Pretenca e gjyqit të’77-ës: Çfarë shkruhet në akuzën ndaj Këllezit dhe të tjerëve

redaktor

Kryeprokurori Rrapi Mino: Në mënyrë konspirative, që nga vitet e luftës e në vazhdim, punonin veçmas e në bashkëpunim me ‘grupin armiqësor të kulturës’ e ‘grupin armiqësor në ushtri’ për rrëzimin e pushtetit të popullit dhe sjelljen e regjimit të kaluar. Veçmas e së bashku, për përmbushjen e detyrës, kontaktonin dhe merrnin udhëzime nga agjenturat e shteteve të huaja.

(Vijon nga numri i kaluar)

Në orën 08:00 të datës 3 maj 1977, Kryeprokurori i Republikës Rrapi Mino, në gjyqin me dyer të mbyllura, lexon pretencën kundër anëtarëve të ‘Grupit armiqësor në ekonomi’, kryesuar nga Abdyl Këllezi, në përbërje të të cilit janë dhe të pandehurit Koço Theodhosi, Kiço Ngjela dhe Vasil Kati. Që në fillim të pretencës, pasi komunikohet akuza zyrtare, ngritur nga provat dhe dëshmitë në hetim, Rrapi Mino thekson bashkëpunimin e grupit ‘armiqësor’ të ekonomisë me grupin ‘armiqësor’ të kulturës dhe atë ‘…Puçist në ushtri’ me synim “Rrëzimin e pushtetit popullor”….

Prova të montuara? Akuza false? DITA po e riprodhon këtë material siç gjendet në dosjen gjyqësore të kohës:

SEANCA E I, 3 MAJ 1977

(Pretenca ndaj të akuzuarve)

Rrapi Mino(Prokuror i Përgjithshëm:

Shoku Kryetar!

Shokë anëtarë të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë!

Sot, pas një gjykimi të kujdesshëm, objektiv dhe me partishmëri, ne përfunduam hetimin gjyqësor kundër të pandehurve Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, këtij grupi armik, të akuzuar se, duke qenë të bashkuar në një organizatë kriminale, në mënyrë sistematike dhe të organizuar kanë sabotuar vijën politike dhe ekonomike të Partisë dhe të shtetit, parimet e organizimit e të drejtimit shtetëror, si dhe kanë agjituar kundër pushtetit popullor, me qëllim që të dobësonin dhe të minonin rendin socialist, të likuidonin diktaturën e proletariatit dhe të vendosnin në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë diktaturën borgjezo-revizioniste, të restauronin kapitalizmin.

Veprimtaria e të pandehurve që po gjykojmë vërtetoi se në luftën për ndërtimin e socializmit, Partisë dhe popullit tonë u është dashur të kapërcejnë pengesa e vështirësi të mëdha, të përballojnë armiq të shumtë, të brendshëm e të jashtëm, të hapur e të maskuar, të mposhtin presione, kërcënime dhe rreziqe të ndryshme. Ajo vërtetoi se lufta e klasave zhvillohet në të gjitha frontet dhe sektorët e jetës së vendit, se vazhdon të mbetet edhe në kushtet e socializmit një ligj i zhvillimit të shoqërisë, një forcë kryesore lëvizëse e saj, që e çon atë përpara drejt komunizmit.

Përvoja e Partisë sonë gjatë 36-vjetëve të ekzistencës dhe veprimtarisë së saj revolucionare, ka vërtetuar se përderisa të ekzistojnë mbeturinat e klasave shfrytëzuese të përmbysura të vendit dhe borgjezia ndërkombëtare, armiqtë, brenda dhe jashtë vendit, kurrë nuk heqin dorë nga qëllimi i tyre dhe nga veprimtaria kundër-revolucionare, nga ëndrra për të kthyer përsëri të kaluarën, për të mbytur frymën revolucionare, militantizmin luftarak dhe për t’i hapur kështu rrugën kundër-revolucionit politik për restaurimin e kapitalizmit në vendin ku është vendosur diktatura e proletariatit.

…Historia e zhvillimit të luftës së klasave në vendin tonë ka vërtetuar se në çfarë do forme dhe në çdo fushë, që ajo zhvillohet, në atë politike, ideologjike, ekonomike, kulturore apo ushtarake, ajo ka të bëjë kurdoherë me çështjet e pushtetit, me ruajtjen dhe forcimin e tij. Në këtë drejtim, armiqtë e jashtëm e të brendshëm, duke mos u pajtuar me disfatat e tyre, me shkatërrimin e pozitave dhe dështimin e synimeve të tyre grabitqare, nuk kanë hequr dhe nuk do të heqin kurrë dorë deri në vdekje nga çështja e shkatërrimit të pushtetit të klasave punëtore dhe realizimit të qëllimeve të tyre kundër revolucionare në kthimin e vendit nga rruga e ndërtimit socialist.

