Rama përsërit: Kush cënon zgjedhjet, pjesë e listës së zezë në BE

J L

Kryeministri Edi Rama, gjatë fushatës së sotme nga Çorovoda përmendi sërish historinë e përgjimeve, duke shënjestruar prokurorët, që sipas tij ia çuan Partisë Demokratike me qëllim që të përbaltnin Shqipërinë.

“Çdo shqiptar i arsyeshëm ta mendojë si shqiptar se sa e rëndë është kjo që ata po i bëjnë Shqipërisë. Se sa e tmerrshme është e gjthë rruga e baltës që ata po i hedhin Shqipërisë në sytë e familjeve të Europës, duke e mbështetur në përgjime që janë arsye për të hetuar deri në fund, e për të çuar para drejtësisë këdo që ka kryer veprime të paligjshme dhe që duhet të ishin kryer me kohë e me vakt, por që siç mund ta keni dëgjuar nga prokurorja e Krimeve të Rënda nuk bëhet fjalë për luftë kundër krimit zgjedhor, por për shantazh kundër reformës në drejtësi kësaj qeverie dhe PS. Prokurorë të diskretituar, me shumë hije në vend që të veprojnë kanë dashur t’i mbledhin gjithë ato llumra në një kazan dhe t’i dorëzojnë tek PD e që të hapen më pas me qëllim që të ndotin Shqipërinë. Këta nuk i duhen as dreqit, jo më Shqipërisë”, tha ai.

Ndër të tjera, Kryeministri përmendi edhe ndëshkimin për të gjithë ata që përpiqen të pengojnë zgjedhjet më 30 Qershor. Teksa foli për ndalimin e lëvizjes në SHBA, ai thumboi edhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

“Çfarë do ndodhë pas 30 Qershorit? Do bëhen zgjedhjet dhe do nisë mandati i ri i qeverisë vendore si dhe do ndëshkohen me forcën e ligjit ata që do cënojnë zgjedhjet. Që në momentin që për ta nis procedimi penal ndalohen të dalin jashtë shtetit. Kur të dalin nga burgu do ngelen sërish këtu brenda se do i kthejnë si pjesë e listës së zezë të kriminelëve që nuk i duhen BE. Flasim për BE se në SHBA është akoma më keq, bashkë me familjen do ndalohen të shkojnë atje. Kush nuk e kupton le t’i bëjë një telefonatë plakut e ta pyesë: Ore është e vërtetë që të ka ndodhur kështu kur bën zarare? Nëse ju thotë jo, hajdeni se ua tregoj unë pastaj historinë”, tha Rama.

j.l./ dita

Share This Article
10 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *