Kalendari me datat e konkurimit për universitetin  

Leda Hysa

Urdhri i QSHA dhe RASH

Konkurimi për studimet e larta nis zyrtarisht në datën 31 korrik. Për gjashtë ditë me radhë maturantët e këtij viti, si dhe kandidatët e viteve të shkuara duhet të kryejnë procedurat e aplikimit online për plotësimin e formularit A2 në portalin U-Albania, ku do të listojnë 10 preferencat për të fituar studimet e larta në një nga universitetet publike, apo private të vendit përgjatë vitit të ri akademik 2019-2020. Qendra e Shërbimeve të Arsimit dhe Qendra Ndërinstitucionale e rrjetit Akademik Shqiptar kanë miratuar tashmë kalendarin me datat e aplikimit online për të tre raundet në të cilat do të zhvillohet gara për studimet e larta. Kalendari përcakton edhe afatet konkrete jo vetëm për procedurat e regjistrimit të fituesve të rinj në secilin raund, por edhe ato të animimit dhe çregjistrimeve. Të drejtën për të konkuruar për studimet e larta për këtë vit e kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses studimet e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë këto katër kushte: “Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurojnë, si dhe nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi, duke përjashtuar këtu nxënësit dhe studentët e shkëlqyer

Afatet e shlyerjes së tarifës së aplikimit

Përpara aplikimit në portalin online të përcaktuar, secili kandidat duhet të kryejë pagesën e tarifës së zgjedhjes së preferencave, e cila nuk ka pësuar ndryshime krahasuar me tarifat e zbatuara gjatë viteve të shkuara. Sipas udhëzimit të miratuar më herët nga MASR, kostoja e konkurimit që duhet të shlyejnë maturantët për plotësimin e formularit të preferencave për 2019-n do vijojë të jetë 2000 lekë. Formulari për dredhjen e kësaj pagese mund të shkarkohet nga portali online. Ndërkohë që në urdhrin e aprovuar saktësohet se maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara kanë afat nga data 27 qershor, e deri në 25 korrik për të bërë dredhjen e kësaj pagese. Mandatin e pagesës duhet ta dorëzoni më pas në shkollat e mesme, të cilat do të konfirmojnë në sistem edhe hedhjen e pagesës nga secili maturant, duke i dhënë kështu të drejtën e vijimit të mëtejshëm të garës për studimet e larta.

Konkurimi në raundin e parë

“Në periudhën 31 korrik deri në 5 gusht, maturantët dhe kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta universitare, përfshirë edhe kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit, pasi të kenë kryer pagesën e aplikimit, si dhe duke respektuar kushtet e përcaktuara nga qeveria për mesataren e konkurimit, dhe kriteret e tjera të përcaktuara nga universitetet, mund të aplikojnë në portalin online ëëë.ualbania.gov.al, duke zgjedhur deri në 10 programe studimi nga lista e degëve të miratuara për secilin institucion të arsimit të lartë”, saktësohet në urdhrin e miratuar nga QSHA dhe RASH . Ndërsa në datën 10 gusht të gjitha institucionet e arsimit të lartë që do të zhvillojnë konkurse pranimi do të mund të shkarkojnë nga portali listën zyrtare të kandidatëve që kanë kërkuar që të garojnë në këto degë gjatë plotësimit të formularit A2 të preferencave. Këto institucione duhet që të afishojnë këto lista në ambientet e tyre, duke komunikuar edhe rregullat konkrete të zhvillimit të konkurseve ndërmjet datave 13 gusht deri në 23 gusht.

Regjistrimi i fituesve të raundit të parë

Lista e fituesve të raundit të parë do të zbardhet në fund të muajit gusht. Ndërsa fituesit do të regjistrohen në 7 faza 48-orëshe që do të zhvillohen ndërmjet datave 2 deri në 15 shtator, ku secili maturant duhet të paraqitet në sekretarinë përkatëse të fakultetit që preferon për të bërë regjistrimin me dokumentet përkatëse. Çka do të thotë se vija e fituesve do të spostohet me përfshirjen e fituesve të rinj për çdo fazë 48-orëshe të mbylljes së regjistrimeve. Kështu çdo aplikant fitues duhet të paraqitet pranë institucionit të arsimit të lartë ku është shpallur fitues për të bërë regjistrimin si student brenda 48-orëve. Në të kundërt e humbet degën e studimeve që ka fituar. Për programet e studimit me kuota të paplotësuara, të cilat nuk kanë më aplikantë në pritje, do të rikthehen në garë aplikantët e shpallur fitues gjatë fazave të mëparshme, të cilët nuk rezultojnë të jenë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi. Ndërsa procesi i çregjistrimeve për fituesit që duan të ndryshojnë degën e studimit do të bëhet në datën 16 shtator

Konkurrimi dhe regjistrimi për raundin e dytë

Sipas urdhrit të miratuar, gara e konkurimit për studimet e larta të raundit të dytë do të zhvillohet në datat 19 deri në 21 shtator. Sërish maturantët do të aplikojnë online duke plotësuar formularin A3 me dhjetë preferenca të reja studimi. Konkretisht në këtë raund mund të aplikojnë maturantët dhe kandidatët që nuk arritën të siguronin dot një të drejtë studimi përgjatë raundit të parë. Në raundin e dytë mund të aplikojnë të gjithë kandidatët që nuk fituan dot në raundin e parë, ata që kanë kryer procesin e aplikimit online të raundit të parë dhe nuk janë shpallur fitues, ata që kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk kanë arritur të regjistrohen, si dhe kandidatët që janë çregjistruar në përfundim të raundit të parë me qëllim ndryshimin e degës së studimit duke hyrë sërish në garë me dhjetë preferenca të reja. Fituesit e këtij raundi do të shpallen në datën 27 shtator. Ndërkohë që procesi i regjistrimeve do të zhvillohet me 5 faza 48-orëshe ndërmjet datave 30 shtator deri në 9 tetor. Edhe në këtë raund do të ketë proces çregjistrimesh. Në këto kushte të gjithë kandidatët që duan të ndërrojnë degën e studimit duhet që në datën 9 tetor të paraqiten për të kryer procedurat përkatëse të çregjistrimeve.

Konkurimi për raundin e tretë

Nëse do të ketë sërish kuota të paplotësuara do të zhvillohet edhe një raund i tretë pranimesh, përkatësisht në datat 12 tetor-14 tetor. Edhe në këtë rast maturantëve dhe kandidatëve të viteve të shkuara do t’u duhet të përzgjedhin sërish dhjetë preferenca të reja studimi, sipas programeve që kanë kuota të paplotësuara. Tarifën në këtë raund e paguajnë vetëm kandidatët që aplikojnë për herë të parë. Shpallja e fituesve do të bëhet në të njëjtën formë. Konkretisht fituesit do të shpallen me 19 tetor, ndërsa regjistrimet do të zhvillohen me tre faza ndërmjet datave 21 dhe 26 tetor.

Dosja e regjistrimit

Për secilin raund për regjistrim si fitues kërkohet ky dokumentacion : “Dokument identifikimi (pasaportë ose kartë identiteti). Në dosje mbahet vetëm fotokopja. Gjithashtu duhet të dorëzohet edhe fotokopja e noterizuar e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave, deklarata që duhet ta printoni dhe plotësoni te sekretaritë e degës së studimit ku do të regjistroheni. Pas deklaratës së shkruar bëhet regjistrimi menjëherë në portalin U-Albania dhe firmoset nga sekretarja dhe aplikanti në dy fotokopje formulari i printuar nga sistemi, një prej të cilave i jepet aplikantit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *