Enigmat e poezisë

Bora Basholli

INTERVISTE E MOIKOM ZEQOS DHËNË REDAKTORES SË  RTV SHQIPTAR  VIOLETA KONGOS

 -Jeni në valët e Radio koha 98, 1 mh. Unë jam Violeta Kongo, ju përshëndes dhe ju ftoj në radio programin editor për gjithçka që ka të bëjë me librin.

Qëndroni me mua në këto valë.

Imagjinoni një Meduzë, këtë figurë të lashtë të mitologjisë greke, që po sipas kësaj mitologjie, vështrim i saj të nguros në vend. Por në se kësaj Meduze i kumtojmë dridhjen e shpirtit tonë, siç bën shkrimtari Moikom Zeqo, ajo do të kthehet në një Meduzë e dashuruar.

Dhe pse dashuron, për të mos ngurosur të tjerët ka vënë syze Dielli.

“Meduza e dashuruar mban syze Dielli” është titulli i librit të shkrimtarit Moikom Zeqo, i cili sapo ka dalë në qarkullim, rreth të cilit do të flasim sot.

Është një libër, sa i çuditshëm aq dhe i bukur, sa filozofik aq dhe poetik, sa konkret aq dhe shpirtëror. Autori e quan fjalor laboratorik, fjalor metaforash, madje dhe vetë titulli “Meduza e dashuruar mban syze Dielli” është një metaforë.

Këto figura, shpesh tjetërsohen dhe kthehen në aforizma, sentenca, syze mendimesh poetike, të gjitha të shkruara në vitin 1970, në rini të autorit.

Në këtë libër s’bëhet fjalë aq tepër për fenomene konkrete shoqërore apo fizike, për gjëra të kapshme të prekshme, të rrokshme nga syri e të drejtpërdrejta, as për deduksione të nxjerra nga një logjikë e ftohtë.

Janë fije nervore të padukeshme, që ndofta përfshijnë të gjitha ato që thashë pak më sipër.

Vetë shkrimtari nuk e di sekretin e ngjizjes së asaj çka shkruar, kur thotë: “Sekreti i madh i të shkruarit nuk është zbuluar dhe përkufizuar pranueshëm asnjëherë. Kush e di në mënyrë absolute të ngjizurit e eshtrave të fëmijës në barkun e butë e delikat të femrës?”

Jo vetëm kaq, shkrimtari nuk beson në shumë gjëra, ai nuk beson as në mite, nuk beson tërësisht në atë çka thonë të tjerët, sepse ai është ai që është, sepse nuk mund të jetë ai që të tjerët duan të jetë.

Ai kërkon të hyjë e të shohë me anë të mendimit. Çdo shkrimtar ka laboratorin e tij, të cilin mund ta ketë në mend, mund ta ketë në skedar, në blloqe shënimesh, fletore të ndryshme etj. E këto për një farë kohe përbëjnë një sekret për të tjerët i cili pjesë pjesë, pas një përpunimi, mund të bëhet publik e të kthehet në një vepër arti. Ndërsa Moikom Zeqo me këtë libër merr guximin të hapë skedarin e tij të rinisë e ta publikojë duke thënë: “Ky jam unë!”.

Dëgjoni tani një bisedë që zhvillova me shkrimtarin rreth librit të tij

“Meduza e dashuruar mban syze Dielli”

 Violeta – Moikom, nga ju lindi ideja për të bërë këtë libër?

Moikomi – Ideja më ka lindur mjaft herët, gati 30 vjet më parë në mënyrë spontane, nuk ka qenë ide për të bërë një libër, ndoshta kjo ka qenë, më tepër një ide për të punuar në atë laboratorin e padukshëm, të brendshëm, krijues të shkrimtarit dhe për të bërë libra të tjerë, jo pikërisht këtë libër, kaq e vërtetë është kjo sa në vitet 70 unë fillova të botoj një numër ciklesh, poezish, që u kritikuan si hermetike, si moderniste dhe vetëm pas 20 e ca vjetësh, mund t’i botoj në një libër me emrin “Meduza” dhe jo rastësisht këtij libri i kam vënë emrin “Meduza e dashuruar mban syze Dielli” – sepse ngaqë na do, Meduza nuk do të na shohë në sy, sepse na nguros, prandaj mban syze dielli, kjo është arsyeja.

Vetë titulli është në fakt një metaforë, është ndoshta një nga metaforat më tipike të krejt librit në përgjithësi,- unë kam dorëshkrime të shumta të vitit 1970,- ku synoja me një kokë-krisje pa ja thënë njeriu, në fshehtësi, të bëja një fjalor metaforash.

Ka fjalorë idesh, ka fjalor të gjuhëve të huaja, por nuk ka fjalor metaforash. Ka libra me aforizma, nuk ekziston një libër që poeti, metaforat e tij pa i bërë poezi, ose pa i bërë libër, t’i mbledhë si të thuash në mënyrë fare pa ju dhimbsur, pastaj t’i japë për publikim. Këtë gjë nuk do ta bënte ndonjë poet tjetër, sepse do mendonte që ndoshta me një metaforë të bënte një strofë, ose me strofa të ndryshme të bënte poezi dhe nga ky libër të nxirrte 10 libra ose 20 libra. Unë e them me bindje që ky libër ka kaq shumë metafora, sa ky libër i vetëm ndoshta ka më shumë metafora sa libra të tërë poetësh ndoshta jo vetëm në Shqipëri.

Violeta – Atëherë, ç’ju shtyu ta botonit këtë fjalor që do të ish për përdorimin tuaj ose e thënë më saktë ç’ju shtyu ta botoni këtë idile?

Moikomi – Kjo është të zbardhësh një projekt që nuk e kam patur kurrë në mend ta zbardh.

Violeta – Ose mua më duket sikur ta zbardhësh një shpirt që e ke brenda dhe do ta nxjerrësh përjashta.

Moikomi – Po, është të tregosh intimitet, si të thuash në një lloj mënyre të fshehtë, që punon njeriu për krijimtarinë e vet. Ideja nuk ka qenë thjesht kjo. Unë siç e kam treguar në parathënien dhe pasthënien e librit në vitin 1997 gjatë kohës që  studioja  në Washington, në Bibliotekën e Dumbarton Oaks të Universitetit të Harvardit, papritur më lindi ideja për të bërë një libër me këto metafora. Por për të krijuar një lidhje të tillë, sepse këtu nuk ka vetëm metafora, këtu ka poezi në fakt, me tre vargje, katër vargje, pak të ngjashme si miniaturat lirike të Lindjes së Largët, miniatura, që kanë një art shumë të madh, siç është psh poezia japoneze.

Po ka mendime, ka si të thuash një tendencë për ta bërë sa më shkurt poezinë.

Unë kam guxuar në këtë libër të bëj diçka që ndoshta s’ka guxuar njeri tjetër.

Këtë nuk e them dmth kështu se e thashë unë, por është vetë libri, që poezia të mos jetë vetëm në një strofë, por mundësisht të jetë vetëm në një varg, ndoshta dhe në një fjalë. Kjo ka qenë arsyeja, si të thuash që e kam botuar këtë libër, sepse siç e kam thënë dhe aty në këto parathënie dhe pasthënie kur kam folur për fjalën, ç’është fjala në vetvete, kam bërë një apoteozë të fjalës, njëkohësisht kam treguar vetë paradoksin e fjalës, kam treguar anën e pakufishme të fjalës, por dhe pamundësitë e saj. Ideja më superiore e vetë krijimit të librit, ka qenë për t’i treguar vetes në radhë të parë por ndoshta edhe lexuesit, që mund të guxohet të kalohet drejt një lakonizmi, paksa të skajshëm, sepse më është mërzitur tmerrësisht, kam humbur shumë iluzione nga letërsia, kam humbur iluzione dhe kam idenë që letërsia e mirë mund të bëhet jo vetëm me libra të trashë, po ndoshta as me libra 100 faqesh por edhe me libra më të vegjël, d.m.th. duhet marrë në maksimum lakonizmi dhe rinovimi. Unë këtë kam synuar.

Violeta – Ju në Parathënien tuaj keni shkruar, ose më mirë vë re që në shumë gjëra nuk besoni, ashtu si dhe e thatë pak më përpara. Nuk besoni qoftë në reklamat e fosilizuara që keni thënë, nuk besoni në halucinacionet e mediave elektronike etj., etj.

Keni patur kontradikta të tilla duket, sepse shumë i prerë, me një frazë, tepër lakonike e tepër të vendosur thoni: “sepse unë jam ai që jam, sepse unë nuk dua të jem ai që më duan të tjerët”.

Moikomi – Po, padyshim, unë kam një mendim të përcaktuar mbi botën dhe ky mendim i përcaktuar i imi, ndoshta nuk përputhet me këtë shoqëri që jetojmë sot, me thënë të drejtën atmosfera e të jetuarit, pavarësisht nga ekseset, po flas si të thuash si strukturë e shoqërisë, mua më duket që imoraliteti dhe kulti i parasë janë kundër bindjeve të mija. Nuk e pëlqej këtë lloj shoqërie pavarësisht nga emrat e bujshëm, demokratike ose humanizëm, nuk është puna e ekseseve që ka në Shqipëri ose e atyre në botë. Mua më duket që thelbi i kësaj shoqërie është antiart dhe anti moral. Nuk dua të bëj anatema, sepse nuk jam anatemues i shoqërisë në përgjithësi, por unë besoj në këtë që shkrimtari nuk shkruan për shoqërinë e kohës së vet. Bindjet e mia janë humaniste, d.m.th. unë besoj tek njeriu, tek morali i njeriut. E shikoj, që kjo është ndoshta një perspektivë pak utopike, ndoshta është e vetmja tendencë e kahje e vetë njerëzimit dhe vetë zhvillimit shoqëror në përgjithësi. Nuk mund të thuhet psh që Homeri, ishte në shoqërinë skllavopronare të kohës dhe i shërben shoqërisë skllavopronare. Jo, Homeri e tejkaloi shoqërinë e vet. Kam idenë që shkrimtarët duhet ta tejkalojnë shoqërinë e kohës së vet, padyshim kjo bëhet me anë të artit se nuk bëhet kështu me ide të thjeshtë, se unë nuk jam filozof, as sociolog, por kam synuar që të bëj një kapërcim qoftë dhe ideor, të tregoj që kjo shoqëri që jetojmë, ku ekziston kulti i parasë, është e minuar nga brenda. Pikërisht nga kjo gjë, dhe ajo ka perspektiva të mëdha pikërisht në çështjen e moralit dhe artit dhe arti ka mendimi e Hegelit, që arti është moral i shoqërisë së ardhme. Natyrisht ka diçka heretike në këtë mes, qoftë dhe politike në përgjithësi, jo për partitë, se unë s’merrem fare me partitë, më duket partitë shtojnë më shumë ekseset, i shtojnë më shumë këto padrejtësitë shoqërore, por nuk besoj në fjalët e tingullta për demokracinë, nëqoftëse nuk ekziston drejtësia sociale. Arti më duket mua, ësht më afër drejtësisë sociale se sa politika.

Violeta – Po i referohem përsëri Parathënies tuaj. Ju keni thënë se ky libër është përtej poezisë, për të qenë më në thelb të poezisë, por është edhe prozë, pikërisht për të mos qenë asnjëherë prozë, d.m.th., a mund të kuptohet ky libër edhe përtej poezisë, ose në thelb të poezisë edhe prozë, pikërisht për të mos qenë asnjëherë prozë?

Moikomi – Unë vërtet e kam të ndërlikuar atë që shkruaj, por idetë themelore janë absolutisht të qarta, edhe unë jam për komunikimin, unë jam i bindur që njerëzit komunikojnë në ato që shkruajnë, mund të mos jenë dakord, kjo është një çështje tjetër, unë i kam të qarta, pavarësisht nga niveli estetik, ose nga lakonizmi ndonjëherë edhe i tepruar.

Besoj nuk ka një kufi kaq të ndarë sa midis prozës dhe poezisë, proza madhështore është më afër poezisë, por edhe poezia nuk ka një kufi ezoterik, largues nga ajo nga ai thelb i madh e i ndritshëm, që thotë proza e madhe.

Përgjithësisht është arti në këtë mes, arti një koncept pak a shumë i abstraguar, që bashkon të gjithë llojet e veta, bashkon p.sh. ta zëmë një muzikë të Vivaldit me një varg poetik të Lasgush Poradecit. S’e  ka njohur Vivaldi  Lasgushin, Lasgushi mund ta ketë dëgjuar, e ka dëgjuar  Vivaldin besoj. Unë për të mos qenë ky fakt, as poezi, as thjeshtësisht prozë, as thjeshtësisht muzikë, as balet, as algjebër d.m.th. është një gjë tjetër më e thellë,- kjo s’është mistike,- sepse unë nuk kam bindje mistike, s’kam fare bindje mistike, mund ta quaja ndoshta me një term të huazuar nga filozofia, por që nuk është aq i shpjegueshëm deri në fund, është një lloj panteizmi i brendshëm shpirtëror i artit.

Nuk ka të bëjë me shpirtin e njeriut më tepër se sa me rrethanat materiale që e rrethojnë ose e kundërshtojnë këtë shpirt të njeriut.

Violeta – Po prapë, me shpirtin tuaj kanë të bëjnë edhe disa ilustrime pikturash, vizatime të ndryshme, qoftë edhe si të thuash në bazë të germave të përbashkëta të këtyre fjalëve, që juve i keni vendosur në figurë tek libri juaj,- po pse  ?

Moikomi – Po ky libër përveç anës poetike dhe karakterit të fjalorit të metaforave ka edhe dy elemente të rinj, ka një cikël poezish, të cilat kanë lidhje me vizatimet ose më saktë një koleksion vizatimesh, përgjithësisht kanë të bëjnë me trupin e njeriut, figura nudo, pak a shumë të traditës së nudizmit grek, të kulturës antike dhe afërsisht të krijuesve të Rilindjes Europiane. Ka abstragime, por janë të qarta për t’u lexuar dhe për të komunikuar me to.

Së dyti, ka dhe një eksperiment, që e quaj thjesht eksperiment, ka pretendim, s’kam asnjë lloj pretendimi mbi këtë eksperiment të poezisë kabalistike, të fjalëve që lexohen, në të dy anët njësoj, kam bërë disa nga këto, natyrisht i botova, sepse i kam bërë këto gjëra, jo se jam origjinal në poezinë kabalistike. Poezia kabalistike ka një traditë kolosale në letërsi, mjafton të përmendim kabalën hebraike.

Ndoshta ideja e kabalistikës, mua më ka lindur nga leximi intensiv i librave kabalistikë, që kam pasur rastin të bie në kontakt, si të thuash që është dhe ajo një pjesë e kulturës së njerëzimit.

Nga ana tjetër, unë kam zbuluar vetë që në një relacion të Frang Bardhit në shek. XVII ai thotë që diku në zonën e Zadrimës është një rit kabalistik, me disa bukë katrore që përmenden disa fjalë që lexohen nga të katër anët njësoj.

Jam habitur, kur pikërisht këto fjalë, që përmend Frang Bardhi, që nuk i shpjegoi në atë kohë janë fjalë kabalistike, siç është fjala psh abrakadabra, që lexohet nga të dyja anët njësoj, pikërisht për këtë dëshmi të Frang Bardhit unë kam lexuar tek një teolog i madh i shekullit të IV shën Irineun e Lionit- dhe kam gjetur shpjegimin e këtij eksperimenti kabalistik,- që lidhej me një sekt heretik të bazilidëve,- sekt poetik,mistik, shumë intelektual, në kohën e krishterimit të hershëm, -që më vonë u shpall heretik nga krishterimi zyrtar.

Shumë e habitshme që kjo traditë kabalistike ka ekzistuar të paktën deri në shekullin XVII në Shqipëri.

Kjo ka qenë arsyeja, që unë kam bërë ca eksperimente të poezisë kabalistike në librin “Meduza e dashuruar mban syze Dielli”.

Violeta – Të vijmë prap tani te titulli i librit “Meduza e dashuruar…” Meduza kur të sheh të nguros.

Ju mendoni ose, më mirë të them këto syze ja keni vënë vetë Meduzës, apo është Meduza që na do ne.

Moikomi – Unë mendoj që syzet ja kam vënë unë Meduzës, por ky është një truk, në fakt letrar.

Kaq e vërtetë është kjo që them që është truk letrar sa konvencional sa libri tjetër i tretë, që do të plotësojë ciklin e librit poetik “Meduza”, i dyti është “Meduza e dashuruar mban syze Dielli” i treti do të jetë, që e kam përfunduar dhe këtë libër, thjesht eseistik, nuk do të jetë poetik as aforistik, as fjalor metaforash dhe as me vizatime.

E ka titullin, libri i tretë pra “Syzet e thyera të Meduzës”. Ky libër që e kam përfunduar në kompjuter dhe do ta bëj gati së shpejti që t’jua paraqes, të shikoj mundësinë për botim quhet “Syzet e thyera të Meduzës”, sepse arti në vetvete prapë nguros diçka.

Fakti që “fikson”, “shkrimi fikson”, vetë shkrimi është një lloj Meduze si të thuash  imagjinon, trillon  shumë gjëra,- ta zëmë që historia e Trojës ka ndodhur në shek. XVIII para e.s.- thuhet që në shekullin VIII ka jetuar Homeri dhe me anën e shkrimit ne kemi të fiksuar pikërisht një histori, që ka ndodhur 33 shekuj më parë.

Pra syzet janë të thyera, nuk ka nevojë për syze, sepse arti duhet të fiksojë,- që të ekzistojë.

Pra libri i tretë ka këtë kuptim,- ka shumë lëvizje, kuptimesh, trill kaleidoskopi mendor, i cili për mendimin tim mund të thotë shumë më tepër se librat e trashë shumëvëllimësh, ose të shkrimit klasik narrativ, si të thuash, që e shikoj, që ka vlera shumë të mëdha.

Unë i admiroj klasikët, ndoshta unë akoma dhe sot, lexoj përgjithësisht klasikët, pavarësisht se e njoh mirë dhe letërsinë moderniste, por unë nuk bëj letërsi ose poezi ose libra modernistë të pakuptueshëm.

Unë jam për kuptimshmërinë, pavarësisht nga referencat e shumta historike ose nga fusha e mitologjisë, e muzikës dhe e filozofisë.

Violeta – Megjithatë, mendoni se për të lexuar librat tuaja lexuesi duhet të ketë shumë kulturë, mbasi ju i referoheni shpesh e më shpesh mitologjisë, antikitetit, arkeologjisë, historisë.

Moikomi – Po, shiko, po të bëj një sqarim të saktë.

Tërë letërsia duke filluar që nga Homeri, ka nevojë për një sistem referencash. Homerin po të mos dish mitologjinë, del gati i pakuptueshëm.

Një njeri i sotëm, po të mos dijë mitologjinë greke, nuk mund të lexojë dot Homerin, pra duhet një kulturë paraprake për të lexuar një libër, që Homeri na duket shumë i thjeshtë, aq më tepër që mendojmë, që pas kaq shekujsh kultura njerëzore ka ecur.

Le të marrim një shkrimtar, që unë e adhuroj, që unë e quaj ndoshta shkrimtarin më të rëndësishëm të shekullit XX, Borgesin.

Po i referohem.

Ai ka kaq shumë kulturë dhe kaq shumë referenca filozofike sa që me të drejtë mund të quhet pak elitar si shkrimtar dhe madje ai është shkrimtar elitar.

Por pa dyshim ka lexues të ndryshëm, ka dhe lexues që kanë një kulturë të gjerë dhe dinë të vlerësojnë librin kur ka referenca të shumta.

Ka dhe lexues që nuk e kanë këtë kulturë dhe duan gjëra më të lehta, prandaj dhe letërsia është e ndryshme, ka dhe romane triller etj.

Violeta – Po dhe sipas jush, ju jeni shkrimtar “elitar”.

Moikomi – Nuk jam plotësisht “elitar”. Ndoshta në stil ose në tendencën për të bërë një art të referencave, një art të ngritur mund të ketë një tendencë si të thuash të formës, por përgjithësisht idetë  kryesore ,që kam unë janë jashtëzakonisht popullore, sepse unë mendoj që më mirë duhet mbajtur një pozicion nga populli i thjeshtë, se sa nga ata që janë “elitë” politike.

Dhe kontradikta ime qëndron midis pozicionit që unë mbaj, nga thelbi i popullit me “elitat” politike.

Violeta – Unë nuk e kam fjalën për “elitën” politike, unë e kam fjalën për elitën intelektuale.

Moikomi – Kam idenë që elita intelektuale kupton dhe komunikon, kurse “elitat” politike janë thjesht pasojë e lojës politike, jo ato mund të mos jenë intelektuale, kështu që unë nuk i konsideroj elita intelektuale, janë të pushtetit, administratës por jo intelektuale.

Elita intelektuale ka shumë pak në Shqipëri për mendimin tim një Buzuk ,Budi, Bardhi a nje  Barlet, një Bogdan, një Naim Frashër, një De Radë, apo Serembe, një Mjedë, një Migjen, një Konica,pa harruar Fan Nolin, një Kadare, një Rexhep Qose, mund të quhen si të thuash një farë elite, por në thelb idetë e tyre janë shumë popullore, – janë ndër më populloret ide,- kjo është si të thuash ajo kontradiktë në dukje, midis artit të kultivuar, ose shumë të kultivuar- me thelbin e tij popullor të jashtëzakonshëm.

Violeta – Faleminderit dhe suksese tek Meduza që thyen syzet e saj. (20 mars 1998)

 

 

b.b/dita

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *