Trump dhe Erdogan, të hapur për diskutim

Edona Llukacaj

Presidenti i SHBA Trump dhe ai i Turqisë, Erdogan kanë zhvilluar një bisedë telefonike gjatë ditës së mërkurën. Gjatë kësaj bisede është vendosur mbi takimin e tyre në Samitin e G20, që do të zhvillohet në Japoni më 28 dhe 29 qershor.

Dy liderët diskutuan rreth çështjeve me rëndësi, si intensifikimi i marrëdhënieve tregtare mes dy shteteve, plani i Turqisë për të blerë sistemin mbrojtës raketor S-400 dhe “mundësinë për ta vazhduar diskutimin rreth kësaj” gjatë Samitit G20, informoi nepërmes një emaili zyrtar zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere.

Kujtojmë se Dita ka raportuar tensionet mes dy anëtarëve të NATO-s qëkut Turqia vendosi  blerjen e S-400 nga Rusia dhe SHBA e konsideroi këtë si diçka që komprometonte pjesëmarrjen e Turqisë në prodhimin dhe blerjen e avionëve ushtarakë F-35.

Uashingtoni nuk i është përgjigjur akoma Ankarasë në lidhje me ofertën e tij për krijimin e një grupi të përbashkët pune që do të vlerësontë ndikimin e S-400, të dyshuara se mbartin edhe teknologji spiunazhi ruse, mbi avionët F-35. Kjo kërkesë është bërë sërish gjatë telefonatës nga presidenti Erdogan, bëjnë me dije mediat turke.

Më parë Uashintoni e ka kërcënuar Turqinë me sanksione në rast se kjo e fundit nuk do hiqte dorë nga plani i blerjes së S-400, që, sipas prononcimeve të zyrtarëve të lartë turq, do t’i dorëzohet Turqisë në korrik.  Sanksionet do ta rëndonin edhe më ekonominë turke, që po kalon çaste të vështira me rënien e lirës turke me 14% këtë vit.

SHBA dhe Turqia kanë edhe mosmarrëveshje të tjera, përfshi politikat kundërshtuese në lidhje me Sirinë dhe sanksionet e Shteteve të Bashkuara për Iranin, raporton Dita, duke iu referuar mediave të huaja.

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *