Të edukojmë tek fëmijë respektin për veten

Bora Basholli

Fëmijët janë lulet më të bukura dhe frutat më të shijshme të kësaj bote.  Prindërit e tyre janë ata, që i sjellin në jetë, që kujdesen për ta e që i përgatisin për jetën. Ky mision nis që në edukimin e tyre  me ndjenjën e respektit për veten.

Respekti për veten lind, formohet e konsolidohet që në moshë të vogël. Prindërit dhe mësuesit janë ata, që duhet të dinë ta trajtojnë  tek fëmijët këtë problem, sa delikat aq edhe  të domosdoshëm. Është një detyrë e vështirë, që realizohet, nëse do të  arrijnë  të kombinojnë drejt, përqindjen e dashurisë, që u jepet fëmijëve, me  kërkesën e llogarisë. Asnjëra prej tyre nuk duhet t’u mungojë  dhe as të jepet me  tepricë.

Nëse i jepet rëndësi të parës, duke i plotësuar çdo nevojë, çdo tekë, çdo  kënaqësi e çdo kërkesë, duke u rritur, fëmijët duan, që gjithçka që shohin, gjithçka që prekin, gjithçka që është para tyre, të bëhet e tyrja,  pa pyetur kë shkelin, kë lëndojnë, pronë e kujt është ajo, që duan ta përvetësojnë.  A i ka mundësitë  prindi,  për t’i dhënë gjithçka që kërkon fëmija? Produkt i këtij trajtimi, do të jetë  një  fëmijë tekanjoz, i përkëdhelur, i dhunshëm, i pa-komunikueshëm me shokët, me  një tendencë të theksuar të të qenit “kapo” në grup ose në kolektiv.

Nëse i mëshohet të dytës, duke i kërkuar llogari për gjithçka e vazhdimisht, duke  gjykuar çdo veprim  që kryen, duke i bërtitur e kritikuar për çdo gjë, duke mos e lejuar të shprehet e të kërkojë diçka,  kjo,  ka të keqen tjetër shumë të madhe.

Produkt i këtij trajtimi, do të jetë një fëmijë pa iniciativë, i frikësuar, pa guxim, pa  kurajo, i nënshtruar para kujtdo, objekt i dhunës prej më të fortëve  dhe shpesh,  agresiv i pamotivuar e i rrezikshëm.

Fëmijës i duhet dhënë çdo gjë me masë. Ai, në çdo moment duhet të ndjejë  dashurinë e prindërve dhe të njerëzve të tjerë, që e  rrethojnë, t’i plotësohen, sipas mundësive të familjes, nevojat materiale e shpirtërore,  të stimulohet e  lavdërohet për çdo veprim të mirë që kryen. T’i kërkohet  fëmijës, që të shprehë  mendimet e tij për një temë të caktuar. Kjo gjë e aftëson, që të gjykojë drejt për  situata të ndryshme e për shokët. Njëkohësisht, ata duhet  të edukohen me normat  e mirësjelljes, të respektit, të mirënjohjes  e të korrektësisë në shoqëri. Fëmijës duhet t’i bëhet e qartë në praktikë, që, jo çdo gjë që shikon e i pëlqen, duhet ta  përvetësojë. Si qytetar i denjë, ai duhet ta dijë, që çdo njeri në këtë  botë, ka  personalitetin e vet dhe askush nuk mund  t’i nënshtrohet tjetrit ose të  shkelë  mbi jetën e të tjerëve.

E bëra këtë analizë, për të nënvizuar faktin, që çdo drejtim të cilin njeriu merr në jetë, e ka një bazament  fillestar, mbi të cilin formohet personaliteti. Kjo  është  edukata, që merr në familje e në shkollë. Personaliteti përcakton karakterin e njeriut.

Respekti për veten, është një ndër dukuritë kryesore të karakterit. Nëse di të  respektosh veten, ke kontrollin për gjithçka: Di të kontrollosh veprimet që bën, di të realizosh objektivat që i ke vënë vetes, di të mbash përgjegjësi për atë që është  detyra jote, di të kërkosh e të marrësh, deri atje ku nuk cenon të tjerët, di të  vendosësh nën kontrollin e trurit, ndjenjat dhe emocionet e tua. Nëse ke mundur  ta respektosh veten në këtë mënyrë, natyrshëm ke respektuar edhe pjesën tjetër  të shoqërisë. Të respektosh veten, në asnjë mënyrë  nuk do të thotë, të të pëlqejë vetja e të mbivlerësosh veten. Kjo është ana negative e medaljes.

Gjatë ushtrimit të profesionit tim si mësuese dhe edukatore, jam ndeshur me  karaktere nga më të ndryshme  fëmijësh. Si për çdo mësues, më të mirët e më të  talentuarit, kanë mbetur në kujtesën tonë  të pa harruar. Por mësuesi e ka  shumë  të vështirë, të harrojë edhe  një grup nxënësish, me të cilët na është  dashur të punojmë shumë e me durim. Jemi  ndeshur me veprime e shembuj  ekstremisht  të kritikueshëm, ku jo gjithmonë prindërit i kanë gjykuar me objektivitet gabimet  e fëmijëve. Në këto raste, ata nuk mbështesin punën dhe  përpjekjet e shkollës, për të krijuar një front unik edukimi. Pikërisht, që këtu fillon  devijimi i karakterit  të fëmijëve, prandaj të gjithë së bashku të kontribuojmë më tepër, për të ardhmen e fëmijëve tanë. Sensibilizimi i shoqërisë, është  domosdoshmëri  e kohës. Lefteri Gjoshe (mësuese në pension)

 

b.b/dita

 

 

 

Share This Article
2 Comments
  • Mbi 50% e prinderve nuk kane buke t’u japin femijve e ju derdellitni dokrra leshi!
    Apo shikoni femijet e Tiranes,te politikaneve,doganiereve,hajduteve,krimineleve etj dhe kujtoni se te gjithe jane njelloj?
    Kujdesi per femijet fillon qe ne lindje,qe nga kujdesi shendetesor,punesimi i prinderve, cerdhe,kopshte,shkolla,kende lojrash,lulishte etj per te gjithe femijet njelloj e jo sic e ben mashtruesi Veliaj,qe ka lene 5 mije femijet e Yzberishtit pa asnje cerdhe,kopesht,kende lojrash,biblioteke,lulishte etj shteterore ndonese ka xhvatur miliona leke nga taksat vendore!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *