Ndonëse nuk mund të shërohet, trajtimi i hershëm i sklerozës multiple mund të përmirësojë cilësinë e jetesës së pacientit. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik theksojnë se skleroza multiple është një sëmundje kronike që prek sistemin nervor, duke shkaktuar një sërë simptomash të mundshme, përfshirë problemet me shikimin, lëvizjen e krahëve, ose të këmbëve, ndjeshmërinë, si dhe ekuilibrin. Kjo sëmundje e shoqëron individin gjatë gjithë jetës, e cila mund të jetë në formë të lehtë, por edhe mund të shkaktojë paaftësi serioze në shëndetin e individit. Dje në Ditën Botërore të Sklerozës Multiple, theksi është vënë tek njohja e shenjave dalluese të kësaj sëmundjeje, si dhe marrja e kujdesit të specializuar mjekësor që në stadet më të hershme. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara këshillat e specialistëve të shëndetit publik mbi simptomat dalluese të kësaj sëmundjeje, faktorët përgjegjës, kategoritë më të rriskuara, si dhe masat që duhet të merren sa i takon trajtimit.
Të rinjtë më të rrezikuarit
Mjekët bëjnë me dije se të gjitha grupmoshat janë të rrezikuara për t’u prekur nga kjo sëmundje. Sipas tyre, skleroza multiple mund të shfaqet në çdo moshë, por më e zakonshme është në moshat 20-30 vjeç, dhe haset 2-3 herë më tepër te femrat sesa te meshkujt. Një ndër shkaqet më të shpeshta të aftësisë së kufizuar tek të rinjtë e kësaj grupmoshe të përmendur, është pikërisht prania e kësaj sëmundjeje.
Simptomat karakteristike
Sëmundja manifestohet në forma të ndryshme. Simptomat mund të variojnë nga një individ tek tjetri dhe mund të prekin çdo pjesë të trupit. Megjithatë, ndër shenjat dalluese më karakteristike të sklerozës multiple janë lodhja që ndjen pacienti, e cila shoqërohet më pas me vështirësi në ecje, probleme me shikimin, i cili bëhet i paqartë. Të tjera shenja të kësaj sëmundjeje janë edhe problemet me kontrollin e fshikëzës së urinës. Pacientët e prekur nga kjo sëmundje shfaqin vështirësi me ekuilibrin dhe orientimin. Mjaft të shpeshta janë edhe shenja të tilla si: mpirja ose ndjesia si shpim me gjilpërë në pjesë të ndryshme të trupit, prania e spazmave dhe ngërçeve, apo ngurtësimeve muskulore. Pjesa dërrmuese e të prekurve nga kjo sëmundje kanë probleme me të menduarit, të mësuarit dhe planifikimin. Bluzat e bardha të shëndetit publik vënë në dukje se në varësi të tipit të sklerozës multiple që individi ka, simptomat mund të shfaqen dhe të ikin në faza të ndryshme, por edhe mund të përkeqësohen në vazhdimësi.
Dy format e zhvillimit të sëmundjes
Skleroza multiple mund të fillojë në 1 ose 2 mënyra që janë: me përsëritje individuale (me atak, ose me përkeqësim) ose me progres gradual. Më shumë se 8 në 10 individë me këtë sëmundje janë të diagnostikuar me tipin përsëritës. Një individ me sklerozë multiple përsëritëse do të ketë episode me simptoma të reja ose të përkeqësuara. Këto simptoma zakonisht përkeqësohen për disa ditë, zgjasin ditë, javë ose muaj, dhe më pas përmirësohen ngadalë gjatë një periudhe të ngjashme me fillimin e simptomave. Episodet përsëritëse shpesh ndodhin pa paralajmërim, por në përgjithësi lidhen me një periudhe stresi apo sëmundjeje. Simptomat e episodeve të rikthyera mund të zhduken krejtësisht, me ose pa trajtim, edhe pse disa simptoma shpesh vazhdojnë me sulme të përsëritura që ndodhin gjatë disa viteve. Periudhat midis atakëve të sëmundjes njihen si periudha lehtësimi dhe mund të zgjasin për vite me radhë. Pas shumë vitesh (mbase dekadash) shumë individë, por jo të gjithë me sklerozë multiple që bëjnë episode përsëritëse, zhvillojnë SM progresive dytësore. Kjo formë SM-je përkeqësohet me kalimin e kohës pa patur atakë të dukshëm të sëmundjes. Disa individë vazhdojnë të kenë episode të rralla përsëritëse gjatë kësaj faze të sëmundjes. Përafërsisht gjysma e individëve me SM përsëritëse do të zhvillojnë fazën progresive dytësore të sëmundjes brenda 15-20 vitesh. Pak më shumë se 1 në 10 individë u fillojnë shenjat e sëmundjes me një përkeqësim gradual të simptomave. Në sklerozën multiple progresive parësore simptomat përkeqësohen gradualisht dhe grumbullohen me kalimin e viteve pa patur periudha lehtësimi, edhe pse individët kanë periudha ku duket se simptomat stabilizohen.
