Secilit dietën e tij! Çfarë duhet pasur parasysh kur duam të dobësohemi

Leda Hysa

Nga Entela Resuli – DITA

Kjo është periudha kur kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës mbushen plot me vrapues. Janë të shumtë ata që dalin për të hequr kilet e tepërta, pasi vera të bën që të ekspozosh më tepër trupin.

Por jo të gjithë kanë vullnet dhe mundësi për të kryer aktivitet fizik, për shkaqe të ndryshme: Disa punojnë me orë të gjata, ndërsa të tjerë janë “përtacë” ndaj kësaj rutine.

Një tjetër alternativë për të rënë në peshë është mbajtja e dietës.

Rrjetet sociale janë të mbushura plot me receta dietash të cilat të ofrojnë rënie të shpejt, por shpesh ato nuk kanë rezultat.  Kjo pasi, sipas specialistëve çdo individ duhet të ketë dietën e tij. Çdo organizëm është i ndryshëm nga tjetri e për pasojë, ka nevojë për një analizë dhe një dietë të personalizuar.

Në kryeqytet janë hapur disa qendra që ofrojnë ushqim dietik. Që do të thotë; nëse je gjatë ditës në punë apo je mësuar me një stil të ushqyeri që të bën të vësh peshë, atëherë shëndetin tënd mund t’ia lësh nën “menaxhim” specialistëve që të përcaktojnë se çfarë dhe kur duhet të ushqehesh.

 

Fiona Konomi

Fiona Konomi ka përfunduar studimet për Farmaci dhe pas dy vitesh eksperiencë pune në këtë fushë kuptoi se dëshironte të vijonte në një dimension tjetër, por duke qëndruar brenda fushës së saj. Dëshira për t’u marrë me trupin e njeriut, me aktivitetin fizik e bëri që të vazhdonte një master 2-vjeçar në Itali për nutricion të përgjithshëm dhe në fushën e sportit.

Pasi mori të gjitha bazat dhe u diplomua në këtë fushë, u kthye në Shqipëri dhe sot drejton qendrën “Myfood Albania”.

Në fillim nuk ka qenë e lehtë për të, por rezultatet që ka patur me klientët e kanë bërë që ajo të ndjejë kënaqësi për punën që bën.

Në këtë rrugë Konomi nuk është vetëm. Pjesë e qendrës që ajo drejton është edhe Rigers Mehmeti, partneri i saj në jetë dhe në punë. Ai është sportist dhe instruktor fitnessi.

Kur dieta dhe aktiviteti fizik kombinohen së bashku atëherë rezultati është më i shpejtë dhe i qëndrueshëm.

Dieta e Fionës

Duke u nisur nga familja ime, ku gjysma e saj janë mjek, që e vogël kam patur gjithmonë kuriozitet për trupin e njeriut dhe se si funksionon ai. Sa herë ata diskutonin me njëri-tjetrin për problematika të ndryshme impresionohesha se sa i ndërlikuar ishte trupi i njeriut. Njërin nga gjyshërit e kam patur mjek dhe tjetrin të pasionuar pas agrikulturës”- tregon Fiona për Dita-n.

Konomi ka ndjekur një rrugë të gjatë për të realizuar ëndrrën e saj.

Me kalimin e viteve, ku lëndët e mija të preferuara ishin Biologjia dhe Kimia, dhe vendosa që profesioni im i ardhshëm duhet të ishte mjeke. Në këtë pikë pata një kundërshtim nga familja ime, të cilët duke e njohur shumë mirë lodhjen e profesionit, vështirësitë dhe sakrificat e tij më bindën që të vazhdoja degën e farmacisë. Në këtë mënyrë do të kisha sërish lidhje në fushën e mjekësisë.

Pas një studimi 5-vjeçar në degën e farmacisë pranë universiteti “Zonja e Këshillit të Mirë”, vendosa të zhvilloja një temë eksperimentale në Milano, duke më dhënë mundësinë të kisha një diplome italo- shqiptare.

Pasi punova 2 vite në Itali për të marrë eksperiencë në fushën farmaceutike, vendosa të kthehem në Shqipëri dhe të kontribuoj në vendin tim. Pas një eksperience dy-vjeçare në tregun farmaceutik shqiptar, ndjeja se duhet te bëja diçka më shumë. Në këto vite eksperiencë pune konstatova se një nga problematikat më të mëdha që njerëzit kishin, qoftë në raste sëmundjesh të ndryshme, ashtu edhe në mirëmbajtjen e shëndetit dhe trupit të tyre, ishte mënyra e të ushqyerit.

