Ese në 70 vjetorin e Lindjes së Moikom Zeqos
Bedri Islami
As ai vetë nuk e di pse është i prirur të jetojë midis gjërave, të cilat janë skajore, të ndërlidhë të pangjashmet, të arsyetojë paradokset, të ndërlikojë të thjeshtat, të gjurmojë enigmën, të jetë asket ndaj joshjes pasurore, të jetë i lënduar dhe të mos lëndojë askënd; nuk e di e ndoshta nuk ka për ta ditur kurrë përse përpiqet të zbulojë atë që ndoshta nuk mund të zbulohet kurrë, të ndërtojë me një ngulm të pashoq koleksione të tilla të përafërta, të cilat, më pas krijojnë fragmente të imazheve të jetësore që lëvizin në këtë peisazh jo vetëm shqiptar, ato copëza të mëdha hapësire dhe dendësi kohërash të pabesueshme; nuk e di përse është i prirur të thyejë veten si rrallë kush e të mendojë gjëra të pamendueshme dhe të ndërtojë një piramidë të pazevendësueshme, të cilën nuk e prish dot as rrëkeja e viteve, as ashpërsimi i moteve, as mëria dhe harresa.
Kam gjithnjë në memorjen time një pamje të shumë kohëve më parë, kur student i vitit të parë, tmerrësisht i dashuruar, ndërsa ecja në rruginat gjithë bar të qytetit të Studentëve, shikoja studentët e vitit të fundit, Moikomin, Sefedin Çelën, Llazar Veron, Vllasova Mustën, Adelina Ginën, që ishte motra e apostullit tim të letërsisë, Shpëtimit, Fatos Kongoli, Bashkim Koçi, më duket Koço Kosta, të gjithë të hajthëm dhe të talentuar, që më pas do të krijonin një elitë të gazetarisë në Shqipëri.
Moikomi do të botonte aso kohe librin e tij të parë poetik, dhe atëherë nuk ishte e lehtë të botoje, nga i cili më kishte mbetur në mendje vargu , “Dëgjoj një zë kur nata mbyll qepallat” dhe, shumë vite më vonë kam menduar se ky njeri, asket i ndershmërisë dhe mik i përkryer, studiues i një lloji të veçantë që më shumë se me të sotmit ngjan me klasikët e dikurshëm, të cilët merreshin njëkohësisht me disa gjëra, me poezi, artitekturë, muzikë, pikturë, skulpturë, flisnin disa gjuhë të ndryshme, ishin filozofë dhe historianë, zgjidhnin miq dhe prishnin tabu të hershme, ziheshin me mbretër dhe mbretërit ziheshin për ta, ishin kalorës dhe ëndërronin të fluturonin, pra, ky njeri, kishte shpallur kredon e tij të jetës përmes një vargu poetik… “dëgjonte zëra edhe kur nata mbyll qepallat”.
Ashtu si klasikët e dikurshëm, që projektonin dhe realizonin ndërtime kolosale, ai, Moikomi, me një durim të pashoq, thuaj se të pamundur, kishte projektuar dhe kishte filluar ngritjen e një perandorie kolosale, jo thjeshtë si godina masive, shufra hekuri dhe pllaka betoni, por të një stili të veçantë, moikomian; ashtu si klasikët projektonin në studiot e tyre të mëdha të ardhmen urbanistike të qyteteve, urat, rrjedhjet e lumejve përmes qyteteve të mëdha, pritat, digat, ashtu, edhe Moikomi, durimshëm, përditë, që nga mëngjesi i herët e deri në mbylljen e qepallave për t’i bërë vend ëndrrës, në dhomën e tij të punës, ku librat të zënë rrugën e të marrin këmbët, kishte skicuar dhe ngrinte të ardhmen e librave të tij, poezi, gjithnjë e më magjepsëse dhe kumbuese në vizionin e tyre, prozë e gjithanshme, ku eseistika ishte prijëse, arkitekturë, histori, studime të shumëllojshme, me një rebelizëm kokëshkretë, me një fantazi të çmendur, me shfaqjen e një pikture sui generis, i gjithëditur dhe heretik.
Normalisht, të gjitha këto, do të ishin të pabesueshme për një njeri të vetëm; shumëkush, në vitet e mëpasme do të ishte në të drejtën e tij të besonte se në botën pararendëse do të kishin ekzistuar të paktën Pesë Moikomë;
1.Historiani rebel, i palodhur dhe ngulmues, fushëpamja e studimeve të së cilit rrok një hapësirë aq të gjërë, sa që brenda saj mund të gjesh të gjitha kohrat, që ngarendjet e Solomonit e deri tek zhvillimet marramendëse të ditëve tona, duke pasur një kryetemë: epikën Skenderbejane, me të gjithë shtrirjet e saj historike, si pararendëse dhe pjesë e historisë europiane, pjesë e së cilës u bë nga gjithë ajo që përmblodhi në vetvete akti i qendresës si akt i mbijetesës.
Historia e trajtuar nga Ai nuk ka pasur asnjë tabu dhe asnjë ngarendje inatçore. E ka parë historinë si njëri ndër të dashuruarit pas saj, por ftohtësisht; pa pasur me vete urrejtje dhe mëshirë, por pa e ndarë të vërtetën në dysh.
Megjithëse në radhë të parë ai është Poet, dhe, duhet pranuar se shtë poeti më i çuditshëm i letrave shqipe dhe pararendës i një kohe tjetër, ai mbetet po kështu edhe si historian i dorës së parë.
Nëse vendosa së pari Një Moikom Historian, më duhet të pranoj se pikërisht duke qenë i tillë ai ka sjellë një letërsi ndryshe, të çmuar dhe të rëndësishme.
Historinë ai e ka trajtuar kurdoherë si një shqiptar i shquar, si një kalorës i Skënderbeut, me të cilin titull u nderua para dy ditësh, por pa rënë një një fobi shqiptaromadhe.
Një herë ai ka shkruar se “Nderi i shkrimtarëve ka të bëjë me të Vërtetën…”, dhe këtë të Vertetë ai e ka sjellë në studimet e tij historike. Dhe, çka është më fatlume, e ka sjellë si historian i dorës së parë, përmes një mendje brilante dhe orëve të tejzgjatura të një studimi rigoroz gjer në stërlodhje.
- Filozofi i pasionuar pas enigmës dhe të vërtetës, ngulmues dhe kërkues deri në fund, duke skajuar në një qoshe të dijes së tij të vërtetat e padiskutueshme dhe duke kërkuar tabutë që mund të thyheshin. I dashuruar pas Platonit ai bëhet dishepull i filozofëve kinezë, ende të panjohur në kontinentin e vjetër. Gjithçka i intereson nga Zarathustra, Jahovai, Buda, Krishti apo Muhameti, katër ungjijtë e Dhjatës së Re, rrugëtimi i Apostujve apo shumë më përtej tokës së premtuar, në Lindjen e mbuluar nga mjegulla e së paditurës; dëshmon për këtë filozofi pararendëse e paditur e krishtërimit, studion Konfucin, emri i të cilit u bë emri i një religjioni, por pa Zot; adhuron dhe studion teorinë e Platonit me idetë për drejtimin e shtetit; rend më tej në idetë e tashme të filozofisë moderne, duke shpallur kredon e tij të respektimit të njerëzores, e rikthehet në lashtësi, duke afruar idenë e filozofit kinez Menci, sipas të cilit, “nëse sundimtari nuk ka cilësi etike, që duhet t’i ketë një prijës i mirë, njerëzit kanë të drejtën morale të bëjnë revolucion”.
3.Studiues i përmasave apokaliptike. Të pafund, do të thoja dhe të gjithëkund. Ndoshta kjo është hapësira më e madhe që ai vetë ka krijuar me një përkushtim mirënjohës që nuk ka ende shoq dhe që, jam i mendimit, nuk do të ketë për shumë kohë. Ata që janë studiuar nga ai, jashtë tabuve dhe keqardhjes, por mirësisht, herë nga një vizion i vrazhdë, gjithsesi rrëzëllitës, i pashmangshëm në këto raste dhe dlirësues domosdo, pasi e vërteta nuk është fusha moçalore, por ajri i pastër i lartësisë.
Emra të mëdhenj të historisë së botës kanë hyrë në studion e tij dhe kanë kaluar tek ne si nga një paradhomë e ndritshme për të qenë pjesë e dritës. Studimet e pafundme për Onufrin, Naim Frasherin, Kukuzelin, Da Vinçin, lëvizjet e mendimit iluminist prmes figurave të ndritura, eposi Kadarejan vezëllitës si pak kush në letrat europiane, Lasgush Poradecin – një kryevepër e llojit të vet; Dritëroin, në përmasat e poetit, njeriut dhe mendimtarit, Erazmin e Roterdamit, Tomas Mor, krijuesin e habitshëm të librit të pazakontë, “Utopia”, Jan Husin çek – pararendës të Martin Luterit, Gjon Buzukun dhe Gazullin, gjuhën shqipe dhe bektashizmin, Edipin dhe Mona Lizën, si dy skaje të një litari; mbi të gjitha për Migjenin, më të dashurin poet të tij; Mjedën, si një univers i papërkthyeshëm, çka është mëkati i s’ dashtunës botës sonë, De Radën- më njerëzorin të poezisë shqipe dhe të parin poet europian në dheun e përtej detit, Barletin, historian, poet dhe filozof, Shekspirin, Galileun, Niçen, më pas Frojdi, Bodler… ka afruar të paafrueshmit dhe ka krahasuar të ngjashmit me një saktësi verbuese, Oskar Uajlldin… dhe mëkatet e tij, për Durrësin…, mbi të gjitha Skenderbejada e tij; më shumë se 3 mijë figura historike janë në tabllot studiuese të Moikomit, kaq e gjërë është fusha e studimeve të tij, sa që ngarendja përmes tyre të merr frymën.