Që në ditët e para të pas çlirimit, armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, me gjithë farë formash e mjetesh, u përpoqën të përmbysnin me forcën e armëve pushtetin popullor, të pengonin dhe sabotonin realizimin e direktivave të Partisë për riorganizimin dhe zhvillimin socialist të vendit, luftë kjo që vazhdoi edhe gjatë gjithë periudhës së ndërtimit të bazave ekonomike të socializmit dhe që u bë akoma më e ashpër, më e egër dhe në përpjesëtime shumë më të mëdha pas tradhtisë së revizionistëve sovjetikë, të cilët për të gjunjëzuar Partinë dhe popullin tonë, përdorën aktet e shantazhit, kërcënimeve dhe bllokadës së hekurt, veprimet e diversionit ideologjik, duke mos hequr asnjëherë dorë nga metodat e punës agjenturiale, minuese e subversive, nga propaganda e hapur armiqësore kundër pushtetit popullor.

Grupi armik e antiparti i sabotatorëve në organizimin shtetëror dhe të ekonomisë, i kryesuar nga Abdyl Këllezi, me bashkëpunëtorë kryesor Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil kati, ashtu si edhe gjithë grupet e tjera të gjykuara, është shfaqje e zhvillimit të gjithanshëm  të kësaj lufte të ashpër klasore, që ndeshet midis nesh dhe armiqve, midis ideologjisë sonë marksiste-leniniste dhe ideologjisë së klasave shfrytëzuese. Në të gjitha aspektet e saj, ajo ka synuar të realizoj si qëllim më vete likuidimin e Partisë dhe kthimin e vendit nga rruga e ndërtimit të socializmit.

Tërësia e provave të mbledhura vërtetoi se veprimtaria e grupit armik e antiparti të sabotatorëve që po gjykojmë, nuk është një fenomen i shkëputur dhe i rastit. Në gjithë shfaqjet e saj, ajo paraqitet në lidhe e unitet të ngushtë me komplotin e madh, të gjerë dhe të rrezikshëm, që vepronte në mënyrë të organizuar për të përmbysur pushtetin tonë popullore dhe socializmin, me grupin e Fadil Paçramit, Todi Lubonjës me shokë që u munduan të përhapnin ideologjinë,  kulturën dhe jetesën borgjezo-revizioniste, të grupit që vepronte në prapaskenë e në fshehtësi me komplotistët në ushtri Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman parllaku, që përgatisnin sabotimin e mbrojtjes së vendit dhe organizimi e puçit ushtarak, të grupit të naftës me Pirro Gushon, Lipe Nashin e të tjerë, që në stil të gjerë sabotuan kërkimin dhe zbulimin e naftës dhe shfrytëzimin barbar të vendburimeve ekzistuese, ku të gjithë së bashku, në plan të bashkërenduar në kohë e në qëllime, në strategji dhe në taktikë, lidhen me një nyje të vetme, në një qëllim të përbashkët-në likuidimin e diktaturës së proletariatit, vendosjen e diktaturës borgjezo-revizioniste dhe restaurimin e kapitalizmit.

Por, cila do që të ishte orvatja e armiqve të komplotit të madh kundër revolucionar në tërësi dhe grupit armik e antiparti të sabotatorëve Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil kati në veçanti për të realizuar qëllimet e tyre, ata nuk ia arritën dhe nuk mund t’ia arrinin synimeve të tyre, sepse Partia, si gjithmonë, ka qenë vigjilente dhe shpatën e luftës së klasave e ka mbajtur gjithmonë të mprehtë, siç mëson marksizëm-leninizmi dhe e kërkojnë interesat e diktaturës së proletariatit, popullit revolucionit dhe socializmit.

abdyll kellezi

Veprimtaria e grupit antiparti dhe sabotatorëve që po gjykojmë, është e gjerë dhe e shumë anshme, me forma të hapura dhe të maskuara, me një punë të dendur dhe brendi të thellë armiqësore. Nuk ka degë dhe sektor të veprimtarisë shtetërore dhe ekonomike ku këta armiq kanë punuar, që të mos i kenë shkaktuar dëme interesave të popullit, atdheut dhe socializmit. Për të gjitha këto, do të ndalemi në mënyrë të veçantë, duke trajtuar dhe argumentuar çdo veprim kriminal të tyre çdo anë të punës sabotuese që ata kryen. Por para se të kalojmë në këtë çështje, e shohim me interes që ti paraqesim trupit gjykues disa nga veçoritë që paraqet ky proces, të cilat lejojnë të kuptohet më mirë karakteri i veprës dhe rrezikshmërisë shoqërore që paraqesin të pandehurit në veprimtarinë e tyre. Këto veçori, në mënyrë përmbledhëse, mund të grupohen në këto drejtime:

Së pari, se veprimtaria e këtij grupi antiparti dhe sabotator  në organizimin shtetëror dhe në ekonomi i kryesuar nga i pandehuri Abdyl Këllezi, me bashkëpunëtorë Koço Theodhosin, Kiço Ngjelën e Vasil katin, ëshët një veprimtari e organizuar sipas një plani të përgjithshëm të studiuar dhe përpunuar mirë dhe me hollësi, i cili e ka bazën e tij në armiqësinë e hapur të këtyre armiqve ndaj Partisë  dhe shtetit tonë, armiqësi kjo që e ka zanafillën e saj që në vitet e luftës Nacionalçlirimtare dhe që ka vazhduar pa ndërprerje deri në ditët e zbulimit dhe të shkatërrimit të saj.

Në këtë drejtim, si hetimi paraprak, ashtu dhe ai gjyqësor, vërtetoi se këta të pandehur kanë qenë kurdoherë në pozita kundër-revolucionare. Pa asnjë rezervë dhe gjithmonë si armiq, ata kanë përkrahur dhe janë renditur në një barrikadë me grupet e ndryshme antiparti, duke ushtruar një veprimtari të gjerë kriminale kundër interesave të popullit, Atdheut e socializmit. Të maskuar në Parti dhe në organet udhëheqëse të saj e të shtetit, janë përpjekur që në kushte e situata konkrete të zgjerojnë gjithnjë e më shumë veprimtarinë e tyre armiqësore, të gjejnë njëri-tjetrin si armiq dhe në marrëveshje midis tyre, në mënyrë të organizuar dhe sistematikisht, me forma e metoda të ndryshme, të veprojnë si një grup armik kundër vijës së përgjithshme të Partisë, formave të organizimit e të drejtimit shtetëror, duke sabotuar direktivat dhe udhëzimet e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe vendimet e Qeverisë në drejtim të forcimit të shtetit tonë dhe të rendit të tij juridik, të zhvillimit të ekonomisë dhe ndërtimit të socializmit.

Së dyti, se veprimtaria armiqësore e këtij grupi armik, duke qenë pjesë përbërëse e komplotit të përgjithshëm që i përgatitej Atdheut nga grupi puçist në ushtri të kryesuar nga armiku Beqir Balluku, nga grupi në fushën e ideologjisë dhe kulturës të kryesuar nga Fadil Paçrami dhe grupi i sabotatorëve në industrinë e naftës të kryesuar nga Pirro Gusho e Filip Nashi, është një veprimtari e koordinuar me armiqtë e jashtëm, të cilët gjithmonë kanë synuar dhe synojnë në hapjen e dyerve revizionizmit për shkatërrimin  e diktaturës së proletariatit dhe likuidimin e pavarësisë kombëtare. Në këtë drejtim, qëndrimi prej kohësh, antiparti i tyre,dhe veprimet e tyre në vazhdimësi kundër vijës së Partisë dhe politikës së shtetit, formojnë truallin tek i cili gjejnë mbështetje veprimet e bashkërenduara antisocialiste dhe antishqiptare të tyre, me atë të personave dhe organizmave të shteteve armiq të vendit tonë. Që të gjithë të pandehurit, sikurse rezultoi nga shqyrtimi i provave, në koëh dhe periudhave të ndryshme, i janë nënshtruar një përpunimi ideologjik e politik nga njerëz dhe organizma të shteteve kapitalisto-revizioniste të këtyre shteteve e organizmave, kanë zbatuar orientimet e tyre për dobësimin dhe shkatërrimin e rendit tonë socialist dhe likuidimin e  Shqipërisë Socialiste.

Së treti, se grupi armiqësor antiparti dhe i sabotatorëve në organizmin shtetëror dhe në ekonomi i kryesuar nga i pandehuri Abdyl Këllezi dhe me bashkëpunëtorët e tij kryesorë të pandehurit Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, përbëhet nga kuadro të lartë, që kanë pasur vende drejtuese në Parti dhe në shtet. I pandehuri Abdyl Këllezi ka qenë anëtar i Byrosë Politike të KQPPSH dhe Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, Koço Theodhosi, anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH dhe Ministër i Industrisë e Minierave, i pandehuri Kiço Ngjela, anëtar i KQ të PPSH dhe Minsitër i Tregëtisë si dhe Vasil kati, Zëvendësminsitër i Ministrisë së Tregtisë.

Këto vende të rëndësishme që mbulonin, të shoqëruara me faktin se të pandehurit nuk njiheshin si armiq, u shfrytëzuan me kujdes prej tyre për të zhvilluar një veprimtari të thellë dhe të gjerë armiqësore, për të goditur parimet themelore të organizimit shtetëror dhe drejtimit të ekonomisë, si dhe për të mënjanuar udhëheqjen e Partisë dhe të shtetit në dikasteret ku ata drejtonin e punonin.

Së katërti, se veprimtaria e grupit antiparti dhe e sabotatorëve është e bashkërenduar me një veprimtari të gjerë diversive, minuese dhe të egër në frontin ideologjik, me një veprimtari të gjerë armiqësore nëpërmjet agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor, me qëllim që të përhapnin ideologjinë borgjezo-revizioniste, e mbi këtë bazë të minonin pozitat sunduese që ideologjia marksiste-leniniste ka në vendin tonë.

Kjo veprimtari e gjerë diversive, e zhvilluar në mënyra të organizuara dhe sistematikisht ka ndjekur si qëllim dobësimin e frontit tonë të brendshëm, mbajtjen gjallë dhe aktivizimin e mbeturinave të klasave të përmbysura dhe elementëve antisocialistë, goditjen dhe dobësimin e cilësive të larta revolucionare të njerëzve tanë, lëkundjes së besimit të tyre në forcat e veta për t’i bërë ballë frontit armik, thyerjes së unitetit moralo-politik të popullit, çoroditjen e masave punonjëse, largimin e shkëputjen e tyre nga Partia, me pikësynim për t’i hedhur ato kundër rendit socialist në Shqipëri.

Të gjitha këto veçori, të shikuara në tërësinë e tyre, tregojnë si rrezikshmërinë e theksuar të veprës kriminale që këta të pandehur ndërmorën kundër rendit tonë socialist, ashtu dhe shkallën e fajësisë që rëndon ndaj tyre për veprimtarinë e ushtruar. Prandaj ata duhet të kihen parasysh në vlerësimin e punës armiqësore që këta të pandehur realizuan, në zbatimin e ligjit dhe caktimin e dënimit.

Në vështrim të të dhënave, le të analizojmë tani, shokë gjyqtarë, akuzat që u ngarkohen të pandehurve, provat e administruara në drejtim të tyre, si dhe çdo rrethanë që ka rëndësi për çështjen dhe që lejon të merret një vendim i drejtë, i ligjshëm dhe i bazuar.

 

DSC08677          DSC08678

 

(Vijon nesër)

 

 

 

 

Share This Article
10 Comments
  • Ky shoku tRRapi Mino ka shume te ndrejte .Ky ka qene kelysh besnik i partise .

    Do jete per po te njejten arsye qe Rilindasi Pandeli Majko e demshperbleu .
    Eh ,jo se ne u njohim meritat baballareve …na kane mbajtur mire mamate !

  • Rrapi Mino ishte pjesw e atij sistemi vrastar dhe ndryshe i shkonte koka.
    Prokuror i vwrtetw dhe kryetar etj, ishte vet Enveri. Tw tjerwt, recitojnw tw shkruarat e tij.

    • Ardenica ,kur gjej ndonje me kto mendimet e tua ,coroditem .A e di pse ??
      SEPSE KJO ESHTE LOGJIKE SKLLAVI !
      Ndoshta Konica kte kishte parasysh kur na shkruante
      SHQIPTARET JANE TE GJITHE SHPIRTROBER !

      Sistemin e krijojme vete dhe po vete e ushqejme .Ja ti ne koke ke vetem parrullen
      ATA TE VRASIN !
      Pyet njeher veten …sa do vrasin ?? pyet
      A JA VLEN TE KESH FRIKEN NE KOKE ,TE RRITESH DHE CA SKLLEVER TE TJERE ???
      Mos ma keqkuptoni fjalen “skllav” .Kuptimi i saj eshte dikush qe rri dhe pret qe ndonje tjeter te vij ta shpetoj .Nejse ,nuk pretendoj qe te ndryshoni ,por na kurseni riprodhimin dhe edukimin e ca brezave te tjere keshtu .Jo se ju garantoj qe i biri i Zhgelzenit do ju vrasi niperit .Sepse ti keshtu i edukove …
      ATA TE VRASIN !

      Ah se mos harroj …nganjeher eshte me mire te te “shkoje koka” te pakten nuk do kujtohej si …koke bastardi …me gjithe kelyshat e tij …kelysha bastardi !

  • Mbroni funderrinat se vet funderrina ishit… Enveri eleminoi plerat e Shqiperise , i interrnoi , i vrau , i masakroj … dhe cdo familje Shqipetare eshte krenare per kete…. Na behet qejfi aq shume sa ska pershkrim qe ta shpjegoj … Ju rrasi ne Spac , dhe cdo Shqipetare e ka mbeshtetur ket akt… Spaci eshte nje veper heroike …

  • Po mir or miq qe po doni te analizoni e ti gjejm nje spjegim shkurt ,diktator ,kriminel ,vrases dhe mbase haroj edhe ndonje epitet tjeter ,qe mbase me shpeton por kjo lloj “fare”, krahas ktyre qe lexojm, beri mjaft pun e ndertoi shum nga ato qe nuk permenden dhe u haruan ! Por pa me thoni ,ky “hibrit”i ri cfar me mir beri nga “fara” e kaluar per kte komb (se nuk po flas me per individ) !Po ti ktheheshim asaj kohe mbas lufte ku jet e njeriut nuk kushtonte aq sa sot, cfar do bente cilido nga ju me kta “hibrit” te rij qe slan gje pa shkateruar ,pa vjedhur , dhe ne krahasim me ca shtete simotra na cuan akoma me mbrapa ! Cfar emri do ju vinim : Sabotator ? armiq ?agjenta te imperializmit ? ???? Vepra e ketyre , pa ju ven kto epitete, a nuk do ishte litari per ate koh ? Pushkatoheshin “sabotatoret armiq” e ekonomis ne ate koh se donin te fusnin rugen kapitaliste ne shqiperin socialiste !!! Behej ky “pastrim” her pas here me “viktimat”qe nuk hecnin mbi ato “shina” qe duhej !
    Po sot kush esht “sabotatori” “vrasesi” “armiku” qe mashtron ,shkateron, vjedh, vret dhe esht i lir te cirret ,te pasurohet te udheheq e ta varferoj kombin e ta ler ne kte dit ! Fara “vrasese” polli “hibrid” me te keq se vetja qe ska Zot me ti shkul “bullonat” e bustit e ta terheq zvarr neper ruget e kombit ! Bullonat e ktyre “armiqeve” kan dimensione milionash e miliardash € qe ja moren ktij kombi dhe e lan te pafuqishem ma, te merret me ta !
    Nuk po di me cfar te them ,nuk po kam ma ftyr te shikoj mbrapa me ate cka shoh para syve ,nuk po di ma cfar duhet te “shkel” !!!

    • Eshte e njejta praktike: Rrapi Minot nuk u vune ne bangot e te akuzuarve, sepse Sali Berisha e Fatos Nano krijuan “minot” e tyre: Rrapi Mino=Fehmi Abdiu= Shpresa Brecaj=Arben Ristani= Arben Rakipi= Aleksander Muskaj=Ariana Fullani= Agim Bendo etj etj. Gjyqi i Nurembergut nuk denoi vetem Hitlerine MUssolini, por te gjithe anetaret e kastes qe u sherbyen atyre me ndergjegje te plote.
      Ne qe nuk pranuam te behemi masha te vrasesve paranojake si Enver Hoxha me shoke, na degdisen neper rrethe apo neper burgje. Realizimet e socializmit ne Shqiperi duhen pergezuar; krimet kunder njerezimit duhen denuar. ndryshe asnje popull nuk ecen ne rrugen e emancipimit dhe mbrojtjes se te drejtave natyrore te njeriut. (Por ne Shqiperi vazhdon fryma e Katovices, lereni se cfare thote Fatos Bixhozxhiu..

  • Ka qene nje cmenduri tipike shqiptare. Akuza i nxori partizanet shqiptare, ata qe shkrine floririn e familes se tyre agjente,tradhetare, dhe i lifhen gjasme grupet me njera tjetren. Beqir Balluku ishte verte i paafte, por ai i kerkoi Hoxhes zevendesimin jo nje here por 3 here, dhe pastaj si teoricien i madh qe ishte donte te bente art ushtarak, edhe Shehut i erdhi zogu ne dore, edhe Hoxhes nuk i hynte me ne pune Balluku. Mino dhe Aranit Cela duhet te shkoninn para gjyqirt ashtu si ben me prokuroret dhe gjykatesit nazist pas luftes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *