Sot luhet ndeshja e fundit, Shqipëria mund të kapërcejë Norvegjinë dhe të shpresojë për një short më të mirë për evropianin
Shqipëria do të mbyllë sot fushatën eliminatore të kampionatit botëror Brazil 2014, me keqardhjen se nuk mundi të bënte më mirë se në fushatat paraardhëse, edhe pse synoi realisht deri pranë fundit. Dy humbje radhazi në shtator, të paraprira nga barazimi 1-1 kundër Norvegjisë, i dhanë goditje të mëdha synimeve të Shqipërisë, që besoi më tepër se kurrë pas fitores së madhe në Oslo, më 22 mars. Humbja e fundit, kundër Zvicrës, vetëm sa e bëri zyrtar dështimin, pasi shanset e mbetura ishin vetëm matematike. Kuqezinjtë janë në vendin e parafundit, të paarritshëm nga Qipro, që ka vetëm katër pikë. Ndërkaq, Shqipëria mund të kapërcejë Norvegjinë, me vetëm një pikë më tepër, në rast se mund Qipron, ndërsa nordikët nuk fitojnë me Islandën. Edhe një pikë do të ishte e mjaftueshme që Shqipëria të bënte rokadë me Norvegjinë, në rast se kjo e fundit do të mundej në shtëpi nga Islanda, skuadër që mban vendin e dytë aktualisht dhe luftën për t’u kualifikuar në play-off. Në fund të vitit hidhet shorti për kampionatin evropian France 2016 dhe vazot do të përcaktohen në bazë të rezultateve të eliminatoreve të botërorit, ndaj pikët me Qipron mund të kenë shumë vlerë, në varësi edhe të ndeshjeve të tjera. Për këtë arsye, kuqezinjtë e kanë motivin për të kërkuar fitoren, njëkohësisht edhe për t’i bërë një mbyllje të mirë edicionit, të cilin e nisën plot ëndrra të mëdha.