Prandaj vendosa të thelloja më shumë njohuritë e mija në fushën e nutricionit, duke ndjekur një master në Ankona, Itali. Pas dy vitesh master u diplomova për nutricion të përgjithshëm dhe në fushën e sportit”.

 Tashmë fokusi i saj janë dietat, por jo vetëm ato të dobësimit.

Fiona na tregon se: “Ne nuk jemi të fokusuar vetëm në dieta dobësimi. Përgjithësisht aplikojmë dhe mundohemi të ndërgjegjësojmë në lidhje me mënyrën e duhur të të ushqyerit. Kohët e fundit në Shqipëri, njerëzit janë ndërgjegjësuar se sa i rëndësishëm është shëndeti i tyre dhe ushqimi. Pas një kohe të gjatë, pas viteve ‘90, është abuzuar në masë me mënyrën e të ushqyerit jo të saktë. Kjo ka sjellë shumë pasoja në shëndetin e njerëzve duke rritur incidencën e sëmundjeve si hipertensioni, diabeti, obeziteti dhe sëmundje të tjera metabolike. Në këtë pikë njerëzit kanë rifilluar t’i kushtojnë rëndësi mënyrës se si ushqehen. Dhe kur flasim për dieta nënkuptojmë, një mënyrë të ushqyeri të shëndetshme.

Duke qenë se mënyra e të ushqyerit është një ndër problematikat më të mëdha vitet e fundit, më bëri të fokusohem tek dietat”.

 Si funksionon puna juaj?

Në fakt nuk jam vetëm unë, por kam një staf puna e të cilëve është e ndërlidhur mes tyre.

Stafi ynë është i përberë:

·         Nga një mjeke, e cila kontrollon dhe analizon gjendjen fizike të personave të interesuar.

·         Nutricionistja, e cila në bazë të analizave zhvillon dietën e personalizuar, duke u bazuar tek objektivi i personit.

·         Personal trajner, i cili i ndjek në palestër aktivitetin fizik që i nevojitet personit për të arritur qëllimin e tij.

·         Fizioterapist, i cili ndjek problematikat e caktuara të klientëve.

·         Kuzhinierët, ata që gatuajnë dhe zbatojë recetat që u jepen nga specialistët.

-Fiona, duket se gjithmonë më tepër është bërë e domosdoshme të konsultohesh me një dietolog për ushqimin që do të duhet të konsumosh, pse?

Siç përmenda dhe me sipër njerëzit kanë filluar të ndërgjegjësohen sa e rëndësishme është të ushqehesh shëndetshëm. Sot burimet e informacionit janë të shumta dhe kjo ju jep mundësi të krijojnë një ide se çfarë ushqimesh duhen të konsumojnë. Por stili i jetës i ngarkuar, nuk u jep kohën për të marrë informacionin e duhur, a po ashtu dhe burimet e informacionit nuk janë gjithmonë të besueshme. Në problematika të ndryshme shëndetësore personat e kanë të pamundur të kenë informacionin e duhur, thjesht duke u bazuar tek interneti. Për këtë arsye është i rëndësishëm konsultimi me personin e kualifikuar, siç është dietologu.

-Dhe si bëhet përzgjedhja e dietës për një klient të caktuar?

Pasi shihet gjendja shëndetësore e individit, përcaktohet nëse ka ndonjë problematike ose jo. Në rast se kemi të bëjmë me një problematikë, përcaktohet lloji i saj dhe më pas bëhen matjet antropometrike.

Në bazë të tyre dhe objektivit të klientit, përcaktohet lloji i dietës, dozat ditore të nevojshme të makro dhe mikronutrienteve dhe shpërndarja e vakteve gjatë ditës.

-Ndarja në porcione ditore e ushqimit bëhet duke kategorizuar shijet me vaktet dhe metabolizmin e klientit, si funksionon?

Secili prej nesh ka një metabolizëm ndryshe. Shpesh herë dëgjoj argumente të tipit:

Ajo ka humbur 12 kg me të njëjtën dietë që po mbaj edhe unë, ndërsa mua s’më ka dhënë asnjë rezultat. Kjo dieta ishte kot.

Secili prej nesh është ndryshe. E rëndësishme është të kuptojmë cilat janë ushqimet që ne na bëjnë të ndihemi më mirë ose jo. Prandaj dietat janë të personalizuara.

Megjithatë në lidhje me dietat e dobësimit dhe shtimit në peshë, çështja është tek kalorazhi dhe shpërndarja në vakte.

Dihet se nëse do marrim më shumë kalori sesa harxhojmë, do të shtojmë peshë dhe e anasjellta, nëse marrim me pak do të dobësohemi. Por, gjithashtu edhe shpërndarja e këtyre kalorive ne vaktet ditore ndikon në peshë.

Nëse ne do të konsumojmë 5 vakte ditore, nivelet hormonale të urisë dhe insulina do të jenë konstante, duke kontrolluar depozitimin e yndyrnave.

Gjithashtu në momentin që ne ushqehemi, 10 për qind e energjisë shkon për tretjen e vetë ushqimit.

Në këtë mënyrë ne nxisim metabolizmin, duke ju afruar rezultatit që duam.

Sigurisht që edhe shija është e rëndësishme. Sidomos në momentin që jemi me dietë.

Të mbajturit e një diete ndikon shumë në psikologjinë e individit. Ka persona, të cilët e vuajnë faktin e të mbajturit të dietës. Prandaj minimumi, këta persona duhet të hanë me shije. Normalisht, produktet që japin shijen dihet se janë yndyrnat dhe kripërat, të cilat duhen evituar. Për këtë arsye ata munden të përdorin erëza të ndryshme, të cilat përveçse japin shije, ndikojnë edhe në metabolizëm.

– Na tregoni recetën apo dietën me të cilën arrin që të hiqni peshë te klientët?

Sekret! Unë nuk jam pro dietave drastike dhe humbjes se menjëhershme të peshës. Me një dietë të ekuilibruar, ku merren të gjithë nutrientet e nevojshëm ditore, çdokush mundet të arrijë rezultatet e dëshiruara në kohën e duhur.

-Ku qëndron sekreti i ushqimeve të përgatitura nga kuzhinierët tuaj?

E para është zbatimi me përpikmëri i dozave dhe zgjedhja e produkteve që unë sugjeroj për personat e caktuar. Merita e shijes është totalisht e kuzhiniereve.

Është shumë e vështirë që t’ju japësh shije kombinimeve të ndryshme që të jep nutricionisti. Unë fokusohem në dozat dhe cilësinë e nutrienteve dhe pavarësisht se mundohem në kombinim, përsëri nuk jam në nivelin e një kuzhinieri për t’ju dhënë shije kombinimeve. Janë ata, të cilët me sekretet e tyre të përdorimit të erëzave dhe teknikave të gatimit, i japin totalisht pamje dhe shije tjetër ushqimit.

-Sa e rëndësishme është që dietën ta ndërthurësh me aktivitet fizik?

Shumë e rëndësishme. Pavarësisht se aktiviteti fizik është një faktor i pavarur, në kuptimin se edhe po zhvilluam vetëm aktivitet fizik dhe jo një dietë, sërish do të arrijmë një farë rezultati, por asnjëherë rezultatin e dëshiruar. Dieta në vetvete është e rëndësishme po ashtu si aktiviteti fizik. Të kombinuara të dyja janë idealja. Në arritjen e një rezultati 70 për qind të rëndësisë e ka dieta dhe 30 për qind aktiviteti fizik. Mbajtja e këtij raporti është ajo çka quhet: Stil i shëndetshëm jetesës.

-Ngrënia e rregullt, e përmirëson jetën, e zgjatë…?

Sigurisht që një ushqyerje e rregullt, shmang ose parandalon një sërë sëmundjesh, duke e përmirësuar jetesën. Rrjedhimisht përmirësimi i jetesës sjell edhe jetëgjatësi.

-Shprehja “Nuk po dimë çfarë po hamë”, është fakt apo perceptim i nazelinjve?

Fatkeqësisht kohët e fundit po abuzohet shumë në manipulimin e ushqimeve. Shpesh për të rritur prodhimin përdoren kimikate të ndryshme, të cilat ndikojnë negativisht në trupin e njeriut.

Në një konferencë që mora pjesë së fundmi u përmend fakti se nëse dikur konsumonim një mollë dhe me të merreshin vlerat ushqyese, sot për të marrë të njëjtat vlera duhet të konsumojmë 5 mollë.

Shpesh njerëzit kanë të drejtë që e përdorin këtë shprehje, por evitimi i blerjes së produkteve nga burime jo të kontrolluara mundet të zvogëlojë riskun dhe të paktën të jemi më të qetë edhe psikologjikisht në atë çfarë po konsumojmë.

-Çfarë rëndësie kanë për ushqim të shëndetshëm, cilësia e produkteve, zbatimi me përpikmëri i recetës, gatimi i mirë?

Të gjitha janë të lidhura me njëra-tjetrën. Cilësia është e para. Duhet patjetër që produkti të jetë i kontrolluar dhe i nënshtruar analizave përkatëse. Çdo produkt ka një certifikatë analizë. Së dyti mënyra e gatimit është një faktor i rëndësishëm, qoftë për shmangien e baktereve ashtu edhe për mbajtjen e trupit në formë.

Po marr shembullin e mishit, i cili duhet të jetë i gatuar në temperaturën e duhur për të shmangur kontaminimin nga e.coli, salmonela etj., por gjithashtu i gatuar me pak yndyrë dhe kripë për të shmangur probleme të ndryshme shëndetësore.

 

-Cilët janë njerëzit që vijnë dhe kërkojnë dietë nga ju?

Janë grupe të ndryshme. Shumica, duke qenë se të qenurit fit është trend i momentit, janë persona që duan dieta dobësimi, sidomos në këtë periudhë përpara plazhit dhe duhet përgatitur trupi për të marrë rreze pa problemin se kanë disa kg më shumë.

Por një tjetër grup individësh kanë qenë persona të cilët rënia ose shtimi në peshë për ta nuk ka qenë thjesht një problem paraqitjeje. Persona të cilëve u është dashur rënia ose shtimi në peshë për t’u përgatitur për një ndërhyrje të caktuar ose për të filluar një kurë të caktuar.

Gjithashtu kemi patur klientë, të cilët kanë patur problematika të caktuara si iperkolesterolemihipertension, tiroide etj., dhe kanë kërkuar ndihmën tonë.

-Klientët tuaj janë femra dhe meshkuj?

Shumica prej tyre janë femra. Por kohët e fundit është shtuar shumë edhe numri i meshkujve, të paktën tek ne. Duke qenë se ne kemi edhe trajnerin personal  i cili i ndjek në palestër, është  shtuar numri i meshkujve të cilët marrin dieta për shtim në peshë ( masë muskulore) ose meshkuj të cilët duan të dobësohen dhe të krijojnë rezistencë.

-Dieta ka një afat të caktuar, d.m.th mund të mbahet për disa muaj apo gjithmonë?

Dieta të caktuara kanë kohë të caktuar. Siç janë për shembull dietat hiperproteinike ose dieta ketogjenike, të cilat janë në modë së fundmi. Ndjekja për një kohë të gjatë e këtyre dietave nuk rekomandohet. Kanë një kohë të limituar, prej maksimumi 2-3 javë.

Ndërsa një dietë e ekuilibruar me diferenca kalorazhi në rastet që duam ndryshim në peshë, vazhdohet për aq kohë sa e duam këtë ndryshim.

Kjo dietë e ekuilibruar, duke përdorur sasinë ditore të nevojshme të nutrienteve, produkteve të stinës, sasinë e duhur të ujit mund të mbahet gjithnjë, duke u kthyer në stil jetese.

-Është kjo periudha kur kërkojnë rënien në peshë në mënyrë të shpejtë?

Po sigurisht. Gjatë gjithë vitit ka kërkesa, por kjo është periudha më e kërkuar. Pavarësisht se është shumë e vështirë dhe unë nuk jam pro rënieve drastike dhe të menjëhershme në peshë, pasi ka pasoja.

Por brenda normave të lejuara, ne duke kombinuar dietën me aktivitetin fizik dhe duke i ndjekur klientët tanë si në palestër edhe me dietën, jemi munduar t’i plotësojmë dëshirat dhe objektivat e tyre. Gjithmonë duke qenë realist.

-A ka patur rezultate gjatë këtyre muajve?

Po. Shumë. Dhe mund të them se nuk ka kënaqësi më të madhe sesa kur t’i i bën të mundur diçka dikujt, i cili nuk ka arritur dot vetë ta realizojë dhe kërkon ndihmën tënde.

Megjithatë është për t’u theksuar se vullneti i tyre është gjëja kryesore që i ka ndihmuar të arrijnë objektivin. Pasi ne mundemi t’ju sugjerojmë dietën dhe t’ju rekomandojmë aktivitetin fizik, por nëse ata nuk kanë vullnetin, përpjekjet tona mbeten veç në letër.

-Si duhet të ruhemi nga dietat e dëmshme dhe cilat janë ato?

E rëndësishme është t’i japim vëmendje burimit nga ku po e marrim dietën. Jo të gjitha dietat që lexojmë në internet janë pozitive. Prandaj përpara se të nisim një dietë është shumë e rëndësishme të konsultohemi me profesioniste të fushës. Duke marrë këshillat e duhura, nga personat e duhur, është vështirë të zhvillohet një dietë e dëmshme.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *