Klubi sportiv Tirana, ka pse të krenohet, jo vetëm për titujt e fituar, por edhe për zëdhënësen bukuroshe. Iva Mera, ish-modele dhe prezantuese televizive është zëri dhe imazhi, i klubit me më shumë trofe në Shqipëri.
Iva Mera është një nga vajzat e reja të ekranit, e cila bie në sy për hiret e saj. Por çfarë e lidh atë më fushën e blertë dhe fanellën bardh e blu? U bë më shumë se një vit e gjysmë që ajo është zëdhënëse e një ndër klubeve më të mëdha futbollistike në vend SK Tirana. Në këtë detyrë nuk është thjesht një bukuroshe që del dhe lexon deklaratat për shtyp. Mera ka përfunduar studimet e larta për Marrëdhënie me Publikun. Në një ambient të rrethuar nga meshkujt, ajo e ndjen veten si “qershia mbi tortë”. Në fakt Iva nuk është një vajzë e panjohur për publikun. Në moshën 17-vjeçare ajo ka nisur të merret me modeling çka e bëri më pas të kalonte në ekran si prezantuese e disa emisioneve televizive. Për të biseduar me Ivën, ulemi këmbëkryq në fushën e blertë të klubit ku ajo punon. Nën qetësinë që të fal ai ambient, ajo rrëfen për Ditën punën e saj me ‘çunat e Tironës” dhe jo vetëm kaq…
Iva, ju punoni në Klubin Sportiv Tirana. Si u gjendët këtu?
Unë kam mbaruar studimet për Marrëdhënie me Publikun. Pavarësisht dëshirës sime për të qenë gjithnjë e pranishme në ekran, më duhej të vija në praktikë profesionin tim. Në fakt nuk e kisha menduar kurrë që do të punoja në një klub futbolli. Por në momentin që mora këtë ofertë e pranova me kënaqësi. Për mua është një eksperience e re dhe të dhuron emocione dhe ndjesi krejt të ndryshme nga ato që isha mësuar të marrë nga ekrani.
Sa kohë u bë që jeni pjesë e këtij klubi?
Prej gati një viti e gjysmë jam zëdhënëse e klubit të futbollit Tirana.
Për një vajzë si ju që deri më tani eksperiencat kanë qenë të ndryshme nga kjo aktualja, si është të menaxhosh një klub sportive?
Roli im në këtë klub është shumë i vogël krahasuar me punonjësit e tjerë të cilët kanë përgjegjësi dhe detyra shumë herë më të vështira se sa unë. Por pozicioni im si zëdhënëse për shtyp është pozicioni më i dukshëm për audiencën dhe publikun. E gjithë ajo punë që realizohet dhe bëhet brenda dyerve të këtij klubi përcillet pikërisht nga unë. Të jesh zëdhënëse për shtyp e një klubi futbolli për mua është të injektosh te vetja emocione dhe ndjesi krejt të reja, të cilat ti nuk i ke të lindura apo të mësuara me kohën. Unë e quaj punë dhe përpiqem të jem e vëmendshme, edhe aty ku nuk arrij t’i kuptoj dhe perceptoj gjërat ashtu siç do të mund t’i bënte një djalë.
Si është dita e një zëdhënëseje në një klub sportiv?
Puna ime nis që herët në mëngjes, ku pa diskutim kafja e mëngjesit në zyrë shoqërohet me monitorimin e medies. Pas pasqyrës mediatike të cilën më duhet ta dorëzoj çdo mëngjes, oraret e tjera mbushen me ngjarje dhe raste spontane të cilat nuk i ke parashikuar. Një konferencë për shtyp, një deklaratë për shtyp, një njoftim, një kundërpërgjigje artikulli, herë një mbledhje e rastësishme arrijnë të mbushin gjithnjë ditën pa e kuptuar që orët kanë kaluar.
Një femër mes futbollistëve. Gjendeni si veshka mes dhjamit apo e “kërcënuar” nga ambienti mashkullor?
Jo ndihem shumë mirë. Shumë më pyesin për këtë gjë. Në fakt nuk jam unë e vetmja femër që punon në klubin e futbollit Tirana. Unë jam ajo më e dukshmja në publik. Gjithsesi të punosh në një klub të tillë si Tirana do të thotë të jesh si “qershia mbi tortë”. Ndihem me fat që rrethohem nga djem dhe vajza të cilët nuk janë vetëm kolegë pune për mua, por dhe miq shumë të mirë.
E kishe menduar ndonjëherë që do të kishe këtë punë, aq më tepër me futbollistë?
Në një klub futbolli? Asnjëherë. Jo vetëm që se kisha menduar, por edhe futbollin vetë si sport asnjëherë se kam ndjekur. Mund të them me bindje që gjithsej mund të kem parë 10 ndeshje futbolli nga fillimi deri në fund. Edhe sot që flasim përveç ekipit të Tiranës dhe disa ndeshjeve të rëndësishme, e kam shumë të vështirë të ulem e të ndjek një ndeshje me kënaqësi.
Modele, me pas studimet në një fushë tjetër, pjesëmarrëse në televizion. Ju kanë bërë mirë gjithë këto lëvizje apo…?
Kur kam filluar modelimin kam qenë vetëm 17 vjeç. Ishte si një aktivitet në kohën e lirë. Kurrë s’kam dashur ta kthej në profesion. Babai im më nxiste gjithmonë drejt shkollës dhe profesionit që duhej të zgjidhja. Për të puna në televizion ishte dytësore. Dhe kështu u përpoqa që shkollën ta quaja si objektiv parësore të cilën duhej ta përmbushja me sukses dhe nga ana tjetër mos të hiqja dorë nga dëshira dhe kënaqësia që më jepte ekrani. Kam dashur gjithnjë t’i ndërthurë të dyja! Këtu më kujtohet një këshillë e pedagogut tim Artan Fuga ku pas një diskutimi që patëm bashkë më tha: “Iva ti mund t’i bësh të dyja, s’ka asgjë të pamundur”. Dhe unë atë këshillë ndoqa. Mbarova shkollën, punoj në profesionin tim dhe pa diskutim pjesën tjetër të kohës ia përkushtoj ekranit dhe prandaj ndihem e lumtur.
Përveç punës çfarë angazhimi ka koha juaj e lirë?
Gjate javës jam e ngarkuar. Më duhet të jem edhe pranë klubit të futbollit, dhe në përgatitje të emisionit. Të them të drejtën fundjavën e pres me padurim. Përpiqem të shijoj çdo orë të fundjavës dhe të realizoj gjërat të cilat gjatë javës nuk mundem për shkak të kohës. Takimi me miqtë e mi më të mirë është patjetër një formë argëtimi. Tani kam filluar të luaj pak volejboll pasi jam shëndoshur akoma pa filluar emisioni.
Mendoni një dasmë tradicionale apo moderne?
Kur te vij momenti patjetër një dasmë tradicionale me të gjitha elementet dhe ritet përkatëse.
Nga ana tjetër publiku ju njeh edhe si vajzën e humoristit Behar Mera. Si i keni marrëdhëniet me të?
Marrëdhënia ime me babin është më shumë se e veçantë. Mendoj që në varësi të kësaj marrëdhënie, vajza arrin të krijojë nga imazh të të atit, vetëvlerësimin për veten, shëmbëlltyrën e një mashkulli, si dhe shembullin e një familje në tërësi. Babai shërben gjithnjë si një shembull në jetën e vajzës për të ndërtuar botën jashtë saj. Përfshirja e babait në jetën time pa diskutim ka shërbyer si një përbërës themelor në zhvillimin e karakterit dhe përbërjes time. Babi më ka ndihmuar si një inkurajim verbal, ai ka qenë gjithnjë i pranishëm në jetën time, gjithnjë vigjilent dhe i ndjeshëm ndaj ndjenjave dhe emocioneve të mia.
Dita më e bukur e juaja?
Ditët pushim ku mund të bëj çfarë të dua pa më dashur të shoh orën.
Momenti më i keq në jetë?
Të gjitha ato momente ku të gjithë qeniet njerëzore lëndohen e tronditen shpirtërisht.
***
Sipas një vajze…
Çfarë ju shqetëson si femër në këtë shoqëri?
Kur flasim për gjininë femërore në shoqërinë shqiptare duket sikur jemi në kohën ku të drejtat gjinore njihen, dëgjohen dhe respektohen. Në fakt po t’i hedhim një sy ligjeve për mbrojtjen e të drejtave të gruas, shikojmë që kemi një huazim të ligjeve më të mira të marra nga vendet nordike, ku femra është mbi bazën e gjithçkaje dhe mbrohet denjësisht. Kjo do të thotë që ligjet janë, ekzistojnë, por nuk gjejnë zbatim. Këtu marr shkas nga vrasjet e shumta dhe makabre që u ndodhin femrave në Shqipëri, trajtimit të tyre në opinionin publik, si dhe perceptimit të imazhit femëror që në zanafillë, në bërthamën e familjes mund të them me bindje pa dashur të zgjatem, që gjinisë femërore në shoqërinë shqiptar i mungon siguria dhe mbështetja e përgjithshme. Pa dashur të kthehem shumë në retrospektivë kujtojmë që brezi i prindërve tanë janë rritur dhe kanë trashëguar një kulturë familjare patriarkale, ku femra ishte një amvisë shtëpie, një makinë e palodhshme me funksionet e saj përkatëse. Në qytetin që jetojmë arrijmë të ndjejmë një ndryshim paksa të kësaj kulture, shohim që mashkulli sot përpiqet të jetë një partner dhe një prind i barabartë në kujdesin dhe rritjen e fëmijëve dhe krijimit të një familje, por a është ky fenomen i përhapur dhe përgjithësues edhe ne zonat rurale periferike, edhe në ato qytete ku syri ynë nuk arrin të shohë? Mjafton të numërojmë rastet makabre që media arrin të përcjell tek ne do të kuptojmë që ajo që ne shohim e përjetojmë çdo ditë është sipërfaqja e zbukuruar e një realiteti jo real e konkret.