Shkaktarët
Skleroza multiple është një sëmundje autoimune, ku sistemi imunitar sulmon sistemin nervor dhe kryesisht shtresën e cila mbështjell dhe mbron nervat (mielinën). Është e paqartë se cili faktor ndikon në sistemin imunitar që të sulmojë sistemin nervor, por shumica e ekspertëve mendojnë se mund të përfshihen një kombinim i faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë.
Trajtimi
Aktualisht nuk ka një mjekim për sklerozën multiple. Por disa trajtime mund të ndihmojnë kontrollin e gjendjes shëndetësore të pacientit, duke lehtësuar simptomat e kësaj sëmundjeje. Trajtimi që i nevojitet një pacienti varet nga simptomat specifike dhe nga vështirësitë që ai ka. Në përgjithësi, trajtimi mund të përfshijë: “Trajtimet specifike për simptomat individual, trajtimin e rasteve të përsëritura me ilaçe steroide për të përshpejtuar rikuperimin, trajtimin për të zvogëluar numrin e episodeve të përsëritura duke përdorur ilaçe të quajtura terapia për modifikimin e sëmundjes”. Gjithashtu është konfirmuar se edhe terapitë e modifikimit të sëmundjes mund të ndihmojnë për të ulur apo ngadalësuar përkeqësimin e përgjithshëm të paaftësisë te pacientët me sklerozë multiple përsëritëse apo me sklerozë multiple progresive dytësore, të cilët zhvillojnë episode përsëritëse. Aktualisht nuk ka asnjë mjekim që mund të ulë apo ngadalësojë progresin e kësaj sëmundjeje progresive parësorë ose progresive dytësore kur episodet përsëritëse mungojnë.
Të jetosh me sëmundjen
Nëse jeni diagnostikuar me sklerozë multiple, është e rëndësishme të kujdeseni për gjendjen shëndetësore të përgjithshme. Të jetosh me këtë sëmundje është një sfidë e madhe, por trajtimet e reja gjatë 20 viteve të fundit kanë përmirësuar dukshëm cilësinë e jetës te pacientët e diagnostikuar me sklerozë multiple. Shumë rrallë kjo është një sëmundje fatale për jetën.
Fushata e ndërgjegjësimit
Dita Botërore e Sklerozës multiple organizohet çdo vit në 30 maj. Fushata ndërgjegjësuese për këtë vit është “Skleroza multiple e Padukshme”, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin e popullatës për sëmundjen e sklerozës multiple dhe simptomat e saj që janë të padukshme, si dhe ndikimin e padukshëm që kjo sëmundje ka në cilësinë e jetës së individit. Fushata ka si qëllim t’u japë mundësi të gjithë individëve të prekur nga sëmundja që të ndajnë me të tjerët simptomat e tyre të padukshme, në mënyrë që edhe të tjerët ta njohin këtë sëmundje, t’i kuptojnë dhe t’i mbështesin individët që vuajnë prej saj.
Të prekurit nga kjo sëmundje manifestojnë simptoma të tilla si:
- Lodhje të vazhdueshme.
- Vështirësi në ecje.
- Probleme me shikimin, i cili bëhet i paqartë.
- Probleme me kontrollin e fshikëzës së urinës.
- Mpirje ose ndjesi si shpim me gjilpërë në pjesë të ndryshme të trupit.
- Spazma dhe ngërçe apo ngurtësime muskulore.
- Probleme me ekuilibrin dhe orientimin.
- Probleme me të menduarit, të mësuarit dhe planifikimin.
- Simptomat mund të variojnë nga një individ tek tjetri dhe mund të prekin çdo pjesë të trupit.
- Në varësi të tipit të sklerozës multiple, simptomat mund të shfaqen dhe të ikin në faza të ndryshme, por edhe mund të përkeqësohen në vazhdimësi.
