Bido.
E pranishmë në këtë prezantim, studiuesja Ana Lalaj tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm, sidomos për studiuesit e rinj, ata të cilët aspirojnë për të mbrojtur masterin apo doktoraturën, të cilët janë në marrëdhënie pune. Duke ardhur pasditeve, duke ardhur edhe të shtunave, kjo i vjen në ndihmë edhe personave që vijnë nga rrethet, jo vetëm studiuesve nga Tirana.
Të pranishëm ishin edhe Drejtori i Arkivave të Ministrisë së Mbrojtjes, Teki Kurti, Drejtori i Kërkimeve Shkencore në Akademinë e Sigurisë, Xhavit Shala, Pedagogu i Fakultetit Histori-Filologji, Artan Puto dhe studiues të tjerë të cilët mbështetën këtë nismë që ndihmon dhe lehtëson punën studimore.
e.ll./dita
