Brazili është konsumatori më i madh në botë i operacioneve plastike, me rreth 1.2 milionë në vit.
Edhe në vendet e botës që kanë shëndetësi të zhvilluar, operacionet plastike, që bëhen për arsye estetike, nuk mbulohen nga sigurimet.
Por, në Brazil, të ruash bukurinë është baraz me të drejtën për të qenë person i shëndetshëm, ndaj shteti ofron operacione plastike falas, ose shumë lirë, siç ofron dhe shumë shërbime të tjera spitalore.
Nga ana tjetër, shëndetësia shtetërore në Brazil nuk i afrohet aspak standardeve të klinikave private. Madje, shumë banorë thonë që të shkosh për operime plastike falas në spitalet shtetërore rrezikon shumë, aq sa trajtohesh si kavje për teknika të reja operimi.
Por, për shumë gra, në kulturën braziliane rrezikon edhe më shumë po të mos jesh e bukur. Bukuria është faktor domethënës në punësim, shoqëri, e madje edhe për t’u martuar. Kështu që spitalet shtetërore në Brazil kryejnë rreth 500,000 operime estetike në vit dhe radha e pritjes është e gjatë.
Meritën kryesore për përfshirjen e operacioneve plastike në sistemin shëndetësor falas e ka një kirurg, Ivo Pitanguy, i cili në vitet 1950, bindi presidentin Brazilian, Juscelino Kubitschek, se të qenit jo të bukur e dëmton shumë mirëqenien e njeriut, për shkak të stresit.
Kirurgët plastikë brazilianë njihen në të gjithë botën për risitë që sjellin, por një nga arsyet është se në vendin e tyre nuk ka kufij për testimet që mund të bëjnë mbi njerëzit. Dhe njerëzit nuk kanë një sistem drejtësie që t’i përgjigjet mjaftueshëm, në rast se i hedhin në gjyq.
j.l./ dita