4.Poeti i pazakontë, kërkues, i së ardhmes dhe me perandorinë e tij të frikshme të figurave; pak vetë në botën e letrave kanë krijuar një korpus të tillë dhe askush në hapësirën shqiptare.
Poezia e Moikom Zeqos është njëra ndër shkrepëtimat e zgjatura që kthehen më pas në dritëzim. Në fakt, shpesh herë më ngjajnë me digat e mëdha, ku ujrat e grumbulluara nga urtësia e kohës rikthehen në dritë, çka ndodh shpesh herë në librat e shenjtë të moteve të shkuara.
Poezia e Moikom Zeqos është fisnike, përhapet përmes figurave dhe ngjyrave si nga një pikturë e prekshme, ajo shpesh herë më ngjan me një tempull, tek i cili pa pushim bëhen peligrinazhe. Poezia e tij është e vështirë të dyzohet, as të zevendësohet, por është e aftë të ndikojë tek të tjerët.
Shpesh herë ajo është një poezi filozofike, nëse mund ta quajmë kështu, depërton në brendësi të mendimit dhe të ndjenjës ngulmueshëm, jo për një hop dhe harrueshëm, por duke cikatur tek ndjenja njerëzore qetësisht, dhe ndodh si në puset e lashtë, ku vijzat e litarëve janë thelluar gjithnjë e më shumë, deri sa kanë lënë ato të thelluarat e gurta që duan kohën e pashmangshme të tyre për të qenë të tilla.
Poezia e Moikomit nuk kopjohet dot, ajo imitohet, ndoshta edhe suksesshëm, por brumi i vizionit përthyhet dhe rëndesa lehtësohet.
Nuk kam mundur kurrë të lexoj kurrë i qetë poezitë e tij dhe as të lehtësohem pas një leximi të tillë. Është nga ato poezitë që kërkon rikthim, ashtu si koha kërkon cakun e saj.
Edhe sikur Zeqo të kishte shkruar vetëm poezi ai do të kishte arritur lavdinë e krijuesit. E përkthyer në shumë gjuhë, më së shumti në anglisht, ajo ka nuk ka binjakë, atë edhe mund ta shpjegosh edhe mund të mos e shpjegosh përmes fjalëve, por që, në një mënyrë ose në një tjetër do të meditosh, kjo është e pashamangshme.
Poezia e Moikomit është njëra ndër pikturat moderne të kohës sonë që do të jetë në truallin e saj në shumë kohëra. Ajo është krijuar të mos vdesë me çastin, çasti i shumë poezive të tij lidhet me amshimin, shumëllojshmërinë, shpesh herë me një magji që zgjat pafundësisht.
Në Durrës është një portret i realizuar 20 shekuj para se të lindte gjeniu Leonardo. Ky mozaik, i quajtur “Bukuroshja e Durrësit”, njëlloj “Xhokonda e Antikitetit”, si e quan Moikomi në njërin nga librat e tij, ka një buzëqeshje të çiltër dhe pa dinakëri, flokët e mbuluar nga një kurorë lulesh kanë sjellë profilin e një vajze të re të mrekullueshme.
Poezia e Moikomit ka bërë po këtë risjellje. Nuk e di se cilat poezi do të kishte bërë Ai nëse nuk do të kishte para vetes detin, dallgët, Currilat, lojërat e shkujdesura të detit, kalanë magjepsëse si një ëndërr, Zotat e dalë nga dheu i shkrifët, legjendat, të shkuarën e çuditshme të një qyteti ku poezia ishte mijëra vjeçare.., nuk e di. Mund të ishte një poezi tjetër. Ashtu si nuk e di se cila do të ishte bota e madhe e Kadaresë nëse nuk do të kishte lindur në një qytet të gurtë, në të cilin, po të rrokulliseshe në kopështin e shtëpisë tënde, mund të përfundoje në çatinë e fqinjit… nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur me Migjenin, nëse nuk do të kishte linur në Shkodër e nuk do të kishte vajtur në Pukë, ku “malcori me brekët legjendare në shtat” do të sillej si lypës për një barrë misër…
Moikomi është poeti që merr rugën e detit për të qenë në një lartësi kumbuese.
