Një film dokumentar për klerikun e shquar shkodran Hafiz Ali Kraja, “Kryet nalt” u shfaq mbrëmë premierë në kinemanë e qytetit të Shkodrës, në praninë e qindra pjesëmarrësve.
Ky dokumentar, i realizuar nga gazetarja Luljeta Progni me Fondacionin “Kujto.al” tregon kalvarin e gjatë të persekutimit të një prej klerikëve shqiptarë më të ditur, diplomuar në tre universitete dhe zotërues i gjashtë gjuhëve të huaja.
Kalvari i gjatë i persekutimeve që nga internimi prej fashistëve italianë, përndjekja ndaj tij dhe familjes prej komunistëve dhe vuajtjet për 18 vjet në kampet e punës e burgun e Burrelit, ishin pjesë e dokumentarit.
j.l./ dita

Hafiz Ali Kraja: mbi varrin e priftit françeskan Pader Gjergj Fishta
Lexues i nderuem! Qe disa fjali, nga fjalimi i tij, i hoxhës shkodran, mbi varrin e priftit françeskan Pader Gjergj Fishta:
“Poet kombëtar, Pater Gjergj!
Kur nji orator, tue dasht me folë mbi veprat tueja, rrin shtang, hutohet, pse janë shumë, janë të mëdhaja edhe të madhnueshme, aq sa asht e vështirë me caktue se për të cilën duhet të flitet…
Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën politke tanden do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së Malcisë”, kryevepra jote monumentale.
Ta jesh i bindun, o Poet i Madh se Shqyptari me “Lahutën e Malcisë” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë siç janë Helenët me Iliadën e Persjanët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndieshmet e popullit shqiptar…
Me ty, Patër Gjergj, Kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”.