“Illyrian Bloodline” është një nga kompani që ofron veshje autentike shqiptare, dhe I përket reperit të njohur Noizy. Kjo kompani është e para që i është përgjigjur pozitivisht thirrjes së Bashkisë së Tiranës drejtuar bizneseve dhe kompanive të ndryshme private për të kontribuar me shërbime që do ofrohen falas apo me pagesë të reduktuar studentëve, nëpërmjet Kartës së Studentit.
Duke iu bashkuar kësaj nisme, produktet e kësaj kompanie do i ofrohen studentave që janë pajisur me kartë student, me një ulje të konsiderueshme në çmim.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falënderoi Noizy-n për këtë angazhim, duke u bërë kështu një shembull pozitiv, si një individ e përfaqësues Kompanie me përgjegjshmëri sociale.
“Jam shumë i lumtur që vëllai im, Noizy, ishte i pari që iu përgjigj thirrjes për bizneset private dhe i bashkohet uljeve që jepen me Kartën e Studentit. Përveç 40-50 shërbimeve të Qeverisë dhe Bashkisë, të ministrive të ndryshme, të Muzeve, të Galerive, dhe të Kinemave, “Illyrian Bloodline”, që është linja e modës e Noizy-t, do të japë deri në 30% ulje për të gjithë studentët, që praktikisht e nxjerr komplet pa fitim kompaninë në shitjen e këtyre produkteve. Kjo është një mundësi fantastike, pasi kur je student, çdo qindarkë ndihmon”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Sipas kryetarit të Bashkisë, veprimi i një të riu për të rinjtë ishte inkurajues dhe dëshira për të ndihmuar jep një shembull për të gjithë.
“Besoj që japim edhe shembullin e një të riu që bën diçka për të rinjtë. Ne jemi mësuar që kompani të mëdha, apo të rriturit, bëjnë diçka për të rinjtë, dhe duket si një lloj kontributi i një brezi të vjetër për një brez të ri; ama, rrallë na ndodh që një i ri bën diçka për të rinjtë. Jam sot super i inkurajuar, jo vetëm nga gjesti i Noizy-t, s’ka asnjë detyrim, ai jeton në Durrës, kjo është për Kartën e Studentit të Tiranës, por kur një gjë bëhet me shpirt dhe bëhet vetëm nga pasioni dhe dëshira për të ndihmuar, japim një shembull fantastik për të gjithë. Besoj se fitimi më i madh është te zemrat e njerëzve, fansave të muzikës tënde”, tha Veliaj.
Edhe këngëtari I preferuar nga të rinjtë theksoi se ky ishte edhe qëllimi i tij, të bëjë diçka për të rinjtë. “Siç e dimë në Shqipëri nuk janë mundësitë shumë të mëdha, kështu që pse jo të ndihmojmë pak, sepse na jep Zoti në krah tjetër”, u shpreh Noizy.
Kryebashkiaku Veliaj shtoi se shpërndarja e Kartës së Studentit ka ecur me ritme shumë të mira, ndërsa studentët kanë shfrytëzuar lehtësitë e krijuara në aplikim dhe marrjen e këtij dokumenti në vetëm pak minuta. “Shpërndarja ka nisur në mënyrë fantastike. Besoj që teksa shohim që edhe kompani private, edhe superkompanitë autentike shqiptare të të rinjve, si kompania e Noizyt i bashkohen, karta do të bëhet shumë më atraktive. Jemi në një fillim shumë të mbarë, do vazhdojmë ta shpërndajmë kartën deri në fund të korrikut, pra përpara se studentët të kthehen në shtëpi. Do kenë mundësi që t’i bëjnë këto blerje edhe gjatë gjithë verës, edhe në qytete të tjera. Pra, oferta vlen edhe për dyqanet në Durrës, apo edhe ato në Tiranë. Ndërkohë që, kur të kthehen në vjeshtë do të jetë e tërë gama, edhe ne do kemi ecur shumë me shërbimet tona, përfshi abonetë që do t’i porosisim aq sa është nevoja”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.
e.ll./dita