5.Prozatori i shkëlqyer i fjalës së lirë, shpesh herë lemëritëse, besnik në bindjet e tij, autori që nuk i del vetëm një emër në krijimet e tij, por krijon një personazh – autor. Në emër të të cilit shkruan e boton libra, bën sherr me të, bashkohen e ndahen, herë janë shpirtra binjakë e herë kundërshtarë, Makabe Zaharinë; habitet dhe dyshon për gjithçka; tregimet e tij janë sinopse të një romani të ardhshëm, por që kurrë nuk u bënë të tillë.
Moikom Zeqo është eseist i dorës së parë, më i shquari i kësaj fushe të panjohur si duhet deri në fillimin e këtij shekulli; ai është ndërtuesi i një shkolle unitare, shtegtues në kohëra dhe si Farëmbjellësi i pikturës së njohur së David Selenicës, ai “asht si ajo tokë e mirë, e pellshme, ku fara dosido e hedhun, zen rritet dhe ep fryt ma tepër se pritej….. ( Migjeni).
Moikomi si prozator është ndër më të fuqishmit e letrave shqipe, stili i tij është i veçantë dhe i ngarkuar me mendimin e njeriut kërkues deri në holësi dhe marramendës si pak kush tjetër.
Secili nga këta “Moikomë” është i veçantë, ka ndërtuar botën e tij dhe përmes tyre mund të hyhet gjithnjë me mendimin se do e kesh të vështirë të kthehesh pas.
Katër ditë më parë, me 3 qershor, ai bëri 70 vite në këtë jetë të trazuar, të cilës i ka shërbyer sa ka mundur denjësisht, por që edhe i ka shërbyer atij për të ndërtuar një korpus veprash që nuk ka ngjarë deri tani në letrat shqipe dhe, jam i bindur se nuk do të ngjajë edhe paskëtaj.
Ndenjat me Moikomin janë ndër ngjarjet e veçanta. Nuk e di me saktësi se sa shumë vite kemi miqësi, ashtu si nuk e di se kur e pashë për herë të parë detin.
Ai, Deti dhe Moikomi, ngjajnë me njëri tjetrin.
Tani, pas kaq shumë viteve, kur ai ka lënë mjekrrën e tij të bardhë, herë – herë më ngjan me Poseidonin dhe pres me padurim se kur, me sfurkun e tij pesëdhëmbësh, thamë se kemi pesë Moikomë në një, do të trazojë detrat.
Çdo libër i tij është frymë, dallgë dhe trazim i paskajshëm oqeanik.
Ai prej kohësh i ka ngritur të gjithë daullet e luftës. Djaloshi kaçurrels i viteve studentore, me këmishë të bardhë dhe ecje të shpejtuar, është tashmë magjepsësi i madh i letrave shqipe.
Dy ditë më parë, “në mirënjohje të publicistikës së tij të mprehtë, studimeve shumëdimensionale për gjenezën e Kombit, mbrojtjen e monumenteve dhe identitetit tonë kombëtar, presidenti Meta ka dekoruar me titullin ‘’Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’’, intelektualin dhe mendimtarin Moikom Zeqo.
Edhe shumë e shumë vite, Moikom!

Si ralle here ne kete shkrim poetik Z Islami keni hedhur penelata te arta te verteta drite te Ketij eruditi te pacmueshem,te gjithanshem,i perkryer,humanisti zemer gjere e mendje ndritur,durimtar i pashembullt po aq sa edhe diturant i te gjithe gjinive te kryveprave kombetare embareboterore,ajken e dijeve aq sa i ka edhe te Tijat.Eshte e drejte bile e vonuar vleresimi me dekorate por nuk do te mjaftonin edhe vleresime me te larta per vlerat e Tij te jashtezakoneshme te cdo sfere.I UROJME Zotit Mojkom lumturi te gjithaneshme ne jete,ne familje plot jete gjatesi .Edhe shume e shume vite.Nderime.
Sikur ky shkrim te kerkonte edhe firmat e te tjereve,qe e kane njohur Moikomin si qytetar, poet.studues, arkeolog, historian publicist,shkurt si nje figure poliedrike shqiptare, une do ta firmosja me kenaqesi. Urime Bedri!